Italia Fashiste Pushton Shqipërinë

Elton A. Varfi


Roma, 1938. Një burrë ndodhet në zyrën e tij, i dëshpëruar dhe në prag të një krize nervore. Ai është duke pritur për ardhjen e një princi, por si zakonisht, edhe kësaj here, princi është dërguar në Romë pas të gjitha ngjarjeve. Pikërisht ky është mundimi që e mundon burrin.

Ahmet Zogolli i përkiste një dinastie të krerëve të mafies së Matit. Familja Zogolli, që pas pushtimit turk ishin ndër të parët që u konvertuan në islamizëm, kishte konsoliduar pushtetin e saj në krahinë falë mbrojtjes së Pashallarëve, të cilët me radhë sundonin vendin në emër të sulltanit. Ata kishin dele, disa kullota dhe një bandë vrasësish që përdornin për të afirmuar sundimin e tyre të vogël feudal dhe për të rregulluar sipas dëshirës konfliktet dhe luftërat e vogla.
Ahmet Zogolli, i lindur në 1895, kishte studiuar në Akademinë Ushtarake të Kostandinopojës, por kur Shqipëria kaloi nën kontrollin e Vjenës pas luftërave ballkanike, ai u transferua në ushtrinë austriake ku u bë kolonel. I shkarkuar në fund të Luftës së Parë Botërore, mbeti pa gradë ushtarake, pa flamur dhe pa para dhe u kthye në Mat, por asnjëherë nuk u pajtua të qëndronte aty si paraardhësit e tij.
Traktatet e paqes që kishin vendosur regjimin demokratik në Shqipëri ishin nënshkruar vetëm për të qetësuar opinionin publik. Për Ahmetin, mjaftonte emri i tij për t'u bërë deputet i distriktit të tij, por ambicia e tij u shërbye shpejt nga zgjuarsia e trashëguar e Zogollëve, guximi i jashtëzakonshëm dhe mungesa totale e skrupujve, aq sa në moshën tridhjetë vjeçare u bë Ministër i Brendshëm, një post që e përdori për të shumuar miqtë dhe përndjekur armiqtë. Menjëherë më pas, ai u vendos në krye të Këshillit të Ministrave. Kur, në zgjedhjet e ardhshme, u mund nga liberali Fan Noli, ai refuzoi t'ia lëshonte vendin dhe u përpoq të vendoste diktaturën, por nuk ia doli për mungesë forcash të brendshme dhe mbështetjeje të jashtme. I detyruar të arratiset, gjeti strehë në Beograd.

Ahmet Zogu (Zogolli)
1895 - 1961 

Galeazzo Ciano, i lindur në Livorno në 1903, biri i një konti, u martua me Edda Mussolini në vitin 1930 dhe në vitin 1936, Mussolini emëroi dhëndrin e tij ministër të punëve të jashtme, duke e zëvendësuar atë. Ambiciet e Kont Cianos ndaj Shqipërisë nuk ishin të fshehura. Më 25 gusht 1937, ai shkroi në ditarin e tij:
“Kam bindur Duçen të japë 60 milionë lireta, në katër vjet, për Shqipërinë, për punë të ndryshme. Udhëtimi im në Tiranë më bindi për nevojën e mbikëqyrjes së plotë të atij sektori. Duhet të krijojmë qendra të qëndrueshme interesash italiane. Nuk dihet se çfarë mund të rezervojë e ardhmja. Duhet të jemi gati të kapim mundësitë që do të paraqiten. Ne nuk do të tërhiqemi, si në 1920. Në jug kemi thithur disa qindra mijëra shqiptarë. Pse të mos ndodhë e njëjta gjë edhe në bregun tjetër të Adriatikut?”
Burri që pret princin në zyrën e tij është një diktator. Në fakt, ai e ka vetëquajtur veten “DVX”, Duçja e fashizmit. Emri i tij është Benito Mussolini. Ai është në humor të keq dhe i acaruar sepse Adolf Hitleri, aleati i tij, sapo ka kryer aktin e aneksimit të Çekosllovakisë në Gjermani pa e bërë atë pjesëmarrës. Princi Filip i Hesse-s u dërgua në Romë me një mesazh personal nga Hitleri për Duçen. Megjithatë, shkurtësia e shpjegimit — Filipi i Hesse-s u ngarkua vetëm të jepte verbalisht arsyetimin për lëvizjen e re gjermane — dhe përmbajtja pak bindëse e rritën, në vend që ta qetësonin, pakënaqësinë e diktatorit italian. Me instinktin e tij gazetaresk, Duçja nuk dëshironte as të jepte lajm për vizitën e princit.
"Italianët do të talleshin me mua; sa herë që Hitleri pushton një shtet, më dërgon një mesazh," thuhet se klithi Mussolini; por një gjest publik i mosaprovimit në atë moment do të kishte kuptimin e një disfate politike. Ciano u bë edhe më i irrituar se vjehrri i tij. Ai kishte shprehur pëlqimin e tij për lojën gjermane "për të shmangur t’i bëjmë qejfin Zotit dhe armiqve të tij.[1]" Megjithatë, Mussolini dhe dhëndri i tij deshën të zbusin poshtërimin me një kundërveprim. Ciano ishte i pajisur me një inteligjencë të konsiderueshme, por pak fantazi.
Kështu, suksesit gjerman duhej t’i kundërvihej një sukses italian. Copëza e tokës që duhej pushtuar pa shumë përpjekje dhe që do të hidhej në pjatën e peshës propagandistike për të mos e anuar shumë nga ana e Hitlerit, ishte aty. Quhej Shqipëri. Hakmarrja nuk ishte ndër më të mirat. Në shtetin e vogël ballkanik, Italia kishte një ndikim të njohur ndërkombëtarisht dhe të paguar me ndihma ekonomike mjaft të mëdha. Por Shqipëria ishte e pavarur dhe gjithashtu mjaft hezituese për t'u aneksuar tërësisht. Pra, ishte e lehtë për t'u pushtuar.
Interesat e qeverisë fashiste ndaj Shqipërisë ishin të qarta që nga fillimi. Veprimi i Italisë fashiste ishte vendimtar për rindërtimin ekonomik të Shqipërisë.
Marrëdhëniet ekonomike ndërmjet dy shteteve u vendosën në mënyrë konvencionale me traktatin e tregtisë dhe të lundrimit të nënshkruar më 20 janar 1924, të ndjekur nga konventa e vendosjes dhe ajo konsullore, të nënshkruara disa muaj më pas (29 shkurt 1924). Që atëherë, Italia, me marrëveshje të njëpasnjëshme, intensifikoi gjithnjë e më shumë importet nga Shqipëria, duke thithur pothuajse tërësisht prodhimin e saj, megjithëse cilësia e tij nuk ishte e lehtë për t'u shitur në tregun italian. Eksportet nuk arritën të njëjtin rezultat, pasi Shqipëria vazhdoi të importonte nga vende të tjera, dhe vetëm vitet e fundit, kur Italia vendosi politikën e kontingjenteve dhe shkëmbimeve të balancuara, u zhvilluan importet nga Italia, duke arritur një përqindje të lartë.
Nga viti 1925 deri në 1939, në territorin shqiptar u investuan plot dy miliardë lira. Duke përmbledhur gjithçka që ishte bërë me nismën italiane. Vetë Konti Ciano, në fjalimin e mbajtur në Kuvend më 15 prill 1939, deklaroi: “Gjithçka që është kryer në Shqipëri gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit lidhet ekskluzivisht me emrin e Italisë. Puna dhe kapitalet italiane, me ndihmën e fuqisë punëtore të shkëlqyer shqiptare, kanë ndërtuar portet, kanë shtruar rrugët, kanë kulluar tokat, kanë shpuar puset, dhe kanë eksploruar minierat.”
Ahmet Zogu, i cili ndërkohë kishte ndryshuar mbiemrin, me ndihmën e jugosllavëve dhe italianëve, në një kohë të shkurtër riktheu pushtetin dhe u kurorëzua President i Republikës. Por nuk u mjaftua; tre vjet më vonë kërkoi një kurorë të vërtetë, atë të Mbretit, dhe Mussolini ia lejoi atë në këmbim të një premtimi për besnikëri të përjetshme ndaj Italisë, e cila, e thënë nga një burrë si Zogu, vlente sa vlente. Ky veprim i bërë nga Mussolini u tregua një gabim naiviteti, u kuptua menjëherë. Sapo u bë Mbret, Zogu deshi ta bënte seriozisht, duke marrë qëndrime të pavarura, shpesh arrogante, që madje rrezikuan të provokonin një krizë në marrëdhëniet midis dy vendeve, dhe pikërisht në vitin 1934, Zogu refuzoi të rinovonte traktatin tregtar me Italinë dhe nënshkroi një me Jugosllavinë.
Mbreti Zog ishte një njeri shumë i dyshimtë dhe e konceptonte politikën si një intrigë pallati, në të cilën megjithatë shfaqej "mjeshtër." Ai rrallë shfaqej në publik, fliste pak dhe nuk besonte askënd. E vetmja ndikim që kishte ishte ai i familjes, veçanërisht i motrave të tij, të cilat ai i kishte bërë gjenerale dhe pasi veshën uniformën, komandonin në pallatin mbretëror, duke shfaqur një qëndrim anti-italian, gjithashtu sepse kishin frikë se Roma donte t'i jepte Mbretit një grua italiane që do t'i zëvendësonte ato.

Motrat e Mbretit Zog në kostum shqiptar. Foto e marrë nga libri "Valigia diplomatica" nga Pietro Quaroni.

Ky ishte në fakt projekti që Roma po kultivonte dhe për ta realizuar atë, dikush kishte sugjeruar madje të “sacrifikonte” për Zogun një princeshë me gjak të Savojës. Megjithatë, nuk u gjet asnjë e gatshme për një gjë të tillë, duke u tërhequr kështu drejt një baroneshe napolitane. Në Napoli ndodhej markezi i Aulettës, pasardhës i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, heroit të madh kombëtar shqiptar. Markezi kishte dy vajza, kështu që u mendua pse të mos martohej Zogu me një pasardhëse të Skënderbeut dhe të realizohej kështu ribashkimi i dinastisë së re me të vjetrën?
Kjo hipotezë u hodh poshtë nga drejtuesit fashistë. Arsyetimi i Romës ishte kompleks në lidhje me të renë Auletta, e cila, pasi të bëhej mbretëreshë e Shqipërisë, rrezikonte të bëhej më shqiptare se vetë shqiptarët, ndërsa një princeshë do të ishte krejt ndryshe. Pastaj, për shkak të prestigjit të lartë të gjakut të saj mbretëror, në rast të vdekjes së Zogut, do të ishte më e lehtë të organizohej një regjim italian. Në çdo rast, Zogu, për të riafirmuar pavarësinë e tij, deshi të bënte një zgjedhje për llogari të tij. Ai e bëri këtë nga një fotografi që i tregoi një vajzë hungareze e sugjeruar nga sekretari i tij. Zogu e refuzoi vajzën, mbajti fotografinë dhe ftoi origjinalen në Tiranë. Ajo ishte Geraldina Apponyi, trashëgimtare e një familjeje të madhe hungareze të rënë, e cila nuk kishte pajë tjetër përveç emrit të saj dhe një fytyre të ëmbël, në përputhje të plotë me karakterin e saj.
Martesa u festua më 28 nëntor 1937, në 25-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, dhe u bë një burim tjetër konflikti, kësaj here më i thellë, me Italinë. Jo vetëm sepse Zogu kishte refuzuar një nuse italiane, por edhe për shkak të fyerjeve që iu drejtuan, kryesisht nga motrat, dy përfaqësuesve italianë, që ishin Ciano për qeverinë dhe duka i Bergamos për shtëpinë Savojës. Kriza ishte tashmë në ajër për arsye më pak të parëndësishme. Por ndoshta acarimi i Cianos ndihmoi për ta përkeqësuar atë, dhe Zogu, ose që nuk kishte ndjesi ose për krenari, nuk bëri asgjë për ta shmangur atë.
Ciano, si ministër i punëve të jashtme italiane, kishte arritur që jugosllavët t’i linin dorë të lirë në Shqipëri, me klauzolat sekrete të një traktati të vitit 1937, dhe më pas kishte bombarduar Musolinin me raporte që e paraqitnin Shqipërinë si një vend të pasur, në fakt të pasur, duke lënë të parashikohej një ndërhyrje e mundshme gjermane në atë klimë që për një kohë të gjatë ishte nën kontrollin italian. Nuk mungonin në këto përshkrime të Cianos edhe shënime sociale me çelës anti-Zog.
Në maj të vitit 1938, falë kësaj pune bindëse, Ciano kishte marrë nga Duçja një miratim të përmbledhur për të përgatitur veprimin për muajin maj të vitit të ardhshëm. Ndërkohë, delfini i Duçes, i cili ishte jashtëzakonisht i paskrupullt në zgjedhjen e mjeteve të politikës së tij, mendoi madje të përdorte vrasjen e Zogut. Më 27 tetor 1938, ai shkruante në ditarin e tij:
“Veprimi po fillon të bëhet i qartë: Vrasja e Mbretit (duket se për këtë do të kujdeset Koçi kundrejt një shpërblimi prej dhjetë milionë), lëvizjet e popullit, zbritja e bandave besnike ndaj nesh (praktikisht të gjithë krerët përveç atyre të Kmia-s), kërkesë për Itali për ndërhyrje politike dhe nëse është e nevojshme ushtarake, oferta e kurorës për Mbretin Perandor dhe në një fazë të dytë aneksimi. Jacomoni garanton se gjithçka mund të ndodhë rregullisht me një muaj njoftim paraprak.”
Deri në atë moment, Ciano kishte vepruar me nismën e tij. Po ndodhte një duel midis Cianos dhe Zogut. Mussolini lëkundej, herë i bindur nga aneksimi e herë nga distancimi, sipas zhvillimit të ngjarjeve ndërkombëtare.
Hitleri, me pushtimet e tij, ndihmoi Cianon. Por edhe një herë tjetër Duçja preferoi të vononte, ndoshta jo plotësisht i bindur nga përshkrimet imagjinare të dhëndrit të tij mbi pasuritë shqiptare. Musolini i shpjegoi Cianos se zbarkimi në Shqipëri do të trondiste strukturën jugosllave dhe do të favorizonte “një pavarësi kroate nën egjidën gjermane, që do të thoshte prusianët në Sussak[2].”
“Nuk ia vlen të rrezikojmë,” shtoi Duçja, “për të marrë Shqipërinë, që mund ta kemi në çdo moment tjetër.”
Në vend të pushtimit ushtarak, Musolini mendoi për një pakt që do ta nënshtronte plotësisht Shqipërinë ndaj Italisë, duke ruajtur paraqitjet ndërkombëtare, por pa lënë dyshime për thelbin e ngjarjes. Ai ia propozoi këtë Zogut. Me traktatin, do të autorizohej zbarkimi i trupave italiane në vend, por si aleatë, jo si pushtues. Një notë personale nga Duçja për Zogun komunikonte qëllimin për të “forcuar aleancën deri në pikën që dy shtetet dhe dy popujt të ndajnë të njëjtin fat.” Zogu do të mbante fronin nëse pranonte. Në të kundërtën, “pasojat do të binin mbi të dhe popullin shqiptar.”
Kjo nuk ishte ajo që Ciano dëshironte. Protektorati nuk i mjaftonte, ai kishte intriguar për pushtim. Kjo ishte, megjithatë, ajo që donte Vittorio Emanuele III, i bindur se nuk ia vlente të hynte në një aventurë të madhe për “katër gurë.”
Në këtë pikë, Zogu bëri një gabim fatal në vlerësim. I stërvitur prej vitesh për t'u përballur me situata të vështira dhe për t’u shpëtuar pa lënduar përmes hileve të pandershme, ai u iluzionua se mund të vononte pas kësaj oferte për pakt, i cili ishte një diktat në stilin italian, më i butë se ata gjermanë, por i panegociueshëm.
Më 31 mars 1939, u përgatit në Pallatin Chigi plani i pushtimit, i cili u përgatit shumë vonë dhe me mjete që do të ishin të papërshtatshme nëse shqiptarët do të kishin bërë qoftë edhe një rezistencë të vogël. Në takim ishin të pranishëm Ciano, gjenerali Guzzoni, i cili u emërua atë ditë për të komanduar trupat italiane, dhe Jacomoni. Mungesa e përgatitjes italiane doli në pah në mënyrë të qartë: “duket se nuk po arrijmë të sigurojmë në të gjithë ushtrinë një batalion të trajnuar motoristësh që duhet të arrijë në Tiranë me befasi,” vuri në dukje Ciano. I entuziazmuar nga një ndërmarrje për të cilën pretendonte autorësinë, Ciano studioi çdo detaj në mënyrën e tij amatore dhe gazmore.
Më 4 prill 1939, presionet italiane mbi Zogun u bënë përfundimtare. Ai duhej të përgjigjej brenda 24 orëve. Më pas iu dha një shtyrje, por vetëm për një ditë. Një telegram i nënshkruar nga Musolini, mbrëmjen e 5 prillit, kërkonte nga Zogu një përgjigje “pozitive ose negative” për ditën e nesërme, jo më vonë se mesdita. I vënë në vështirësi, Zogu bëri disa kundërpropozime, të paktën për të zbutur disa klauzola që konsakronin rolin e tij si vasal. Në agimin e 5 prillit, i lindi një djalë. Më 6 prill, në katër të pasdites, anijet italiane u nisën për në Durrës, ku trupat zbarkuan në tokë para se të agonte. Megjithatë, në mesnatën e kaluar, ministri i jashtëm shqiptar Libohova kishte shkuar në selinë e legatës italiane dhe kishte komunikuar me Jacomonin se Zogu ishte i gatshëm të negocionte. Jacomoni informoi ministrin e jashtëm dhe mori vesh nga telegrami i përgjigjes se ai ishte përjashtuar nga çdo bisedë e mëtejshme. Nëse Mbreti shqiptar dëshironte të negocionte, mund ta bënte me Guzzonin. Mbreti Zog shprehu gatishmërinë e tij për të pranuar praninë në vend të një divizioni, por insistoi për disa ndryshime në traktat.
Ai po fitonte vetëm kohë; në realitet, ai po përgatitej të arratisej në Greqi me gjithë familjen e tij të madhe.
Më në fund, në mëngjesin e 8 prillit, Galeazzo Ciano arriti të zbarkonte në Tiranën e pushtuar. Pasuan fjalime, dolli dhe demonstrata të turmave që brohorisnin Cianon, i cili doli në ballkonin e Pallatit Skënderbej. Operacioni ushtarak ishte një paradë motoristësh, çiklistësh dhe tanke të vegjël të Divizionit Centauro nën komandën e gjeneralit Messe. 45,000 burrat e armatosur që thuhej se ishin të vendosur të luftonin, nuk u panë. Vetëm në Durrës u numëruan disa të vrarë mes trupave italiane, tetë marinarë dhe tre bersalierë.


Zbarkimi i trupave italiane në Durrës dhe parada e bersalierëve në Tiranë.

Mbreti Zog nuk la shumë pengje, megjithëse prania e mbretëreshës dhe princit të sapolindur në karvanin e të arratisurve i dha ngjarjes një prekje romantike dhe njëkohësisht dramatike. Zgjedhja e ditëve të Pashkëve për sulmin u duk veçanërisht e urryer.
Detyra e formimit të qeverisë së re “të mbrojtur” iu besua Shefqet Verlacit, njërit prej shumë notablëve që nxituan të bashkëpunonin me Jacomonin dhe Guzzonin.
Një Asamble Kushtetuese e personalizuar miratoi njëzëri bashkimin personal mes dy vendeve. Shqiptarët do të kishin preferuar që Kurora e Shqipërisë t’i ofrohej një Princi të Shtëpisë së Savojës. U preferua në vend të kësaj që kurora e re t’i shtohej atyre të Mbretit të Italisë dhe perandorit të Etiopisë që Viktori Emanuel III tashmë mbante. Pas kësaj, jeta shqiptare u formësua sipas stilit italian, me një parti fashiste dhe një administratë që merrte urdhra nga Roma. Më 16 prill, një delegacion shqiptar ofroi solemnisht kurorën Viktor Emanuelit III. Verlaci, shkroi Ciano, mbajti “me lodhje dhe pa bindje” fjalimin e rastit në pallatin mbretëror, ndërsa Mbreti dhe Perandori iu përgjigjën “me një zë të pasigurt dhe të dridhur” nën vështrimin e një “gjiganti prej bronzi, Musolini”.
Veprimi i forcës italiane shkaktoi disa reagime ndërkombëtare, por shumë modeste, të pakrahasueshme me alarmet e shkaktuara nga aneksimet gjermane. Në fund të fundit, Italia, duke pushtuar Shqipërinë, kishte kryer, siç vuri në dukje dikush, një akt të krahasueshëm me atë të rrëmbimit të gruas së vet. Një nervozizëm i veçantë u vu re në shtetet ballkanike. Pikërisht vendosja në Shqipëri i dha mundësi Musolinit, një vit e gjysmë më vonë, të ndërmerrte fushatën e pafat dhe të turpshme të Greqisë.



Bibliografia

Amadeo Giannini, L’Albania dall’indipendenza all’unione con l’Italia, 1913-1939. Varese 1940.

Indro Montanelli, Mario Cervi, Storia d’Italia, 1936-1943. Rizzoli 1980.

Pietro Quaroni, Valigia diplomatica. Garzanti, 1956.


[1] Vëzhgimi është i Cianos.
[2] Sussak (në kroatisht Sušak) është një periferi e populluar e qytetit të Rijekës, në Kroaci.

0 Comments