Athleta Christi Gjergj Kastrioti Skënderbeu


Elton Varfi


Hyrje

Kur dëgjoi që po vajtonin vdekjen e Mbretit Lekë Dukagjini, princi epirot doli me vrap në shesh dhe me fytyrë të zymtë nga dhimbja dhe me zë të mbytur, duke shqyer mjekrën dhe rrobat, tha:
“Ejani, ejani shpejt të gjithë, o princër arbëreshë! Sot portat e Epirit dhe të Maqedonisë janë thyer, sot janë rrëzuar muret dhe fortifikacionet tona, sot është humbur e gjithë forca jonë, sot janë rrëzuar fronet dhe pushteti ynë; sot me këtë njeri është shuar çdo shpresë jonë”.


Skënderbeu. Nga vepra: M. Barletius – Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis – Roma 1506

Është pikërisht këtu që duhet të fillojë rrëfimi i kësaj historie, nga fundi. Nga këto fjalë që tingëllojnë kaq profetike dhe dramatike. Nuk ka ndodhur kurrë që vdekja e një mbreti të ketë shkaktuar në historinë e një populli pasoja kaq të këqija.
Pas vdekjes së udhëheqësit, shqiptarët vazhduan rezistencën e tyre për një shekull tjetër. Aleati më besnik ishte terreni malor i Shqipërisë. Shqiptarët që nuk pranuan konvertimin në islam u tërhoqën pikërisht në këto male dhe organizuan rezistencën, por në fund u mundën nga Osmanët. Urrejtja që Osmanët ndienin ndaj popullit shqiptar shpërtheu në një represion të ashpër ndaj tyre, aq sa shkaktoi një eksod masiv të komunitetit etnik shqiptar, duke u kujtuar si një nga ngjarjet më tragjike që ka përjetuar kombi.
Turqit gjatë pushtimit shkatërruan veprat e artit, mohuan gjuhën shqipe dhe madje ndaluan mësimin e saj. Porta e Lartë ishte tolerante me nënshtetasit jo islamikë; në fakt, u lejonte grekëve mësimin e gjuhës së tyre. Megjithatë, trajtimi i rezervuar për nënshtetasit shqiptarë, edhe pse të fesë myslimane, ishte ndryshe. Turqia kishte ndaluar hapjen e shkollave shqipe dhe madje përdorimin zyrtar të gjuhës. Djegën librat dhe dokumentet e shkruara në gjuhën origjinale, aq sa sot studiues të shumtë në kërkim të gjurmëve që lidhen me dokumentet ose librat shqiptarë janë të detyruar të kryejnë kërkime të vështira në arkivat e huaja.
Me eksodin e madh u larguan shumë nga personalitetet e rëndësishme dhe të fuqishme të kohës, sidomos ata që u cilësuan si “inteligjencia”, të cilët vunë në shërbim të një vendi tjetër kulturën, talentin dhe dijeninë e tyre; në fakt, në atë periudhë dallohen emra të shquar shqiptarësh në universitetet e Padovës dhe Bolonjës.

Lindja

Emri i Kastriotëve shfaqet për herë të parë në vitin 1363, pikërisht në këtë vit një Kastrioti kujtohet si kapiten i Kaninës. Në vitin 1389, princët e kësaj shtëpie ishin të barabartë në dinjitet me princat e parë të Shqipërisë, sepse Gjergj Kastrioti mori pjesë në këshillin e luftës përpara betejës së Kosovës. Në vitin 1407, Gjon Kastrioti përmendet në arkivat veneciane. Sipas informacioneve të marra nga Barleti, Gjon Kastrioti i përkiste një shtëpie të lashtë të Matit. Edhe Gjergj Kastrioti lindi në vitin 1405 në Mat. Babai i tij, Gjon Kastrioti, ishte Zot i një territori të gjerë të mbrojtur nga fortifikata të pathyeshme: Kruja, kryeqyteti; Petrela pranë Tiranës; Petralba dhe Stelushi në Mat dhe Sfetigradi[1] në Dibër të Epërme. Nga viti 1407 deri në 1430, pavarësisht presionit të forcave myslimane, në këto vende të fortifikuara vazhdoi lufta ndërmjet Sulltanit dhe princit. Gjoni mori për grua princeshën Voisava, vajzën e një udhëheqësi tjetër të shquar shqiptar, princit të Pollongës, një rajon i vendosur midis Gostivarit dhe Shkupit. Barleti tha se banorët ishin bullgarë, por princat mund të ishin shqiptarë që nga koha e Balshajve. Gjon Kastrioti pati nga gruaja e tij nëntë fëmijë: pesë vajza Mara, Jella, Angelina, Vlaika dhe Mamica dhe katër djem Stanisha, Reposhi, Kostandini dhe Gjergji. Katër vajzat e para u martuan me princër aleatë: Mara me Stefan Çernoviçin, princin e Malit të Zi; Vlaika me Gjin Muzakën; Angelina me Vladan Arianitën; Thopia Komneni Golemi, princ i Çermenikës dhe vëllai i Arianitës së Kaninës; Jella me Pal Stresin Balshaj, princ i rajonit të vendosur midis Krujës dhe Lezhës. Mamica më pas u martua me Karl Muzakën, Thopia, siç bëri Skënderbeu kur u kthye në Shqipëri.
Tregohet se kur nëna e Gjergjit ishte shtatzënë me të, ëndërroi se lindi një dragua aq të madh sa të mbulonte me trupin e tij gjithë Epirin; koka e tij zgjatej deri në kufirin me turqit të cilët i hante me nofullat e tij të përgjakura, ndërsa bishtin e mbante të zhytur në det në kufi me territoret kristiane, sidomos me republikën e Venedikut.
Sapo tregoi ëndrrën, babai i tij, Gjoni, u gëzua duke dhënë një interpretim të lehtë. Profetizoi se Voisava do të lindte një fëmijë që do të bëhej një burrë i madh, i njohur për veprat dhe bëmat e tij në luftë. Ai do të ishte armiku më i ashpër i turqve, por edhe komandanti i tyre më i shquar. Mbrojtës i krishterimit dhe respektues ndaj republikës veneciane.
Kur lindi fëmija, në krahun e tij të djathtë u pa një shenjë në formë shpate, sikur dikush e kishte vizatuar. Këto legjenda të treguara nga Marin Barleti në veprën e tij mbi jetën dhe bëmat e heroit kanë shtuar edhe më shumë famën e tij, duke i dhënë një aureolë legjendare dhe misterioze. Këtu, megjithatë, duhet bërë një vërejtje e nevojshme...
Të gjithë historianët që u morën me Gjergj Kastrioti Skënderbeun morën shumicën e informacioneve ose direkt ose nga burime të tjera lidhur me dy vepra të konsideruara deri sot themelore. M. Barlezius Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis Roma 1506 dhe Giammaria Biemmi Historia di Giorgio Castrioto detto Scander – Begh Brescia 1742. Barleti, bashkëkohës i heroit shqiptar dhe dëshmitar i shumë ngjarjeve të përshkruara prej tij, konsiderohej përgjithësisht si një burim absolut i vërtetësisë dhe paanshmërisë. Historianët i dhanë të njëjtën reputacion edhe Biemmit. Ky i fundit pohonte se kishte bazuar veprën e tij mbi një Historia Scanderbegi të supozuar, të redaktuar për Quandem Albanensem mbi bazën e një libri të shkruar nga një ushtar i Antivarit dhe botuar, sipas tij, në Venedik në vitin 1480, në të cilën ai pretendonte se kishte luftuar me Skënderbeun. Një historian rumun, Francesco Pall[2], tregoi se Biemmi ishte një falsifikator që shpiku ekzistencën e kronikës së Antivarit për të shkruar librin e tij. Biemmi citohet si nga Fan S. Noli në Historinë e tij të Skënderbeut, ashtu edhe nga Barleti në parathënien e veprës së tij në versionin shqip si një burim i vërtetë.
Lufta ndërmjet Gjon Kastriotit dhe Turqve, siç kemi shkruar tashmë, vazhdoi nga viti 1407 deri në 1430 dhe Gjon Kastrioti u zmbraps dhe u detyrua tre herë nga turqit në një paqe të vështirë dhe të rëndë. Gjon Kastrioti u desh t'ia dorëzonte Sulltanit, si konfirmim të nënshtrimit të tij, katër djemtë e tij me detyrimin nga Murati II për t'i edukuar ata sipas kanoneve të fesë së krishterë dhe për të liruar njërin pas vdekjes së Gjonit për t'i lejuar të zinin fronin e paraardhësve; por në këmbim iu desh t'i dorëzonte atij fortifikatat e Sfetigradit, Dibrën e Poshtme dhe të Epërme, të gjitha këto si garanci për një gjendje të sigurisë absolute për popullsinë.
Më vonë lidhi një aleancë mbrojtëse dhe ofensive, sipas së cilës u bë detyra e tij të dërgonte një ushtri te Sulltani në çdo luftë që ai do të ndërmerrte. Pra, ai duhej të njihte Muratin II si zotërin e tij të lartë me detyrimin për të paguar çdo vit një tribut në shenjë të nënshtrimit të tij.

Në oborrin e Sulltanit

Ishte viti 1421 kur i vogli Gjergj Kastrioti la shtëpinë atërore dhe ndoqi vëllezërit në oborrin e Sulltanit. Kur mbërriti në oborrin turk të Adrianopojës, Sulltani, duke shkelur marrëveshjet, e detyroi të konvertohej në fenë islame, duke ia ndryshuar edhe emrin. Kështu Gjergji u bë Skënderbeu, që në gjuhën turke do të thotë princi Aleksandër.
Në krahasim me princat e pranishëm në oborrin e Muratit II, Kastrioti arriti të shprehë prirjet e tij duke ndarë me të tjerët gjendjen e pengut. Bukuria, hirësia dhe forca e tij e bënë jetën e lehtë. Ndërsa pengjet e tjera ishin të prirur të vdisnin – ose për shkaqe natyrore ose për helmim – fëmija shqiptar u respektua si çdo princ tjetër i oborrit islamik.

Murati II. I panjohur. Galeria Uffizi, Firence. (Foto Alinari). Nga vepra: Skënderbeu Aleksandër Cutolo, Milano 1940.

Mësoi të fliste turqisht, arabisht, greqisht, sllavisht dhe italisht. Studioi artin e luftës me mësues të ditur dhe ekspertë. Çdo lojë armësh iu bë familjare, çdo kalë u bë i urtë nën urdhrat e tij. Në përdorimin e shpatës, harkut, heshtës, brenda një kohe të shkurtër nuk kishte askënd në oborrin e tij të barabartë. I riu Skënder ishte i padurueshëm, nuk i mjaftonte më të luftonte për lojë. Ëndërronte luftëra, beteja për t'i fituar. Nuk i rëndonte mendimi se megjithëse ishte lindur i krishterë dhe bërë mysliman, duhej të mbështeste gjysmëhënën edhe kundër të krishterëve. Gjergj Kastrioti kërkonte nga Sulltani luftën e vërtetë. Murati II ishte i kënaqur me kaq guxim, por me refuzime të përshtatshme e frenonte atë vrull të fuqishëm. Sulltani Murati II favorizonte Skënderbeun dhe nuk neglizhonte asnjë rast për t'i shfaqur mirësinë e tij.
Por nuk mundi ta frenonte për shumë kohë.
I pafuqishëm përballë një energjie të tillë, i bindur se mund ta shfrytëzonte për lavdinë e perandorisë, Murati II e emëroi pengun e tij si sanxhakbej (grada e parë ushtarake atëherë pas asaj të Pashait) dhe sapo u bë i rritur, e dërgoi të luftonte në Azi dhe Evropë, duke dalë i lavdishëm. Dukej çmenduri t'i besohej ushtria një të riu, por faktet përgënjeshtruan çdo parashikim të zymtë. Gjatë rrethimit të një fortese në Anadoll, njësoj si Aleksandri i Madh në Indi, u ngjit mbi mur duke ngritur flamurin dhe hyri i pari në qytet. Sulltani Murati II ia rriti gradën, duke i besuar komanda të ekspeditave më të rëndësishme. Brenda një kohe të shkurtër, mongolët u zhdukën nga turqit e Skënderbeut, i cili kthehej gjithmonë fitimtar, duke sjellë me vete robër dhe plaçka të panumërta lufte. Fama e tij rritej dita-ditës, ushtria e donte, shokët e merrnin për model. Nuk kishte ndërmarrje lufte me rëndësi të caktuar në të cilën të mos merrte pjesë Skënderbeu. Ai luftoi në Lindje kundër grekëve, kundër hungarezëve, brenda pak vitesh, emri i tij u bë i dashur për myslimanët dhe i tmerrshëm për armiqtë e tyre.
Në vitin 1439, Senati i Dubrovnikut në kontekstin e vendimeve e emëroi djemtë e Gjon Kastriotit si qytetarë nderi edhe pse të konvertuar në Islam, e gjithë kjo ishte e mundur falë ndërhyrjes së babait të tyre, i cili siguroi përkatësinë në krishtërim të fëmijëve të tij megjithëse ishin konvertuar në islam dhe që ata prisnin momentin e duhur për të ikur nga Adrianopoja dhe për t'u kthyer ndër njerëzit e tyre dhe në fenë e tyre.
Lindi një diskutim i gjallë. Nëse tre fëmijët e parë të Gjon Kastriotit e pranuan si një domosdoshmëri absolute konvertimin në Islam duke jetuar në Adrianopojë, mund të thuhej e njëjta gjë për Skënderbeun që kishte fituar famë si luftëtar i frikshëm duke shërbyer Islamin dhe kishte mbjellë terror dhe kishte derdhur lumenj gjaku edhe në shtetet e krishtera të Ballkanit?
Mund të konsiderohej ai një i krishterë i mirë që Murati II e konsideronte një nga oficerët e tij më të vlefshëm, një ndër interpretët më besnikë të mendimit të tij, një nga ekzekutorët më të gatshëm të urdhrave të tij?
Emri i Gjergj Kastriotit u fshi nga regjistri i qytetarëve nderi. Senati i Dubrovnikut e konsideroi princin shqiptar si ushtarin më të ashpër të Islamit.
Ndërkohë, ndërsa Gjon Kastrioti plakej, dy nga djemtë e tij vdiqën në rrethana të paqarta. Me shumë gjasa ata u helmuan për të eliminuar trashëgimtarët e sikletshëm të principatës së Matit. Një tjetër, i bërë murg, u tërhoq në malin Sinai dhe i katërti, që ishte konvertuar plotësisht në Islam, guxoi përsëri të rebelohej duke bërë një pakt me Gjergj Arianitën, por duke marrë një refuzim të prerë nga Adrianopoja ndaj kushteve të nderuara të paqes që ai propozoi, ai u pajtua me Arianitën dhe me udhëheqësit lokalë i nxiti ata kundër Islamit dhe dëboi garnizonet turke. Por lajmi i kryengritjes nuk e shqetësoi fare Muratin II, i cili i dha urdhër Ali Pashë Evrenosit të lëvizte me ushtrinë e tij dhe të nënshtrojë rebelët. Forcat e Pashës luftuan më kot kundër trupave të komanduara nga Arianita, të cilët mbrojtën pozicionin dhe me përparësi ekstreme i detyruan turqit të arratiseshin në mënyrë të çrregullt. Ali Pashë Evrenosi gjeti shpëtim përgjatë detit Jon, duke u mbështetur vetëm në pak burra.
Në Evropë, Gjergj Arianita u njoh si mbrojtësi i Krishterimit, por reagimi i Sulltanit ishte i shpejtë dhe shumë i pamëshirshëm. Qytetet u vunë nën zjarr dhe shpatë, banorët u masakruan. Evropa e kuptoi se fitoret e Gjergj Arianitës ishin episode të larta të vlerës individuale dhe se duheshin shumë më tepër për të mbajtur larg rrezikun e Islamit nga Evropa.
Njëra pas tjetrës, qytetet që ishin rebeluar u rimorën. Fortifikatat që dukeshin të pakalueshme u pushtuan nga turmat turke, fshatrat që ende mbanin të ndezur zjarrin e kryengritjes u shkatërruan. Terrori u përhap kudo, duke e bërë të kotë çdo ideal të pavarësisë.

Vizatim nga libri i M. Barletit

Gjon Kastrioti vdiq në vitin 1442, Murati II, duke mos respektuar marrëveshjet e arritura në vitin 1421, nuk i lejoi Skënderbeut të zinte vendin e të atit si trashëgimtar i drejtpërdrejtë. Në fakt, sapo mori vesh për vdekjen e Gjon Kastriotit, një ushtri turke e komanduar nga renegati Hasan Bej Vrana hyri në territorin shqiptar me urdhër të Sulltanit dhe e mori në zotërim, duke pushtuar veçanërisht Krujën, Lezhën dhe vendet që ishin nën dominimin e drejtpërdrejtë të Kastriotëve; kjo ndërmarrje u realizua me sukses të plotë sepse shqiptarët ishin të bindur se Skënderbeu, i vetmi i mbijetuar i Kastriotëve, kishte zënë zotërimet e të atit dhe pra nuk ishin të përgatitur për mbrojtje.
Për më tepër, ai e internoi në një cep të largët të Shqipërisë nënën e Gjergj Kastriotit, Voisava, dhe motrën e tij, Mamicën, duke marrë nga Sulltani një pjesë të vogël toke që mezi mjaftonte për të siguruar ekzistencën e tyre.
Edhe në këtë rast, Sulltani deshi të testonte besnikërinë e Skënderbeut dhe në të njëjtin moment që kishte siguri se trupat e tij kishin pushtuar Shqipërinë, ai i dha urdhër ushtarit të tij më të mirë ta vendoste atë në kushtet për të marrë atë që i takonte me të drejtë; por Skënderbeu, i informuar me kohë për ngjarjet e ndodhura, mundi të luante me dinakëri me Sulltanin dhe me veprime të dukshme të devotshmërisë së rreme dhe besnikërisë, por që dukeshin gjithsesi të sinqerta, refuzoi ofertën bujare duke deklaruar hapur se dëshira e tij e vetme dhe nderi më i lakmuar ishte që të shërbente Sulltanin, të cilit prosperitetit dhe fuqisë së tij do t'i kushtonte të gjitha forcat e tij, duke shpresuar që Sundimtari i tij do ta nderonte atë mes shërbëtorëve të tij më të përkushtuar, gjë që do ta kompensonte shumë më tepër se sa zotërimi i territoreve të trashëguara.
Cila ishte arsyeja reale përse Sulltani pengoi kthimin e Gjergj Kastriotit në Atdhe? A kishte frikë ndoshta se një herë që kthehej në vendin e tij, nënshtruesi i tij do të rifillonte luftën e nisur nga Gjergj Arianita pikërisht kundër tij?
Murati II nuk e kuptoi, edhe pse kishte një mentalitet të shquar dhe të zgjuar orientale, se dhënia e një feudi të shenjtë për Kastriotët në bazë të trashëgimive të vjetra do të ishte shkaku që do ta drejtonte në një drejtim krejt tjetër një luftëtar si trim Skënderbeu, i njohur për Islamin.
Kur erdhi lajmi se nëna e tij nuk kishte mbijetuar nga shtypja fizike dhe morale e pësuar nga renegati Hasan Bej, planifikuar nga Murati II, Gjergj Kastrioti priti me padurim momentin e përshtatshëm për t'u çliruar nga turku dhe për të jetuar më në fund jetën e tij të vërtetë.
Në atë moment të saktë u formua një lojë e hollë dinakërie midis Muratit II dhe pengut të tij. Njëri kishte frikë nga reagimet e mundshme të princit shqiptar dhe vëzhgonte çdo gjest të tij, e pyeste për të zbuluar mendimet e tij më të fshehta, tjetri ishte shumë i kujdesshëm për të fshehur ndjenjat e tij të vërteta, duke ditur mirë se çfarë fati do të kishte nëse Sulltani do të dyshonte për mërinë e tij. Lavdia e fituar në shumë beteja nuk do të shërbente për të shmangur një fund të tmerrshëm.
Ndërsa shumë princër shqiptarë, duke shërbyer myslimanëve, nuk e harruan kurrë Atdheun e tyre, komplotonin për rikthimin e lirisë dhe pavarësisë së tyre pa fshehur dëshirën dhe qëllimet e tyre, duke paguar shpesh me jetën e tyre, Gjergj Kastrioti fshehte me një qetësi të dukshme dhe përmes një devotshmërie të rreme një urrejtje të thellë që çdo ditë e më shumë rritej në zemrën e tij.
Ai e qetësonte dyshimin e Sulltanit duke pritur momentin e duhur për të realizuar planin e tij të mirëmenduar.
Në mendjen e të riut shqiptar gradualisht po formohej përmbushja e një plani madhështor për të çliruar Atdheun e tij nga sundimi mysliman dhe për ta bërë atë të pavarur.
Rasti i volitshëm iu paraqit në vitin 1443.



Bibliografia
Historia e Skënderbeut Marin Barleti. Tiranë 1968.
Shqipëria dhe Princi Skënderbeg F. Cuniberti Roux Frassati & Co Editori Torino 1898.
Historia e Skënderbeut Fan S. Noli (versioni i Francesco Argondizza) Romë 1924.
Skënderbeu Aleksandër Cutolo Milano 1940.




[1] Kjo kështjellë ndodhet në anën e djathtë të Drinit të Zi, në lindje të Dibrës së Epërme, mjaft larg nga lumi, por që dominon rrjedhën e tij në segmentin midis dy Dibrave.


[2] Une nouvelle historie de Scanderbeg – Remarque sur le livre de M. Gegay, in Revue historique du Sud-Est européen, an. XIV, n. 10, 12, Bukuresht 1937.

0 Comments