La Domenica del Corriere, 1-8 Shkurt 1914

 

Në të ardhmen e largët, historia shqiptare do të duhet të shpenzojë shumë e shumë faqe për të treguar negociatat e gjata dhe të mundimshme që u deshën për të realizuar projektin e Fuqive Europiane – do të ishte më e saktë të thuhej të Italisë dhe të Austrisë, të vetmet vërtet të interesuara – për të krijuar një Mbretëri të lirë dhe të pavarur të Shqipërisë. Jemi në prag të kësaj krijese të mrekullueshme – një prag i vështirë dhe ndoshta ende plot surpriza! Siç dihet, Princ Vidi, i zgjedhur nga kabinete të ndryshme evropiane si mbreti i ardhshëm, është gati të arrijë në territoret e tij, sepse duket se është arritur një marrëveshje mbi atë huan prej 75 milionë kurorash që Europa do t’i japë Shqipërisë, dhe pa të cilën Shqipëria e varfër nuk do të mund të fillojë jetën e saj të re si shtet.


Faqja origjinale e "La Domenica del Corriere", shkurt 1914

Për të takuar mbretin e ri, është nisur për në Berlin Ismail Qemal Beu, i cili ndodhet tani në Itali dhe që ishte president i qeverisë së përkohshme shqiptare, dhe po bëhen përpjekje për të bindur gjithashtu Esat Pashën, kreun aktual të qeverisë së Shqipërisë së Mesme, të japë dorëheqjen nga pushteti dhe funksionet që i janë atribuare. Nuk është thënë që të gjithë shqiptarët janë të gatshëm të pranojnë Mbretin e Shqipërisë me krahë hapur. Ndër të tjera, është një çështje fetare: shqiptarët janë katolikë dhe Vidi protestant. Por mund të ndodhë që ardhja e afërt e mbretit të ri të ketë për efekt qetësimin e dëshirave dhe smanive për pavarësi dhe pushtet.
Mbreti do të banojë në Durrës, në një ndërtesë të vjetër që rreth njëqind punëtorë kanë kohë që po e modernizojnë. Duket se do t’i jepet shumë pompozitet festimeve të kurorëzimit. Bukë dhe festa: populli nuk ka qenë kurrë ndryshe dhe nuk ka kërkuar kurrë më shumë.

  

0 Comments