Në krye të ëndrrave të tyre: një biçikletë kineze

Ribotojmë një artikull të vitit 1972, marrë nga Domenica del Corriere, i shoqëruar me një reflektim personal.

Ju paraqesim një album fotografik të Shqipërisë, vendi më i izoluar ndër shtetet komuniste.
Regjimi i Enver Hoxhës tani po inkurajon disi turizmin, por partia duket shumë pak e gatshme të tolerojë ndikimet e modës perëndimore.
Shqiptarët nuk i afrohen vizitorëve, duke e interpretuar fjalë për fjalë moton e udhëheqësit të tyre: "Frika ruan vreshtin."

Fotografi: VITTORIANO RASTELLI


Një hotel në Durrës i rezervuar për turistët. Përpara lexohet një parullë që lavdëron Maon.

Vetëm një dekadë më parë, një fis nomadësh shqiptarë arrinte të mbijetonte në kufirin mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, duke shfrytëzuar klimën e histerisë që ekzistonte midis dy vendeve (i pari stalinist dhe filokinez, i dyti në rrugën e revizionizmit), nëpërmjet episodeve që kufizoheshin me groteskun.
Nomadët kalonin vazhdimisht nga njëra anë e kufirit në tjetrën, dhe në të dyja vendet kapeshin e burgoseshin.
Ata mund të liroheshin vetëm pasi të premtonin, në këmbim të pak parave dhe lirisë, se do të kalonin sërish kufirin për të sjellë informacione sekrete.
Ky “lojë” zgjati për vite të tëra, duke krijuar ndoshta rastin e parë dhe të vetëm të spiunazhit masiv në histori.
Përfundoi vetëm kur marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë u përkeqësuan, kur Shqipëria, duke dalë nga izolimi, filloi ta shikonte botën e jashtme me më pak dyshim, megjithatë duke mbetur besnike ndaj fjalëve të udhëheqësit të saj, Enver Hoxha, partizan i palëkundur i komunizmit me frymëzim kinez: "Frika ruan vreshtin."
Shqiptarët duket se i kanë marrë fjalët e tij fjalë për fjalë. Janë të dyshimtë, nuk të buzëqeshin kurrë, edhe pse nga fytyrat e tyre dallohet një kureshtje e ndrojtur, dhe rrallëherë lejojnë të afrohen të huajt, edhe pse tashmë kanë filluar të frekuentojnë hotelet e Tiranës dhe të Durrësit.
Qytetet e tyre janë të mbuluara nga një heshtje e rëndë, pa makina, por të mbushura me këmbësorë dhe karroca me perime të tërhequra nga gomarë. Është tepër e vështirë të gjesh një pije që nuk është joalkoolike, dhe hotelet e pakta ofrojnë më shumë parulla sesa mallra për klientët.
Pas shumë vitesh izolimi, Shqipëria ka vendosur të hapë me kujdes kufijtë e saj, duke inkurajuar një turizëm të atyre që duan të përjetojnë “socializmin e papërpunuar”, në këmbim të pak valutë të huaj.
Ndryshe nga Jugosllavia, Shqipëria është shumë pak e prirur të pranojë, apo edhe të tolerojë, modat perëndimore.
Në aeroportin e Tiranës, një ndërtim i ri pranë pistës së vetme, personeli njofton dhe paralajmëron se Shqipëria Socialiste është kundër opinioneve të lira dhe minifundeve, si edhe, natyrisht, kundër dekolteve të thella.
Ka ndodhur që një stjuardesë suedeze, duke dalë nga hoteli i saj me minifund, është fyer rëndë (ka nga ata që thonë se i kanë hedhur edhe gurë), vetëm pse nuk i ka respektuar rregullat.
Nga Italia sot mund të udhëtosh drejt Shqipërisë përmes një organizate ndërkombëtare që ofron nisje nga Milano, Roma dhe Bari.
Udhëtimi kushton rreth 140 mijë lire për një javë dhe përfshin vizitën në Tiranë, Durrës dhe në 20 vende të vogla e karakteristike.
Lëvizjet bëhen me minibusë të prodhuar në Kinë, përmes një peizazhi ku, në çdo cep, të shoqërojnë parulla si “Rroftë shoku Enver” dhe “Lavdi familjeve të punëtorëve”.
Peizazhi mund të duket monoton, por përfaqëson një tjetër fytyrë të vendit që Hoxha e tregon sot me krenari, pas njëzet e pesë vitesh qeverisje pothuajse absolute: një vend që ka dalë nga varfëria dhe prapambetja, që ofron ushqim dhe veshmbathje për dy milionë banorët e tij, strehim dhe ilaçe falas.
Hoxha krenohet gjithashtu me arritje të tjera: zhdukjen e analfabetizmit (para luftës 90 për qind e popullsisë ishte analfabete, ndërsa sot ka shumë shkolla dhe në Tiranë është hapur universiteti); ndërtimin e kanaleve të ujitjes që i lejojnë kooperativat të punojnë çdo centimetër tokë të punueshme; ndërtimin e centraleve elektrike dhe, mbi të gjitha, krijimin e një hekurudhe moderne që lidh qendrat kryesore të vendit.


Shteti shqiptar, që e konsideron revizionizmin e Hrushovit armik, e konsideron Stalinin të shenjtë. Ky bust ndodhet në Korçë.

Një angazhim kaq i centralizuar e detyroi Shqipërinë të varëse rëndë ekonomikisht fillimisht nga Bashkimi Sovjetik, e më pas nga Kina.
Kështu, nga Lindja e Largët importohen në Shqipëri shkrepëse, llampa dhe biçikleta, të cilat, në mungesë të pajisjeve shtëpiake (të paarritshme për privatët) dhe makinave (thuajse të papranishme për individët), konsiderohen luks i vërtetë.
Një biçikletë e kuqe kineze mbetet ende një ëndërr e largët në universin modest konsumator shqiptar: kushton sa një muaj rrogë pune, rreth 600 lekë, ose 40 mijë lira, dhe kjo mjafton për të dhënë një ide të nivelit të jetesës, aspak të krahasueshëm me atë të Evropës Perëndimore, edhe pse për shqiptarët kjo përfaqësonte një arritje të madhe.
Ngushëllimi vjen nga fakti se me një pagë shtetërore mjaft të mirë, rreth 140 mijë lira në vit, mund të përfitohet nga Hoxha një nga mijëra apartamentet e ndërtuara nga shteti, me një kosto prej 150 lekësh për metër katror, që përkthehet në rreth 4.500 lira për metër.

Në Tiranë: burra në kafene, gra në radhë

Në mbrëmje, shqiptarët pëlqejnë të ulen jashtë, para kafeneve, dhe të pijnë çaj. Në gjithë vendin është shumë e vështirë të gjesh pije që nuk janë joalkoolike.



Një grup grash nga Tirana përpara një dyqani frutash.

Pavarësisht nivelit shumë të ulët të jetesës, shqiptarët kanë bërë hapa gjigantë drejt përmirësimit të kushteve të jetesës: ushqimi është i mjaftueshëm për të gjithë, ashtu si edhe veshmbathja.
Shtëpitë, të ndërtuara nga shteti, kushtojnë nga 1.500 deri në 4.500 lira qira në muaj, ndërsa barnat jepen falas.
Taksat janë hequr plotësisht dhe të ardhurat e shtetit mbulohen nga industrinë, kooperativat dhe ndihmat që vijnë nga Kina.

Një mijë e pesëqind kinezë trajtohen “si të barabartë”

Me praninë e saj, edhe pse të përmbajtur, Kina ndikon fuqishëm në gjithë ekonominë dhe jetën shqiptare.


Një biçikletë kineze, objekti më i dëshiruar i luksit në vend. Çmimi i saj arrin sa një pagë mujore e një punëtori, rreth 40 mijë lira.


 Një grup teknikësh kinezë.

Kinezët në Shqipëri janë rreth një mijë e pesëqind dhe jetojnë si shqiptarët, me të njëjtat paga dhe në të njëjtat banesa. Shqiptarëve kjo u pëlqen shumë, pasi u kujton “periudhën sovjetike”, kur sovjetikët kërkonin banesat më të mira dhe paguheshin tetë herë më shumë se kolegët e tyre vendas.


Një tren i prodhuar në Kinë.

Hekurudha është krenaria e Enver Hoxhës, udhëheqësit shqiptar. Para tij nuk ekzistonte, ndërsa sot rrjeti lidh qytetet kryesore të vendit. Shqipëria importon nga Kina edhe shkrepëse dhe llampa (të konsideruara mallra luksi).



Plazhi i Durrësit, i rezervuar ekskluzivisht për turistët e huaj, ende të paktë në numër.


 Shqipëria është një vend këmbësorësh, ku makinat janë shumë të rralla dhe, ashtu si pajisjet shtëpiake më elementare, të paarritshme për popullsinë. Një shesh në Tiranë.


Vijon reflektimi i autorit


Një Shqipëri që shihej me sy të huaj, por jetohej me shpirt shqiptar.

Sot sjellim në jetë një reportazh të çmuar fotografik, botuar në Domenica del Corriere në shtator të vitit 1972.
Prej kohësh jam në kërkim të artikujve të huaj që flasin për Shqipërinë në periudha të ndryshme historike, me synimin për të kuptuar si e kanë parë vendin tonë sy të jashtëm: gazetarë dhe udhëtarë që, edhe pse për një kohë shumë të shkurtër, kanë mundur të hyjnë në një realitet të mbyllur thellësisht si ai shqiptar.
Pjesa që paraqes sot është si një fotografi e Shqipërisë në fillim të viteve ’70, e cila, megjithëse në izolim, nuk përshkruhej nga vëzhguesit e huaj si një vend në krizë të thellë.
Pas ndarjes përfundimtare me Bashkimin Sovjetik në vitin 1968, regjimi shqiptar kishte gjetur një aleat të ri ideologjik te Kina maoiste. Kinezët ishin në fakt të vetmit të huaj që qarkullonin lirshëm në territorin shqiptar.
Në sytë e gazetarëve dhe fotografëve, Shqipëria shfaqej si një vend thellësisht patriarkal, ku burrat kalonin ditët në kafene dhe gratë radhiteshin për të bërë pazar.
Atje ku ëndrra e ndaluar ishte një biçikletë kineze dhe makinat private nuk ekzistonin fare.
Disa nga këto përshkrime janë të vërteta: makinat ishin me të vërtetë një rrallësi, dhe biçikletat – të importuara pothuajse vetëm nga Kina – përbënin një pasuri të çmuar.
Por më shumë sesa një ëndërr, ato ishin një mjet i domosdoshëm lëvizjeje për përditshmërinë e punëtorëve.
Mungesa e makinave nuk përjetohej si një problem: transporti publik ishte i efektshëm dhe i shtrirë gjerësisht, ndërsa infrastruktura e vendit as që ishte projektuar për një trafik të dendur automobilistik.
Sa i përket imazhit stereotip të burrave të papunë dhe grave të sakrifikuara, duhet sqaruar se shoqëria shqiptare, edhe pse ruante struktura patriarkale, drejtohej nga organizma kontrolli komunitar, si "këshillat e lagjes", që vigjilonin me kujdes sjelljen publike.
Nuk lejohej të shëtitej gjatë orarit të punës dhe as të keqtrajtohej familja: ekzistonin rregulla të qarta, dhe kushdo që i shkelte, thirrej në përgjegjësi.
Sigurisht, pasditeve pas punës ose të dielave – ditë pushimi – ishte krejt natyrale që burrat të mblidheshin bashkë dhe gratë të merreshin me punët e shtëpisë dhe kujdesin për fëmijët.
Por këto momente nuk përfaqësonin tërësinë e jetës shoqërore të vendit, siç mund të dukej në sytë e një vëzhguesi të jashtëm që nuk njihte realisht dinamikat e brendshme.
Shqipëria komuniste, aq e mbyllur dhe e padepërtueshme, natyrisht që zgjonte kureshtje.
Dhe megjithëse shumë gazetarë të huaj përpiqeshin të kuptonin realitetin, mungesa e njohjes së mentalitetit dhe organizimit shoqëror shpesh i çonte në interpretime të pasakta ose të nxituara.
Megjithatë, këto reportazhe, pavarësisht pasaktësive dhe mangësive të tyre, mbeten dëshmi të çmuara.
Janë dokumente të vlefshme jo vetëm për studiuesit dhe kureshtarët, por mbi të gjitha për vetë shqiptarët: sepse na ndihmojnë të njohim dhe të kuptojmë një nga periudhat më të vështira dhe më të errëta të historisë sonë të afërt.

Elton A. Varfi – Kronikat Shqiptare

0 Comments