Nga Melville Chater

Për revistën National Geographic, Shkurt 1931.

Pjesa e pestë

Link pjesa e katërt

Mishi i derrit ndan Gegët kristianë nga Toskët muhamedanë

Ishim larguar shumë nga Kruja, kur prezenca e një derri, i cili vërdallisej në mes të rrugës na tregoi se kishim kaluar “zonën e derrit”, i cili nga pikëpamja gastronomike, ndan gegët kristianë nga toskët muhamedanë. Ishte e qartë se kishim hyrë në zonën e fiseve veriore, ku zënë prita dhe besojnë në gjakmarrjen, sepse kalimtarët që takonim ishin të armatosur gjer në dhëmbë dhe ecnin dy nga dy, ndërsa muret prej guri të shtëpive ishin të mbushura me luftëtarë. Ishte dita e pazarit. Çfarë pamje. Në asnjë vend të Evropës nuk ndesh në një pamje kaq shumëngjyrëshe kostumesh të malësorëve. Që të mundet t’i përjetësojë në fotografi ndonjë fotograf duhet që të paktën të ketë katër duart e dy koka. Këtu ndeshet ndokush me turmat e burrave të veshur me pantallona, ndërsa qeleshja e bardhë dhe jeleku i zi i Skënderbeut zëvendësohet me qylafë të bardhë. Gratë e zonës veshin korse me rripa metalikë, ose me një kordon të lidhur rreth trupit, që nga gjoksi e deri në brez.

Vajza në ditën e martesës e stolisur me ar. (foto L.F.Hurlong)

Vajza në ditën e martesës e stolisur me ar. (foto: L.F.Hurlong)

Për të kuptuar ndokush vlerën e një veshjeje të tillë mjafton të shohë se si gratë ngarkojnë në shpinë thasët me miell, ose fuçitë e ujit. Asnjë cirk i madh nuk mundet të krahasohet me pazarin e Shkodrës. Ku përfundojnë rrotat e makinave? Pyesni gungaçin që përgatit sholla llastiku për sandalet e malësorëve. Dhe si u ndërtua ajo fuçia për djathin? Nuk është veçse një trung peme që malësori e gërryente ngadalë, ngadalë për rreth një muaj të tërë që në fund ta shiste për 1.5 dollarë. Dhe për çfarë bisedojnë me kaq pasion të gjitha ato grupe njerëzish që janë grumbulluar poshtë pemëve ose në pijetore të çuditshme që shërbejnë pije të ftohta frutash, të ftohura në dëborën e maleve. Pazari i Shkodrës është një shans që të grumbullohen përfaqësuesit e fiseve, një ngjarje e rëndësishme sociale për të cilën malësorët që nga malet e Malësisë së Madhe.

Me kuaj në vendin e malit të madh

Dhe së fundi, çfarë të thotë ndokush për atë vajzën e këndshme që qëndron në buzë të pusit, e veshur me një veshje të mrekullueshme, jelek të artë dhe një gjerdan me monedhë floriri? Nuk ka nevojë që të themi se çfarë po reklamon. Ato që ajo ka veshur kanë për qëllim që të afrojnë një djalosh të ri, nga një fis tjetër që ka marrëdhënie miqësore me fisin e saj. Vizita jonë në pazarin e Shkodrës na nxiti kureshtjen që të shikonim malësorët shqiptarë në vendbanimet e tyre. Kështu që lamë makinën, morëm kuaj me qira dhe morëm me vete një drejtues dhe një përkthyes. Pastaj filluam udhëtimin nëpër një zonë tepër të egër e të rrezikshme, e cila rrallë ka mysafir, në Malësinë e Madhe, ose e përkthyer në vendin e malit të madh. Në fshatin Shkrel filluam të ngjitemi ngadalë në një të përpjetë mali, i cili ngrihej larg në horizont. Gjashtë orë më vonë arritëm në kishën e Bogës, ku qindra njerëz, burra e gra ndiqnin shërbimet fetare. Shumë pushkë ishin lënë jashtë kishës. Kur mbaroi shërbesa fetare, besimtarët, të cilët ishin të fiseve të Kastratit dhe të Kelmendit, u lëshuan nëpër rrugët e fshatit. Nga ndryshimet në veshjet e tyre, vendasit dallohen se cilës zonë apo fis i përkasin. Të gjithë shqiptarët dallohen njëri nga tjetri nga veshja. Veshjet e Bogës ishin kilota të bardha ose të zeza me feste për burrat, ndërsa gratë kishin fustane të çuditshme, të cilat valëviteshin kur ato e vinin. Një burrë i rëndë iu afrua shoferit dhe përkthyesit tonë, të cilët ishin nga fshatrat e Hotit dhe të Dukagjinit dhe i përshëndeti duke cikur faqet e tij me të tyret. Na shpjegoi se ishte bajraktari i zonës dhe që nga ai moment ne gjendeshim nën mbrojtjen e plotë të tij. Sot, sikundër këtu e shumë vjet, çdo fis shqiptar grumbullohet në shtëpinë e një pjesëtari të fisit, i cili komandon kryetarët e familjeve të tjera të afërta. Ai quhet bajraktari, d.m.th mbajtësi i bajrakut, flamurit.

Një Bajraktar i veriut me veshje tradicionale. (foto, Luigi Pellerano)

Një Bajraktar i veriut me veshje tradicionale. (foto: Luigi Pellerano)

Ende edhe sot fiset shqiptare vazhdojnë që të ruajnë ligjin për mikpritjen, sepse tashmë ai është një ligj i prerë dhe jo më forcë zakoni, apo zakon i thjeshtë i trashëguar. Këtij ligji i gjithë fisi apo fshati është i detyruar ti bindet në mënyrë të verbër. P.sh, në rast se do të na kishin vrarë në ndonjë pritë në zonën e bajraktarit, çështja do të merrte përmasat e një gjakmarrjeje ndërmjet atij dhe vrasësve tanë. Për këtë arsye, çdo fis, apo fshat merr përsipër mbrojtjen e të huajve që qëllon të kalojë në zonën e tyre. Megjithëse u thamë se nuk kishim frikë nga pritat, bajraktari, pasi bisedoi me Gjergjin dhe Pjetrin, vendosi që të na shoqëronin një grup burrash të armatosur gjer në dhëmbë. Gjergji ishte përkthyesi ynë, e pagëzuam ne kështu pasi emrin e vërtetë e kishte Ndue, që ne nuk e shqiptonim dot. Pjetri kishte emrin e tij të vërtetë. Pjetri kishte qenë përpara disa vjetësh në qytetin malor të Kentakit. Ai na fliste gjithmonë për ato kohë aq të mira, kur ai kishte arritur të grumbullonte 5.000 dollarë, duke punuar në një restorant, deri sa i kishte humbur të gjitha. Çastet më të lumtura të udhëtimit tonë ishin kur për shaka ai thërriste në ndonjë majë mali: “Një hamburger! Dy vezë. Dhe një kafe!“ Pjetër,- e pyesnim ne A ka me të vërtetë vjedhës në këto anë? Shumë hajdutë ka, e marrtë dreqi, na thoshte me siguri të plotë. Mos ka edhe përgjues? Kur i shpjeguam se çfarë ishin përgjuesit ai qeshi e na qetësoi. Përgjues nuk ka në Malësinë e Madhe! U vërtetua krejtësisht e kundërta. Çdo mbrëmje na sulmonin, por jo hajdutët...

Burra me armë në mal gjatë udhëtimit. (foto, Melville Chater)

Burra me armë në mal gjatë udhëtimit. (foto: Melville Chater)

Thirrja është “telefoni” i malësorëve

Përpara se të zbardhte e lamë Bogën të shoqëruar nga një roje prej tetë burrash të armatosur . Ishin të gjithë të bukur, të gjatë e të fuqishëm, që kishin hyrë në çetën që ruante fshatin në kuadrin e një politike qeveritare e cila përpiqej që të godiste të jashtëligjshmit, duke u ofruar punë. Gjysma e tyre ecte përpara, duke hetuar udhën e ashpër nga do të kalonim. Herë pas here ata që kishin ngelur me ne lëshonin nga një klithmë, britmë, së cilës i përgjigjeshin disa të tjerë që ishin të fshehur në pyllin përreth e në mal. Kjo britmë, majekrahu, është telefoni i malësorëve, transmetohet aq mirë nga maja e malit në majën e malit tjetër, saqë të rejat lokale mësohen brenda pak orësh, në një zonë, të cilën neve na u desh mbi një javë që ta kalonim. Lilashi, njëri nga rojet tona, na shpjegoi se britma, majekrahu, ishte gjithmonë motiv. “Çfarë bën?” p.sh nënkupton “Ka mbërritur një i huaj”. Ai shtoi se britma e malësorit, theksi i valëzuar në qoftë se edhe jo fjalët dallohet në një distancë prej pesë kilometrash. Gjatë rrugës sonë na ndiqnin edhe udhëtarë të tjerë, kristianë dhe myslimanë, derisa shoqëria jonë u shtua me nja dhjetë kuaj, por edhe po kaq roje të armatosur. Një kalorës kishte një tatuazh në dorën e djathtë, një zakon që e kishte përmendur edhe Herodoti kur fliste për Ilirët e lashtë. Pjetri më tregoi atë që kishte tatuazhin dhe më tha: “Është grua-burrë. Nuk do të martohet kurrë.” Pas kësaj gjëje mësuam për një zakon të vjetër e të lashtë të Malësisë së Madhe, i cili mundet të datonte që nga epoka e Amazonave. Malësorët e kishin për zakon që t’i fejonin fëmijët e tyre që në djep, duke ofruar një shumë të hollash si paradhënie për nusen. Ata e vlerësojnë si shumë të rëndësishme praninë e një trashëgimtari djalë, që ende edhe në shekullin e XVIII-të, bashkëjetesa nuk përfundonte në martesë në rast se gruaja nuk lindte djalë. Në rast se kur rritet vajza e fejuar e shkel fjalën e dhënë prej prindërve dhe nuk martohet, duhet që të largohet që atë kohë nga burri i saj i ardhshëm duke dhënë fjalën se nuk do të martohet kurrë dhe do të ngelet e virgjër për gjithë jetën. Në vijim mundet të bëhet “burrë”, të mbajë armë dhe të veshë rroba burrash. Gjithashtu, në rast se nuk ka vëllezër, trashëgon arat nga babai i saj, të cilat pas vdekjes së saj i kalojnë në trashëgim ndonjë të afërmi të saj, gjithmonë mashkull. Pas shtatë orësh mbërritëm në kufijtë e zonës që kontrollonte bajraktari që na kishte marrë në mbrojtje. Pasi na përshëndetën shumë herë me mënyrën e tyre tradicionale, u larguan pa na kërkuar as shpërblimin më të vogël, duke qenë se kishin plotësuar detyrimin e tyre ndaj bajraktarit të tyre, d.m.th që na kishin mbrojtur nga përgjegjësia e gjakut. Duke ecur në këmbë vazhduam të zbrisnim në udhën e thepisur që na çonte në livadhin e blertë të Shalës. Tashmë gjendeshim në zonën e Dukagjinit, njerëz prej shtatë fiseve kryesore të malësorëve. Pjetri, që ishte nga Dukagjini, lëshoi një klithmë të mprehtë e të ashpër për të lajmëruar të tijët se sapo kishim mbërritur. Pastaj shkuam në një shtëpi me mure të trash, me frëngji të mbushura me luftëtarë, ku na ofruan bukë, supë, djathë e gjizë për të ngrënë.

Link pjesa e gjashte

Link versioni italisht: Albania, il regno più giovane d’Europa (5)


0 Comments