domenica 4 marzo 2012

Shqipëria, Mbretëria më e re e Evropës (3)

Nga Melville Chater

Për revistën National Geographic, Shkurt 1931.

Pjesa e tretë

Link pjesa e dytë

Uji është i çmuar në Shqipëri

Dy ditë më vonë arritëm në Berat e Elbasan, malet shtriheshin më larg, duke krijuar një rrethore pambarim të pasur me gjelbërim në brigje. Lugina zgjerohej e përshkuar nga dy lumenj të vegjël- një pamje e gjallëruar e freskuese. Uji në Shqipëri është shumë i çmuar, sepse vendi ka vetëm dy lumenj të mëdhenj që sjellin ujin e pijshëm dhe ata në stinë të thata kanë më pak prurje, përveçse në pak degë. Ujëvara zbresin të vrullshme nga malet në dimër, e gjysmë të thara në verë: ky është problemi i ujit në një vend ku ndërtimi i liqeneve artificiale do të ishte bekim i Zotit.

Ura me shumë harqe mbi lumin Osum, Berat.(foto, Franz Bespaletz)

Ura me shumë harqe mbi lumin Osum, Berat.(foto, Franz Bespaletz).

Sapo kishim kaluar një lumë dhe po vazhdonim udhëtimin tonë, kur një djalë i ri u shfaq papritur përpara nesh dhe na bëri me shenjë që të ndalonim. Pa asnjë lloj mirësjelljeje e edukate na kërkoi që ta çonim deri në Berat, rreth katër orë larg. “Përse?”- e pyetëm, duke e ditur që ai mund të shkonte falas me çfarëdo qerreje që mundet të kalonte aty pranë. “Është diçka urgjente?” “Përse?!- na u përgjigj me mendjemadhësi- Sepse jam djalë beu, ja përse!”... Nik Karteri i tha diçka dhe shkeli gazin. Më vonë na shpjegoi duke qeshur: “I thashë atij të mençurit se juve jeni djali i presidentit të SHBA!” Ky ishte edhe kontakti ynë i parë me një shoqëri primitive, por edhe të fuqishme të feudalëve, shoqëri që kishte mbijetuar për shekuj me radhë në Shqipëri. Sipas politikës së ndjekur në Shqipëri, Porta e Lartë u jepte poste disa feudalëve vendas, duke i bërë bej e pasha, u dhuronte toka që trashëgonin nga brezi në brez, si shpërblim i detyrave ushtarake të tyre në shërbim të perandorisë osmane. Rendi feudal në Shqipëri, ashtu si edhe në mjaft shtete të tjera ballkanike, u shpërbë me vështirësi. Berati, i ndërtuar mbi faqen e malit e kodrinat përreth, nën borën e pashkrirë të malit Tomorr, dhe Elbasani janë nga ato qytete në të cilat ndër të parat gjëra që të zë syri janë majat e minareve që shpojnë qiellin e jo oxhaqet e fabrikave. Pothuajse e tërë popullsia merret me bujqësi, çdo familje merret me pastrimin e lëkurëve, përpunimin e leshit e tjerrjen e tij. Do të ishte një fakt shumë domethënës e i rëndësishëm sikur të ngrihej në qendër të qytetit një përkujtimore për nder të Dhaskal Todrit nga Elbasani. Përpjekjet e para për shkrimin e gjuhës shqipe i detyrohen punës e këmbënguljes së disa murgjve e priftërinjve, të cilët u përpoqën që të kthenin në shqip ungjillin e pikërisht në gjuhën e folur. Përpjekja e tyre nuk pati aq rezultat sa ajo e Dhaskal Todrit, me mendje shumë të ndritur e që nuk tërhiqej kollaj nga qëllimi që i kishte vënë vetes. Kur dëgjoi për një shpikje të çuditshme që të tjerët ia vishnin Zotit dhe të tjerët Djallit, shkoi në Venecia që të hetonte mbi këto zëra. Kur u kthye, të vetmet bagazhe të tij ishin disa arka me ...ç’ishte ai thesar që Todri e ruante me aq fanatizëm si të ishte drita e syve të tij? “Ar!”-pëshpëritnin nën zë shoqëruesit e mushkave që e mbartnin. E kështu vranë Teodorin, që të vinin dorë mbi “thesarin” e tij. Tek i hapnin panë me çudi mijëra copëza prej një metali të formave të çuditshme. Duhej të ishin ndonjë vegël e Djallit ato forma të vockla të ngulura mbi mbërthecka gozhde! Marrëveshje me Djallin! Të tmerruar karvanarët u larguan duke e lënë mësuesin të vrarë mbi germat e tij tipografike. Kështu tipografia erdhi në Shqipëri.

Një lumë ndan dy popujt e Shqipërisë në Gegë e Toskë

Që të mbërrinim nga Elbasani në Durrës na u desh të ndiqnim rrjedhën e lumit Shkumbin, lumi që i ndan shqiptarët, gegët në veri e toskët në jug.

Rrugë në bregdetin e Vlorës

Rrugë në bregdetin e Vlorës

Straboni kishte shkruar se ilirët e epirotët banojnë në veri e jug të rrjedhës së Shkumbinit. Në zonat më të thella është i dukshëm ndryshimi në dialektin e banorëve, por edhe në veçoritë karakteristike të tyre. Ndryshimet nuk bazohen në ndonjë konflikt mes tyre por thjesht i detyrohen shtrirjes gjeografike e relievit, i cili luan një rol të rëndësishëm në mënyrën e tyre të jetesës. Ky kufi, sipas Strabonit, ishte rruga Egnatia. Kjo rrugë e lashtë e ndërruar prej romakëve në drejtimin e tyre për në Azinë e vogël, ishte edhe ajo që ndoqëm me makinën tonë për të vajtur nga Elbasani në Durrësin bregdetar. Shumë ilirë tek shihnin të kalonte para syve të tyre madhështia e legjioneve romake vendosën të marrin pjesë në fushatat e Romës, duke u bërë një forcë e konsiderueshme e rojeve pretoriane. Njëri prej tyre me emrin Dioklitian nuk do të mund ta imagjinonte kurrë se një ditë do të ishte ai që do të hidhte mbi krahë petkun e dafinat perandorake. Një tjetër, i cili tek i shihte legjionet të kalonin e thërriste me entuziazëm: “Ja ku janë, po vijnë!” ishte ai që do të dëshironte me aq zjarr të bëhej një luftëtar i madh, Konstandini i mbiquajtur “i Madh” pranë qytetit të vogël Nish. Mure çiklopësh janë zbuluar pranë Gjirokastrës, gërmadha skulpturash greke në Himarë, Apolloni e Sarandë. Por miti i perandorisë romake, në kohën kur senatorët e perandorit Tiber, vinin të pushonin e të vizitonin Durrësin, për ta përshkruar më pas në kujtimet e letrat e tyre si “ rrethinat e reja ilire”, vazhdon të mbetet ende nëntokë, i fshehur thellë nën rrënojat e rrugës Egnatia, duke nxjerrë hera-herës krye, si për të na magjepsur me mrekullitë e tij ende të pazbuluara.

Punëtorët në portin e Vlorës. (Alice Schalek)

Punëtorët në portin e Vlorës. (Alice Schalek)

Kostumet e artizanëve udhëtojnë shpejtë

Duke shkuar për në Durrës u ndalëm për të ngrënë poshtë një fiku ku qëndronte një plak me mjekër të bardhë, por kishte shumë pluhur dhe kështu ngarkuam sërisht gjithçka dhe u nisëm në kërkim të një vendi më të mirë për të pushuar. Duke ikur vura re se plaku që deri atë kohë mërmëriste nëpër dhëmbë e ndaloi lutjen e tij dhe na vështroi i çuditur. Në një vend me pazare e turma të mëdha të rejat udhëtojnë shpejt nga goja në gojë. Mëngjesin e ardhshëm në Durrës dëgjuam tregimin e plakut për ne: “Isha shtrirë more vëlla, isha rehatuar, nën një fik të madh, pesë orë rrugë larg qytetit. Kur vjen një makinë me targa amerikane. Zbritën disa udhëtarë, nxorën vezë, djathë, mishra të ftohtë, sardele, pjepra e ç’nuk nxorën. Meqë ishte ora e lutjes, u hoqa mënjanë dhe nisa të lutem. Betohem për këtë gur se nuk kaluan as tre minuta para se ta kuptoj, pas pëshpërimave të mia që udhëtarët i kishin kullufitur të gjitha dhe u larguan. Kaq pak orë qenka mor vëlla e ngrëna e amerikanëve, që e quajnë “Fast Food”?

Link pjesa e katert

Link versioni italisht: Albania, il regno più giovane d’Europa (3)


Nessun commento:

Posta un commento