Athleta Christi: Gjergj Kastrioti Skënderbeu (2 nga 10)
Athleta Christi: Gjergj Kastrioti Skënderbeu
Elton Varfi
Kthimi në Shqipëri
Princi i Serbisë Gjergj Brankoviç, i rrëzuar nga Murati II, kërkoi ndihmën e Papa Eugjeni IV (1431-1447) për të rimarrë mbretërinë. Papa dërgoi kardinalin Giuliano për të nxitur Ladislaun, mbretin e Hungarisë dhe Polonisë, të ndihmonte atë sovran.
Frontespizi i veprës: M. Barletius – Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis – Roma 1506.
Eugjeni IV organizoi gjithashtu një kryqëzatë kundër turqve, duke nxitur të gjithë komunitetin e krishterë të merrte armët për t'i dëbuar ata nga Evropa.
Në pranverën e vitit 1443, ushtria hungareze nën komandën e Jánosh Hunyadi, guvernatori i Transilvanisë, hyri në Serbi. Sulltan Murati II dërgoi një ushtri prej 20.000 burrash nën komandën e Kara Beut, pashait të Rumelisë, dhe të Skënderbeut për të mbajtur nën kontroll armikun derisa të mbërrinte vetë në krye të një ushtrie tjetër. Ushtritë kundërshtare u vendosën në brigjet e lumit Morava pranë Nishit.
Më 3 nëntor 1443, Huniadi kaloi lumin me një ushtri prej 10.000 burrash dhe para se ndihmat e Sulltanit të mund të mbërrinin, sulmoi ushtrinë turke.
Gjenerali turk, i tronditur nga agresiviteti i hungarezëve, u përpoq të ikte, por kur pa që ushtria e Huniadit përbëhej nga pak ushtarë, urdhëroi fillimin e betejës.
Skënderbeu priste këtë moment. Turqit që prisnin urdhrin për të sulmuar, morën papritur atë të tërheqjes, e cila gradualisht u kthye në një ikje të vrullshme.
Në konfuzionin e tërheqjes, Skënderbeu arriti të gjente kancelarin dhe me shpatë në dorë e detyroi atë të lëshonte një firmë (dekret me vulën e perandorisë) që t’i kthehej fortesa e Krujës.
mori dekretin, ai bëri që të vritej kancelari për të mos zbuluar mashtrimin dhe me dokumentin e çmuar u nis drejt Shqipërisë së bashku me treqind luftëtarë shqiptarë që shërbenin në radhët turke, në bazë të marrëveshjeve të bëra vite më parë nga Gjon Kastrioti me Sulltanin, ndër të cilët ishte nipi i tij Hamza, djali i Reposhit.
Barleti na bën të kuptojmë se Skënderbeu ishte në marrëveshje me Huniadin, i cili guxoi të fillonte ofensivën, pavarësisht se kishte një ushtri të vogël. Nga ana tjetër, Barleti nuk lë asnjë dyshim se Skënderbeu kishte shkaktuar, përmes një plani të përgatitur me kujdes, shkatërrimin e ushtrisë turke, pasi në fillim organizoi tërheqjen që më pas u kthye në një ikje të përgjithshme, duke tërhequr ata që e ndiqnin dhe duke shtyrë ata që e paraprinë, duke shpërndarë kështu krahun e ushtarëve që ishte nën komandën e tij.
Dhimitër Franko raporton, nga ana tjetër, se Skënderbeu luftoi, por sapo ushtria turke u mund, mendoi, gjatë tërheqjes, të kthehej në Krujë; vetëm më pas, duke u ndeshur rastësisht me kancelarin, i rrëmbeu atij në mënyrë miqësore firmën. Në cilëndo mënyrë që të ketë ndodhur, Skënderbeu arriti në Dibër dhe donte të njihte mendimet e dibranëve për të, duke qenë ata nënshtetasit më besnikë të familjes princërore të Kastriotëve.
Më pas, ai thirri qytetarët që kishin më shumë autoritet dhe, duke folur për qëllimet e tij, kërkoi ndihmën e tyre.
Gëzimi i dibranëve kur panë djalin e princit të tyre ishte i papërshkrueshëm; disa nuk donin t'u besonin syve të tyre, duke menduar se po ëndërronin, të tjerët hidhnin valle nga gëzimi, të tjerët qanin, duke e mbuluar atë me puthje dhe bekime, duke i ofruar jetën e tyre, atë të fëmijëve të tyre dhe pasuritë e tyre për çështjen e lirisë.
Skënderbeu, i prekur nga kjo pritje, i nxiti ata të vendosnin burra për të ruajtur të gjitha kalimet në mënyrë që askush të mos mund të lajmëronte komandantin e Krujës për kthimin e tij.
Më pas urdhëroi të mblidhnin burra të tjerë të cilët, me një sinjal të tij, do të ishin gati për ta ndihmuar në pushtimin e vendit. Dhe pasi qëllimi i tij ishte të merrte Krujën me firmën dhe jo me forcë, kërkoi vetëm treqind burra, të njohur me shtigjet, duke i fshehur ata natën në një pyll pranë qytetit. Më pas, po atë natë, ai u nis me shpejtësi drejt Krujës. Sapo ishte afër qytetit, dërgoi nipin e tij Hamza Kastrioti, si sekretarin e tij, për të lajmëruar komandantin e kalasë se Skënderbeu po vinte me urdhrin e Sulltan Muratit II për të marrë komandën.
Hamzai, i lindur dhe rritur në Adrianopojë ku i ati kishte marrë për grua një turke, fliste rrjedhshëm gjuhën turke dhe, si një burrë i zgjuar, realizoi plotësisht misionin e tij. Hasan Bej Verzesa i besoi atij dhe kur Skënderbeu mbërriti dhe i tregoi firmën, e priti me nder të madh, duke ia lënë fortifikimin Skënderbeut.
Të nesërmen në qytet nuk kishte më turq apo renegatët. Flamuri i Muratit II dhe çdo shenjë e sundimit të tij osman u zhdukën dhe në vend të tyre valëviteshin gjithandej flamujt shqiptarë. Nga çdo shtëpi dilte thirrja "Rroftë Skënderbeu!" dhe udhëheqësi i ri, duke u kthyer në fenë me të cilën kishte lindur dhe duke marrë në zotërim tokën që kishte qenë e të parëve të tij, filloi nga Kruja ringjalljen e popullit shqiptar.
Lidhja e Lezhës
Sa gjak i kotë kishte derdhur Atdheu deri atë ditë! Sa shpërdorim dhe ekspozim i virtyteve luftarake, rivalitetet e vogla shpërndaheshin në veprime individuale dhe askush nuk i drejtonte apo i çonte në një qëllim sepse askush nuk kishte qenë deri atë ditë i pranuar nga të tjerët si lider dhe që të merrte mbi vete barrën dhe përgjegjësitë e udhëheqësit, duke kërkuar përkushtim të plotë, të padiskutueshëm dhe të devotshëm. Gjergj Kastrioti nxitoi të mblidhte Princat shqiptarë në Krujë, kështu që individualistët gjetën një udhëheqës që i bashkoi të gjithë. Dhe në sajë të këtij ndikimi ndodhi ajo që ishte dëshiruar prej vitesh.
Petrela, Tornaçi, Stelushi, Sfetigradi, ranë njëra pas tjetrës në duart e shqiptarëve.
Por nuk mjaftonte.
Gjergj Kastrioti mblodhi për herë të parë, në një kongres, të gjithë princat e rajonit dhe, duke anashkaluar tokat e njërit dhe tjetrit, thirri asamblenë në Lezhë, ku në atë kohë dominonte Venediku.
Imazh marrë nga "Focus Storia", Tetor 2018
Më 1 mars 1444, katedralja e Shën Nikollës në Lezhë ishte e mbushur me një turmë shumëngjyrëshe. Princat më autoritativë që morën pjesë ishin: Aranit Komneni i Kaninës, Andrea Topia, stërnipi i Karl Topisë, Princi i tokave midis Krujës dhe Durrësit, me dy djemtë e tij dhe me nipin Tanush Topia, Teodor Korona Muzaka, Princi i Beratit, me disa princa të tjerë të Muzakajve, Gjergj Stres Balsha, nipi i Skënderbeut nga ana e motrës Jella, Princi i tokave midis Krujës dhe Lezhës, Pali dhe Nikolla Dukagjini, principatat e të cilëve shtriheshin nga Drini në Kosovë deri në kufijtë e Serbisë, Aleksandër Shpata, Princi i Dainës, Pjetër Spani, Princi i Malësisë së Shoshit dhe të Shalës, me katër djemtë e tij Aleksandrin, Bozhidarin, Orosin dhe Markun, Aleksandër Dushmani, Princi i Zadrimës, Stefan Çernoeviç, kunati i Skënderbeut, Princi i Malit të Zi, me dy djemtë e tij Gjergjin dhe Gjonin; ishin edhe princa të tjerë gegë dhe toskë. Përveç këtyre, ishte edhe përfaqësuesi i Republikës së Venedikut për të verifikuar se çfarë do të vendosej.
U vendos të formohej një Lidhje e Princave shqiptarë dhe Skënderbeu u zgjodh njëzëri udhëheqës i saj dhe me gradën e kapitenit të ushtrisë së konfederuar. Të gjithë princat u detyruan ta ndihmonin atë me para, me ushqime dhe me burra, sipas mundësive të tyre, në luftën kundër Sulltan Muratit II. Ky detyrim nuk duhej të ishte një premtim i vagullt. Aranit Komneni i Kaninës propozoi që çdo princ të specifikonte shumën vjetore që do të jepte si kontribut. Ai vetë dha shembullin duke u angazhuar me një kuotë kontribuese dhe princat e tjerë bënë të njëjtën gjë. Krerët më të vegjël, që nuk mund të garantonin ndihma në para, ofruan një numër më të madh burrash. Në këtë pikë, Pali Dukagjini propozoi që të caktohej edhe numri i burrave që çdo princ duhej të jepte dhe pas shumë reflektimeve çështja u la në dorën e princave të ndryshëm. Të ardhurat vjetore të Skënderbeut ishin dyqind mijë dukatë ari, kryesisht të përbërë nga kontributet e princave të Lidhjes, nga të ardhurat e principatës së tij dhe nga kriporet e kampit Episkopo, pranë Shën Nikollës së Gurit, në veri të Durrësit. Ushtria e Lidhjes numëronte rreth 18.000 burra, të ndarë në mënyrë të barabartë midis kalorësve dhe këmbësorisë. Nga kjo, tre ose katër mijë i përkisnin principatës atërore të Skënderbeut, domethënë Krujës, Matit, Mirditës dhe Dibrës. Sapo përfundoi Kongresi, u këndua një Te Deum dhe u recituan lutje për fatin e Lidhjes. Skënderbeu, më pas i shoqëruar nga nipërit e tij dhe nga Pali Dukagjini, u kthye në Krujë.
Krijimi dhe organizimi i një ushtrie të rregullt ishte sipërmarrja më e vështirë të cilës Skënderbeu iu përkushtua pas kthimit të tij në Krujë, veçanërisht sepse e dinte që në një të ardhme të afërt do të duhej të përballej me ushtrinë e perandorisë turke. Ai prezantoi në principatën e tij "rekrutimin e detyrueshëm", një metodë e re rekrutimi e panjohur në Evropë dhe e vështirë për t'u zbatuar në Shqipëri, duke realizuar lista të plota të burrave të aftë për përdorimin e armëve, me qëllim që t'i përdorte në shërbimin ushtarak kur të kishte nevojë. Kësaj reforme Skënderbeu i kushtoi aq shumë rëndësi sa që ai vetë u vu në krye të komisionit të rekrutimit, duke bërë një turne në të gjitha tokat e tij për të inspektuar rekrutët dhe për të hartuar listat. Rëndësinë e një ushtrie të rregullt, të përhershme dhe të gatshme për luftë në çdo moment, Skënderbeu e kishte kuptuar në Turqi ku kishte parë shërbimet e kryera nga Jeniçerët. Fitoret e turqve ishin të detyruara këtij trupi ushtarak të veçantë dhe të zgjedhur, themeluar nga Sulltani Orhan I. Skënderbeu, pasi e adoptoi këtë sistem në Shqipëri, formoi një trupë të zgjedhur me më shumë se dy mijë ushtarë shqiptarë, të cilët për disiplinë, aftësi dhe besnikëri nuk kishin të barabartë në botë.
Nga ai moment nuk do të kishte më luftëra guerrile, as më sulme të verbra të bazuara në vlerën e individit, por metodë, ishte ajo që nevojitej për të shkatërruar Sulltanin dhe për t'i dhënë atij ndjesinë se një vullnet hekuri dhe një inteligjencë e jashtëzakonshme udhëhiqnin fatet dhe afirmonin vlerën e kombit shqiptar.
Gjergj Kastrioti themeloi një shërbim spiunazhi ushtarak. Burrat e tij depërtuan deri në oborrin e Sulltanit në kërkim të informacioneve të dobishme, duke shoqëruar vezirët dhe pashallarët. Këto informacione i përcilleshin udhëheqësit i cili studionte, ndërkohë, topografinë e tokës së tij duke përcaktuar vendet e vrojtimit dhe fushat e betejës. Ai shqyrtonte grykat, kalimet, fushat, rrjedhat e lumenjve. Kështu ai mësoi çdo sekret të armikut, duke u bërë njohës i çdo metri të territorit që do të mbronte, në pritje që kundërshtari të shfaqej.
Gjergj Kastrioti, me një ushtri më të vogël në numër se ajo turke, përballoi Ali Pashën, të raportuar nga informatorët e tij sapo u nis nga Adrianopojë në krye të një ushtrie të fuqishme me të cilën Murati II dëshironte të shkatërronte guximin e atij që e konsideronte një tradhtar. Kjo ushtri hyri në Shqipëri nga ana e Kosovës dhe zbriti në Dibër të Poshtme.
Afërsia e ushtrisë turke bëri që fshatarët të iknin duke u strehuar në kështjella ose në male. Burrat brenda kështjellave punonin natë e ditë për të riparuar muret, për të gërmuar hendekët dhe për të ruajtur portat, sikur armiku po afrohej shpejt, të moshuarit, gratë dhe fëmijët qëndronin gjatë gjithë ditës në kishat, duke iu lutur Zotit të lartë që të shpëtonte Shqipërinë nga fatkeqësia që po afrohej. Lajmet që qarkullonin përditë raportonin një rritje të vazhdueshme të njësive të ushtrisë turke, aq sa vetë ushtarët filluan të shprehnin një ndjenjë të fortë shqetësimi dhe frike.
Vetëm Skënderbeu mbeti i patrembur, duke u përpjekur t’i inkurajonte ata të gjenin shpresë dhe besim në vetvete. Deri atëherë shqiptarët kishin njohur vetëm disfata dhe fatkeqësi, kështu që ishte e vështirë për ta të besonin se fitorja do të ishte në anën e tyre, pasi nga kjo betejë e parë varej e gjithë ndërmarrja e Skënderbeut. Parashikimet nuk ishin shumë të favorshme. Ushtarët dhe oficerët ishin të gjithë të rinj dhe të paaftë dhe nuk kishin asnjë përvojë në një betejë të rregullt të luftuar sipas rregullave të artit ushtarak dhe që po përgatiteshin të përballeshin me ushtrinë më të fortë të asaj kohe. Nga ana e tij, Skënderbeu kishte vetëm dy oficerë veteranë të cilët e njihnin mjeshtërinë e tyre në mënyrë të përkryer, Aidin Muzaka, i cili kishte luftuar për shumë vite si oficer në ushtrinë turke dhe që gjithashtu ishte arratisur për t'iu bashkuar Skënderbeut, dhe Uranakonti, i cili disa vite më parë kishte luftuar në ushtrinë e Alfonsit, Mbretit të Napolit, duke marrë pjesë në shumë luftëra të këtij të fundit, dhe kishte pasur kështu rastin të mësonte artin e luftës në fushën e betejës, nën komandën e një kapiteni të shquar dhe të guximshëm. Të gjithë të tjerët do të merrnin tani, për herë të parë, pagëzimin e zjarrit në një betejë të rregullt dhe Skënderbeu vëzhgonte me zemër të pezullt hapat e parë të të rinjve të tij që i frymëzonin atij besim të plotë dhe që, me një gabim të vogël, mund ta çonin atë në disfatë dhe katastrofë. Me këtë ushtri, Skënderbeu, pasi u mbajt mesha dhe u bekuan flamujt, u nis drejt Dibrës së Poshtme duke u orientuar drejt fushës së Torviollit, e cila ishte caktuar shumë kohë më parë për t'u dhënë betejë. Fusha e Torviollit ishte shtatë milje e gjatë dhe tre milje e gjerë dhe ishte e rrethuar nga male, kodra dhe pyje. Plani i Skënderbeut ishte të fshihte një pjesë të ushtrisë në pyje dhe në momentin e duhur ta drejtonte atë kundër armikut. Për të mos shkaktuar dyshime mbi pritën, ai la në Torvioll vetëm një pjesë të këmbësorisë, duke shkuar me gjithë ushtrinë përpara ushtrisë turke për ta tërhequr atë, me një tërheqje të rreme, në vendin që kishte caktuar ai.
Bibliografia
Historia e Skënderbeut, Marin Barleti. Tiranë 1968.
Shqipëria dhe Princi Skënderbe, F. Cuniberti, Roux Frassati e C° Editori, Torino 1898.
Historia e Skënderbeut, Fan S. Noli, (versioni i Francesco Argondizza), Romë 1924.
Skënderbeu, Alessandro Cutolo, Milano 1940.
0 Comments