Nga Melville Chater

Për revistën National Geographic, Shkurt 1931.

Pjesa e gjashtë dhe e fundit

Link pjesa e pestë

Kumbari i flokëve

Pjetri na shpjegoi se i zoti i shtëpisë ku kishim bujtur ishte Kumbari i tij, që i kishte prerë flokët. Ashtu si ilirët e lashtë edhe malësorët e rruajnë kokën. Në këtë ceremoni, e cila bëhet kur ata mbushin moshën dy vjeç, kumbari sjell gërshërët. Në rast se fëmija është kristian, e qeth me katër cullufe, duke lënë në kokë formën e kryqit. Në rast se është muhamedan, e qeth me tre cullufe, të cilat formojnë një trekëndësh në kokë të fëmijës. Pas një ore gjendeshim të ulur në shesh së bashku me bajraktarin e fshatit dhe burrat e tij, duke iu përgjigjur pyetjeve këmbëngulëse të tyre dhe duke u ofruar cigare. Malësorët shqiptarë janë krenarë për origjinën e tyre, racën e tyre. Janë shumë të kujdesshëm dhe të mësuar me idenë e vdekjes.

Gratë e Mirditës. (foto, Luigi Pellerano)

Gratë e Mirditës. (foto, Luigi Pellerano)

Dukagjinasit kanë një arsye më tepër për të qenë krenarë për origjinën e tyre, pasi nga fisi i tyre lindi ligjvënësi i shquar Lek Dukagjini, kodi i të cilit vlen në gjithë vendin dhe kryesisht në zonën malore të vendit që nga Mesjeta. Me të vërtetë disa studiues mendojnë se Lek Dukagjini risolli në Shqipërinë e Veriut disa ligje e kode të lashta, të cilat mundet të datohen nga fiset e shqiptarëve të lashtësisë. Kodi i pashkruar i Lek Dukagjinit, ose Kanuni, gjendet mbi ligjet e shtetit, por edhe mbi Dhjetë Porositë. Ai mbështetet në Lex Talionis, ose në “kthimin e së drejtës” dhe mbështetet në patriakatin dhe pushtetin e burrit. Sipas tij burri ka të drejta të plotfuqishme mbi gruan, ka të drejtë edhe ta vrasë gruan dhe fëmijët e tij. Përpara njëzet vjetësh një shqiptar malësor mori hak për tradhtinë e gruas duke e vrarë atë me një plumb që ia kishte dhënë vëllai i saj, si provë e miratimit të familjes së gruas për aktin që do të kryente burri.

Bukëshitësi duke pritur blerësit. (foto, Melville Chater)

Bukëshitësi duke pritur blerësit. (foto, Melville Chater)

Hakmarrja është e detyruar

Sado barbare që mundet të na duken këto zakone të lashta, këto kode të malësorëve të Kanunit të Lek Dukagjinit dhe hakmarrja e malësorëve shqiptarë, duhet të kuptojmë se ato lindën si një nevojë e brendshme gjatë periudhës së gjatë të pushtimit turk, për shkak të tolerancës së otomanëve, të cilët nuk arrestonin dhe nuk dënonin asnjë shkelës të ligjeve. Këto fise malësorësh të panënshtruar kanë arritur që të qëndrojnë deri në kohët tona të pavarura, pavarësisht sedrës së të gjithë atyre perandorëve, të cilët i pushtonin gjatë shekujve. Dhe megjithëse se karakterizimi si konservatorë për këta shënjues të rrallë në pushkë dëgjohet si i çuditshëm , e vërteta është se malësorët jetojnë sipas kodeve të lashta zakonore. Le të marrim për shembull hakmarrjen, ose vendetën siç quhet në Evropë. Në malësi ajo emërtohet gjakmarrje. Ende edhe sot ai që vonon të paguajë taksën e gjakut, kërcënohet me izolim nga fshati e zona. Nga ana tjetër, në qoftë se dikush vret gjakhupësin kur ai është i shoqëruar nga gruaja ose nga fëmijë, ose edhe gjatë kohës së besës, emri i tij hyn në listën e zezë të njerëzve dhe ai tallet prej të gjithëve. Pas vrasjes personi që e ka kryer atë deklaron se mori gjakun. Në qoftë se e ndjekin mundet të kërkojë ushqim dhe strehim për 24 orë në çfarëdo shtëpie. Pjesëtarët e shtëpisë kanë për detyrë që ta mbrojnë dhe ta shoqërojnë deri në ndonjë vend të sigurt. Përpara disa vjetësh një prift mori gjakun dhe pasi vrau hasmin, ishte ai që kreu shërbimet fetare të të vdekurit. Kanuni i Lek Dukagjinit zbatohet sipas marrëveshjeve të kryetarëve të fiseve, të cilët janë më të moshuarit. Kjo është njëra nga trajtat më origjinale të gjyqeve të pashkruara. Që të shpallet i pafajshëm një i akuzuar duhet që të bien dakortë të gjithë gjykatësit. Në qoftë se qoftë edhe njëri voton duke e quajtur fajtor të akuzuarin, atëherë zëvendësohet nga dy të tjerë. Pleqësia nuk mundet të marrë vendim për dënimin me vdekje, as burgosje, por vetëm me vendosje gjobe ose mundet të vendosin që të digjet e gjithë pasuria e të akuzuarit. Për rreth tre ditë zbrisnim në luginën e Shalës. Kishim përshtypjen se na priste një oaz freskie në këtë stinë kaq të nxehtë, ku mbizotëronte kënga e gjinkallave dhe mizat e kuajve. Përpara nesh ecte truproja jonë, e cila përbëhej nga shtatë shaljanë. Pak më vonë shoqëruesit tanë provuan pushkët e tyre duke shtirë në një strehim të vjetër hajdutësh. Dikush nga ata ia mori këngës duke përdorur në vend të gajdes tytën e pushkës. Udhëtarët e vjetër do ta quanin si një gjest të keq këtë lëvizje, por në qoftë se do të dinin fjalët e këngës do të ndryshonin mendim: “U fsheha pas shkëmbit. Vrasësi i vëllait tim kaloi përpara. Plumbi im fishkëlleu. Borxhi u shlye!”. Rojtarët tanë kontrollonin pëllëmbë për pëllëmbë vendin ku kalonim. Ku ishin hajdutët, për të cilët kishim dëgjuar aq shumë? Siç na shpjegoi Lulashi, ata ishin hakmarrës të arratisur, ose pjesëtar bandash që sillnin trazira në gjithë Ballkanin.

Nëpër rrugët e Shkodrës. (foto, Melville Chater)

Nëpër rrugët e Shkodrës. (foto, Melville Chater)

Një vend i nxehtë dhe i uritur

Vendi nuk ishte vetëm i nxehtë. Ishte edhe i uritur. Në disa fshatra malore nuk kishte as dhjet franxholla buke, dhe banorët e shuanin etjen me qumësht dhie të holluar. Një herë, kur ishim duke ndarë ushqimet e pakta të një prifti fshati, e pyetëm nëse ishte e vërtetë fjala se dikush kishte hedhur dinamit në lumë e kishte zënë 20 kile peshk. Kur dëgjoi për këtë akt barbar mikpritësi ynë ngriti duart drejt qiellit i mërzitur. Neve kishim parë më përpara në dollapin e tij disa sende që nuk ngjanin fare me sende të ndonjë prifti. Ai na kishte thënë se ishin shenjat e disa plagëve dhe plumbave. Ne nuk e besuam dhe vendosëm që të hapim shishen e vetme të uiskit që na kishte mbetur. Pasi pimë ai filloi të na rrëfehej. Shkuam me të në breg të lumit dhe pasi nxori sendet që kishte të fshehura në dollap i mbushi ato me dinamit dhe bëri një bombë të vogël. Megjithëse kam turp që po e them, pasi e hodhi në lumë ne shijuam një drekë të mrekullueshme me peshk. Afër një fshati pamë një burim me ujë të freskët e të ftohtë, i cili ujiste me radhë arat e zonës. Ishte i vetmi burim uji për 30 familje të fshatit. Nxehtësia e padurueshme, mungesa e ushqimeve dhe insektet e bezdisshme bënë që shumë herë neve ta humbisnim besimin dhe të na binte morali. Por përkthyesi ynë, Pjetri, përpiqej që të na mbante moralin lart: “E shikoni atë qafën atje lart? Do të shkojmë atje, do të ecim nja njëzet metra dhe pastaj do të zbresim në qytet, atje ku ka një vend të mrekullueshëm freskimi.”

Më në fund ujë

Duke zbritur nga Shkodra mbërritëm në Gurin e Kuq. Sa më shumë që zbrisnim, aq më i egër bëhej vendi e pamja, aq edhe më i shkretë. Herë pas here takonim ndonjë udhëtar të vetmuar, një grua që kishte tri ditë që ecte duke mbajtur në shpinë një thes me grurë. Pas pesë orësh u gjendëm përballë lumit Kiri. Më së fundi ujë! U hodhëm nga kuajt, zhveshëm rrobat dhe filluam të luajmë si fëmijë në lumë. Ditën e fundit të udhëtimit tonë udhëtuam për tetë orë për të mbërritur në pikën kufitare të Shkodrës. U takuam me përzemërsi me burrat që na kishin shoqëruar për aq ditë. Pjetri mbështeti butësisht faqen e tij me tonën dhe pastaj u kthye kurriz i ngashëryer e duke qarë me dënesë... Hipëm në një makinë e cila na priste dhe u nisëm. Duhet të kemi qëndruar për disa kohë të heshtur gjatë kohës së kthimit. Kam besimin se nostalgjia e Pjetrit kishte qenë ngjitëse...

Link versioni italisht: Albania, il regno più giovane d’Europa (6)


0 Comments