Nga Melville Chater

Për revistën National Geographic, Shkurt 1931.

Pjesa e katërt

Link pjesa e tretë

Tirana drejt perëndimit

Nga ajri i freskët i bregdetit të Durrësit iu kthyem të nxehtit kontinental të kryeqytetit për ta njohur më nga afër. Kishim vërtet ndër mend të mjaftoheshim thjesht me një vizitë disaorëshe, për tu larguar menjëherë më pas, meqenëse beteja e fundit për një krevat, i vetmi i lirë që gjetëm në hotel, na kishte lënë ende shijen e saj ironike. Sikur të mos ishte një qytetar amerikan, i cili na i hapi menjëherë dyert e shtëpisë së tij e bashkë me të edhe shijen e banjës së ngrohtë, krevateve të pastër e disqeve me muzikë të vjetër, gjëja e fundit që mund të na shkonte ndër mend se mund të gjenim në Shqipëri, me siguri do të ishim larguar të njëjtën ditë. Tirana është një anë e mirë e Shqipërisë me makinave luksoze, ku prirja drejt perëndimit, përpjekja për të qenë pjesë e tij, ndihet më shumë se kudo. E kjo bie në sy që në shtrirjen e përmasat e qytetit. Rrugë të gjera me ndriçim neonesh i bëjnë shoqëri sokakëve të pazarit të vjetër. Një radhë e pafund taksish të reja, autobuzë e fugonë të të gjitha markave, mbartin të gjithë llojet e pasagjerëve. Shoferë muslimanë me pantallona të gjera.

Pamje nga kryeqyteti i mbretërisë Tirana. Në fotografi dallohen shtyllat elektrike. Sot kjo pamje është sheshi Skënderbe afër Hotel Internacional Tirana.(foto, Melville Chater)

Pamje nga kryeqyteti i mbretërisë Tirana. Në fotografi dallohen shtyllat elektrike. Sot kjo pamje është sheshi Skënderbe afër Hotel Internacional Tirana.(foto, Melville Chater)

Së largu, tej gjithë kësaj turme që pi të gjitha llojet e pijeve e që diskuton për tregtinë, hoxha i vetëm i qytetit në majën e minares bën thirrje për orën e lutjes. Zëri i tij të kujton një kokrrizë rërë në shkretëtirë. Kjo mbretëri e vogël tregtarësh ende nuk ka arritur ekuilibrin e saj. Eksporti i saj i përbërë nga produktet e bulmetit, lëkurës, leshit, qymyrit e ziftit nuk i kalon të ardhurat prej 25.000 dollarësh në vit. Ndërkohë, vlera e importit, sheqer, pambuk, stofra leshi arrin pothuaj dyfishin e kësaj shume. Si mund të ekuilibrohet ky ndryshim kaq i madh? Malet janë kaq të pasura me metale, ar, hekur, qymyr, bakër, por ende ato nuk janë shfrytëzuar nga gjeologët. Të ardhurat e dërguar prej emigrantëve që jetojnë jashtë shtetit, kryesisht në Amerikë arrijnë mbi 300.000 dollarë në vit. Por ajo për të cilën ky vend ka nevojë është industria e rëndë, fabrikat. Me trishtim nga goja e shumë njerëzve do të mund të dëgjosh shprehjen: “Këtu nuk ka punë! Isha nja pesë vjet në Amerikë. Makar të kisha mundësinë e të kthehesha sërish atje”.

Brezi i ri shqiptar kërkon të arsimohet

Këto ishin disa nga problemet më urgjente të këtij shteti të ri, pavarësia e të cilit u shpall më 12 nëntor të 1912, humbi përkohësisht gjatë luftës së Parë Botërore për tu njohur sërish në 1920. Në 1928 republika u shpall mbretëri. Një gjë është e sigurt: qeveria mbështet dëshirën e rinisë për tu arsimuar. Funksionojnë 600 shkolla fillore e shkolla nate, pa përmendur shkollat teknike, të cilat janë themeluar e përbëhen nga personel mësuesish amerikanë.

Nxënësit e shkollave me uniforma kuq-zi. (foto, Luigi Pellerano)

Nxënësit e shkollave me uniforma kuq-zi. (foto, Luigi Pellerano)

Nevoja për arsimim duket qartë. Kur një nëpunës i shtetit të jep mbrapsht një dokument të cilin megjithëse të shtypur në gjuhën e tij, nuk di ta lexojë, nuk ke të drejtë të ankohesh tek askush e nuk ka si të mos bëjë përshtypje. Gjatë udhëtimit tonë të fundit nga Tirana për në Shkodër, përshtypje të veçantë na la Kruja, me kështjellën e saj, pazarin e mbuluar e kodrat nga ku zbrisnin vazhdimisht fshatarë me thasët në sup, të cilët pasi udhëtojnë gjithë natën, mbërrijnë në mëngjes në kohë për të sjellë në pazar prodhimet e tyre. Janë gegë kristianë, gratë nuk i kanë mbuluar fytyrat e tyre e nuk u bëri përshtypje prania e të huajve. Përkundrazi fotografi ynë do të donte të kishte mbi krye një perçe, që të mund t’u fshihej vështrimeve të tyre kurioze. Disa gjuhëtarë duan të na bindin se emërtimi “gegë” rrjedh nga greqishtja “gjigas”- gjigand. Na u duk logjik ky shpjegim kur pamë ata trima shtatgjatë e me dyfeqet e varur mbi supe. Mbanin veshur pantallona të gjatë e të gjera, këmisha të bardha, sandale prej lëkure të papunuar e qeleshe të bardha. Diku-diku shihje edhe “xhokën e zezë të Skënderbeut”, të cilën e veshin për nder të trimit legjendar e udhëheqësit të shqiptarëve në luftën shumëshekullore kundër turqve.

Garda e mbretërisë në Tiranë me veshje kuq-zi.(foto, Luigi Pellerano)

Garda e mbretërisë në Tiranë me veshje kuq-zi.(foto, Luigi Pellerano)

Skënderbeu “dragoi i Shqipërisë”

Rrënojat e kalasë së Krujës janë përmendorja më e gjallë e Gjergj Kastriotit, princ i shqiptarëve, i njohur nga turqit me emrin Skënderbej. Në fillime të shek.XV, ai dhe tre vëllezërit e tij ishin pengjet e sulltanit në Stamboll. Gjergji, i cili asokohe nuk ishte veçse një fëmijë u rrit në sarajet e sulltanit e u quajt Iskander bej, u vu në krye të një reparti kalorësie e u bë një nga ushtarakët më të zotë të ushtrisë turke. Por, siç do ta vërtetonte më vono historia në zemër vazhdoi të mbetej gjithnjë shqiptar. Rreth tridhjetë vjet më vonë, kur turqit u mundën prej hungarezëve, Skënderbeu hyri papritur në Krujë, përzuri garnizonin turk e u vu në krye të qytetit. Brenda 24 vjetësh organizoi më se 13 fushata, duke dalë fitimtar ndaj ushtrive turke që jo pak herë përbëheshin prej më se 200.000 ushtarësh, të armatosur deri edhe me topa e katapulta që mbanin një ngarkesë eksplozivi mbi 600 kg. Kur vdiq, në moshën 64-vjeçare la pas një famë e cila edhe sot askush nuk është zbehur sadopak. Kujtimi i tij është përjetësuar jo vetëm në libra por edhe në balada, këngë e anekdota popullore, të cilat sjellin pjesë nga jeta e heroit, mençurinë e mendjes krahas forcës së krahut të tij. Jeta e vepra e tij u përshkruan në librin e Longfellout “Jeta e bëmat e Skënderbeut”, ndërkohë që pamja e një tjetër luftëtari shqiptar Ali Pashait, rrezaton në faqet e “Çajld Haroldit” të Bajronit, ku poeti i vuri vetes qëllim të ndriçojë të vërtetën: Ali Pashai nuk iu dorëzua kurrë sulltanit në një çast dëshpërimi! E megjithëse koka e tij u var para mureve të pallatit të sulltanit, bëmat e tij mbetën të paharruara në histori.

Link pjesa e peste

Link versioni italisht: Albania, il regno più giovane d’Europa (4)


0 Comments