Nga Melville Chater

Për revistën National Geographic, Shkurt 1931.

Pjesa e dytë

Link pjesa e parë

Bijtë e shqiponjës

Ndërsa lidhnim dua të them, ndërsa shuanim motorin e makinës një shqiponjë gjigante u duk në qiellin e kaltër që ishte edhe mbretëria e saj. Ky zog mbretëror na bëri që ta ndiejmë me të vërtetë se gjendeshim në Skipërinë (Shqipërinë) antike, në Vendin e Bijve të Shqiponjës. Në qoftë se ndonjë udhëtar i antikitetit grek ose romak do të thërriste: “Ah, kjo qenka, pra Albania?!”, shqiptarët nuk do ta kuptonin se për çfarë vendi e kishte fjalën. Përpara nëntë shekujsh ndonjë i huaj, i cili e konsideronte si të pakuptimtë emërtimin “Shqipëri”, do ta shtrinte “Alp” ose “Alb” në Albania për të përshkruar me anë të këtij emri vendin me malet e larta e të mbuluara me dëborë.

Prejardhja e emrit Shqiptar humbet në legjendat e fiseve malore ballkanike. Pasi fjala “shkep” nënkupton shkëmb, dhe emërtimi shqiptarë ndoshta mundet të nënkuptojë “banorë të shkëmbinjve”. Por Plutarku jep një shpjegim tjetër më interesant. Biografi antik grek na rrëfen se, kur mbreti i Epirit, Pirroja u krahasua nga ushtarët e tij me një shqiponjë, në mënyrë të sjellshme u përgjigj se armët e tyre i jepnin krahë. Ashtu si epiriotët që pranuan modestinë e mbretit Pirro, edhe albanët morën emrin shqiptarë, bijtë e shqiponjës. Shqiptarët e sotëm do t’ju thonë se janë fisi më i vjetër në Evropën juglindore. Me të vërtetë, gjuha e tyre dhe zakonet e tyre dëshmojnë për një origjinë të lashtë. Janë ndoshta pasardhës të Ilirëve, të cilët e kishin prejardhjen prej Pellazgëve. Derisa arkeologjia të hedhë më shumë dritë në gjuhën shqipe, mendimet e filologëve do të jenë të ndryshme. Nga këta një pjesë e madhe beson se një e treta e gjuhës shqipe ka prejardhje pellazge. Të tjerë besojnë se gjuha shqipe e ka prejardhjen nga ilirishtja dhe se nuk ka asnjë lidhje me gjuhën greke. Një pjesë tjetër e gjuhëtarëve beson se shqipja është gjuha më e vjetër në Evropë, nëna e greqishtes dhe e latinishtes. Platoni dhe Herodoti, përmendin në veprat e tyre se grekët e lashtë i morën perënditë e tyre prej pellazgëve. Sipas disa shkencëtarëve kjo teori mbështetet prej faktit se shumë emra të perëndive antike, si p.sh. Zeus, Nemesis dhe Rea mundet të shpjegohen ose të kenë prejardhjen prej fjalëve “ZË”, “NËMË” dhe “RE” e gjuhës së shqiptarëve. Shqiptarët mundet që ta kenë me të vërtetë prejardhjen prej ilirëve. Si një pemë e madhe, ajo mbretëri e lashtë e shtriu hapësirën e saj në Epir, në Maqedoninë veriperëndimore dhe në një pjesë të madhe të Jugosllavisë së sotme. Gradualisht nga shkëlqimi kaloi në rënie, në venitje, pas ekspeditave të Filipit të Maqedonisë dhe djalit të tij të famshëm Aleksandrit të Madh. Më vonë dhe pasi romakët shkatërruan Kartagjenën e shtrinë interesin e tyre tutje Adriatikut, Iliria u nda në tre perandori. Pas shpërbërjes së perandorisë, Iliria kaloi në duart e Gotëve dhe më pas në ato të Bullgarëve. U ndrydh edhe më tepër fiset ilire, epirote dhe maqedone u grumbulluan në truallin që sot quhet Shqipëri. E vetmja që mbeti prej lisit ilir ishte bërthama shqiptare. Pasi kaluam Përmetin, Kërcyrën, Tepelenën dhe kështjellën e shkatërruar që ka mbetur nga kujtimi i të ashprit Ali Pashës, në perëndim arritëm në Gjirokastër...

Një burrë me veshje tradicionale të Gjirokastrës. ( foto, Luigi Pellerano)

Një burrë me veshje tradicionale të Gjirokastrës. ( foto, Luigi Pellerano)

Udhëtarët flenë ku e si të munden

Në hanet shqiptare kushtet janë pothuajse primitive. Udhëtarët zakonisht mundohen që t’u shmangen dhe flenë kudo që të munden, në qoftë se munden. Në Gjirokastër gjetëm një teqe të ngritur mbi një qafë dhe të mbushur me qiparisa, ku provuam e shijuam mikpritjen tradicionale të dervishëve bektashinj. Për shkak të shekujve të shumtë të sundimit turk, Shqipëria jugore dhe ajo qendrore janë kryesisht myslimane. Priftërinjtë kristianë, ortodoksë e katolikë nuk predikonin në gjuhën shqipe, gjë që bënte që populli të mos kuptonte edhe fort mirë dogmën kristiane dhe të quhej kristian, thjesht sa për të thënë.

Një çift me veshje tradicionale. (foto, Luigi Pellerano)

Një çift me veshje tradicionale. (foto, Luigi Pellerano)

Në të kundërt, shqiptarët e përqafuan lehtësisht fenë muhamedane, e cila u siguronte edhe një mbrojtje e siguri politike. Përfundimi ishte që dy të tretat e 833.000 banorëve të Shqipërisë të ishin myslimanë, ndërsa të tjerët të ishin të besimit ortodoks e katolik. Pritja e dervishëve bektashinj dhe e kryetarit të tyre ishte e paharruar. Në një dhomë të ftohtë e të mënjanuar dhe pa asnjë mobilie baba Sulejmani me mjekrën e gjatë, me sytë që i shkëlqenin, me fustanellën e bardhë dhe jelekun e jeshiltë qëndronte i ulur këmbëkryq mbi qilima të trashë e të rëndë, duke mbajtur në njërën dorë tespihet dhe në tjetrën Kuraninishte mishërimi i mirësjelljes. U përshëndetëm, përgëzuam njëri-tjetrin, pimë kafe të fortë turke. Një shërbëtor gungaç me një hundë tepër të madhe, sikur të kishte dalë nga përrallat e “Një mijë e një netëve” afrohej duke bërë temenara e duke u përkulur sa herë që Baba Sulejmani thoshte: “Vëllai im!”. Biseduam për shumë orë për tolerancën fetare dhe për të vërtetat që janë të përbashkëta në të gjitha dogmat fetare. Ai na solli si shembull një shprehje të lashtë: “Ajo që i ndan fetë e botës është vetëm fakti që njeriu beson se njeh. Dhe ajo që e bën njerëzimin një është ajo që ende nuk është gjetur, ajo që ende të gjithë kërkojmë!” Pasoi darka në një disk të madh prej bakri, rreth të cilit u ulëm të gjithë këmbëkryq sipër një qilimi. Shërbëtori i “Një mijë e një netëve” na çoi më pas nën dritën e një qiriri në dy dhoma që kishin përgatitur enkas për ne. Qoftë myslimanë, qoftë kristianë të ishin mysafirët dhe bujtësit e paparashikuar të natës, dhoma ishte e rehatshme. Katër ëngjujt që ishin mbi kokën e krevatit na dhuruan një gjumë të ëmbël e të rehatshëm në qetësinë e mrekullueshme të teqesë.

Mëngjesin e ardhshëm zbuluam se nuk u detyroheshim gjë prej gjëje dervishëve, asnjë kacidhe për mikpritjen e tyre, darkën dhe fjetjen. Mikpritja dhe toleranca janë dy nga kodet themelore të dogmës së bektashinjve. “Është e keqe të jetë ndokush i plotë, kur të tjerët janë bosh”,-thotë njëra nga vlerat e tyre. Dhe një tjetër thotë: “Është e keqe që të krenohet ndokush për urtësinë e tij, kur mohon urtësinë e të tjerëve!Baba Sulejmani na dha uratën e tij. Pastaj e lamë që të mendohej mbi çështjet e fesë me vështrimin e drejtuar mbi malet. Një varg i Biblës na erdhi ndër mend. Psalmi hebre dhe dervishi mysliman dallojnë shumë ndërmjet tyre nga ajo ç’ka kërkojnë? Atë ditë kaluam plantacione të mëdha me ullinj, duke shkuar drejt detit. Pak përpara se të arrinim në Sarandë takuam

një kasolle të mbushur me gjethe, të ngritur mbi trungje të vegjël me lartësinë 4,5 metra. Hipëm në shkallën e saj, duke befasuar banorin e vetëm të saj. Puna e tij, siç na shpjegoi ai me një anglishte të dialektit të Maçausetit, të mësuar kur punonte aje në një fabrikë këpucësh, ishte që të vëzhgonte plantacionet e ullinjve nga kjo “fole ajrore”!

Burra me veshje tradicionale. ( foto, Luigi Pellerano)

Burra me veshje tradicionale. ( foto, Luigi Pellerano)

Gjashtë vjet burg për vrasje

Pastaj filloi të na tregonte sekretet e jetës së tij duke na thënë se kjo punë ishte një vendstrehim i sigurt për dikë që sapo kishte dalë nga burgu. “E shikoni,- na tha- Bëra gjashtë vjet burg vetëm se u solla keq ndaj një burri!” “Gjashtë vjet se veprove pa u menduar!?- e pyetëm ne. “Po,- na u përgjigj- Sepse veprova pa u menduar dhe nxora thikën. Dhe tani që jam jashtë vëllai i vejushës së atij burrit që vrava do që të hakmerret ndaj meje!” Përgjatë brigjeve të detit Adriatik, midis porteve të Sarandës e Vlorës, ndoqëm një rrugë të vështirë nga pikëpamja gjeografike për në veri. Rruga ngrihej mbi shkëmbinj të thepisur për më se 150 km, ullishta e pisha të pafund, një pamje e mrekullueshme e parë nga aeroplani. Një moment më pas u gjendëm në një liman të vogël krejt të virgjër e të mrekullueshëm, ku dora e njeriut nuk kishte mbërritur ende. Më pas ndalëm për të drekuar në buzë të rrugës, buzë ullinjve e një fshati të vogël me çati të kuqe që flinte nën diellin e paqtë të mesditës së qershorit. Më në fund ja dhe perëndimi i diellit që aq shumë e kishim pritur: njerëzia që mblidhej pranë burimeve për tu freskuar, çasti i mbushjes së shtambave me ujin e ftohtë,

ecja çapkëne e grave me to mbi sup, që ktheheshin në fshat me hapa të ngadaltë e duke i folur njëra-tjetrës. U ngjitëm në shpatet e pjerrëta të vargmalit që derdhej mbi det të Himarës e arritëm në anën e tij, mali Çika me emrin e vjetër pritësi i rrufeve. Makina jonë lëvizte në zbritje në kthesat e pafundme të rrezikshme të rrugës së ndërtuar në kohën e luftës. Që nga maja pa kuptuar mbështilleshim nga aroma e pishave e më pas vazhduam nëpër rrugën bregdetare që na udhëhiqte për në Vlorë.

Link pjesa e tretë

Link versioni italisht: Albania, il regno più giovane d’Europa (2)

0 Comments