Një gjarpër me të vërtet ilirik në qendër të Sardenjës.
Nga Alberto Areddu
Sidomos në Qendër të Sardenjës (Barbagia dhe Ogliastra) janë ruajtur nga vjetërimi i kohës, disa emërtime që shpesh e kanë zanafillën në epoka shumë të largëta; dhe jo vetëm në disa shprehi latine dukshmërisht të qarta, por edhe në disa që i kanë paraprirë ushtrive romake. Këto fjalë, ndryshe nga ato të toponimeve që janë të heshtura e si rjedhojë lehtësisht të nënshtruara arbitrimt të lirë dhe interpretimit personal, mund të na thonë nëse mund të hidhet një hipotezë në mbështetje të iliricitetit origjinal te Sardëve Nuragici. Një trashëgimi sigurisht jo-latine është shprehja për të dëftuar “bollën e ujit” ose gjarpërin e ujit (tropinodotus natrix), një zvarranik i dimensioneve të vogla, jo helmues (si të gjith ata që gjenden në Sardenjë) dhe që ka si mjedis natyral flukset e ujrave të ngadalshëm dhe të pasur me bimë, terrenet pyjore ose anët e rrugëve. Atëhere, në fshatin Gavoi thuhet: “lircis”, në Nuoro: “lirtzis”, në Ollolai: “lortzis”, në Olzai me sa duket ka një kuptim të dyfisht: “lurzi” dhe “sulurtzi”, në disa vënde barbaricine: “thulurtzis” ndërsa në fund në fshatin Ottana kemi: “silurtzis” (të dhëna nga Pittau).
Kush ështe marrë me këto toponime është shprehur kështu:
- për Wagner (që risjell në DES vetëm versionin “lircis”) fjala është misterioze;
- për studjuesin katalan E. Blasco i Ferrer është një formë greko-bizantine nga një sintagmë emërore: Thiu Leoutis “xha Leuzzi” (kam kaluar një natë të tërë pa gjumë duke pyetur vet-veten se kush ishte ky Leuzzi);
- per sardin M. Pittau: ai nuk e di nga mund të vijë por atij i kujton toponimet iberike si psh. “Ilurci”, kështu sa për të thënë një shembull tërheqës.
Pra siç shihet, ashtu siç do shpreheshin edhe hetuesit, jemi duke ecur në një terr të dendur. E megjithate uji në të cilin gjarpëri noton nuk është kaq i turbullt sa duket.
Rikthehemi për një moment tek titulli: “një gjarpër vërtet ilirik…etj. etj”. Ilirik: ishte ndofta sugjestionues stili kursiv për këtë fjalë? … Shumë persona ndofta nuk e dine, prandaj po ua themi ne, se shpesh popujt primitive marrin një emërtim ethnosi me funksionin e saktë që të trembin fqinjët dhe armiqtë e tyre ose për t’ju kushtuar ndonjë kafshe të shenjtë brenda fisit të tyre; e gjitha kjo quhet : totemizëm.
Piçenët antik kishin si kafshë të shenjtë qukapikun, laraskën: picus në gjuhën latine, nga ku kemi emërtimin: Piçen, Hirpinët kishin ujkun, nga hirpus “lupo”(ujk). Ilirët është e mundur që në fillim të jetonin afër ndonjë lumi ose liqeni, ashtu si edhe fisi ilir i Enkeleive “ngjalat” (nga έγχελυς ), që sipas një hipoteze të arsyeshëme të përpiluar nga i madhi Anton Mayer e merrnin emrin (ajo që gjuhëtarët quajnë eponim), nga një parardhës-gjarpër të quajtur Illuriòs “gjarpër” (i biri i Kadmit të famshëm). Shume shpejt për Ilirët, sidomos për ata të jugut, gjarpëri do te bëhej kafsha e nëndheshme personifikuese, e lidhur ngushtë me kultin e të parëve dhe me kompleksin magjik fetar të pjellorisë së tokës dhe të gruas, duke u shfaqur shpesh i përfiguruar në basorelievë, bizhuteri dhe skulpturat e basheve të anijeve.
Besimet e forta në gjarperinj dhe dragonjë me sa duket kanë qëne shkas i pengimit te përhapjes së krishtërimit, ashtu siç del edhe nga jeta e Shën Ilarionit e shkruar nga iliri shën Jeronimi; Ilarionit ju desh të eliminonte të tëmerrshmin Boas që shkatërronte Epidauron duke përlarë kafshë dhe njerëz , për të bindur paganët që të konvertoheshin.
Pas gjith kësaj që tham deri tani, le të vëzhgojmë formën gjuhësore.
Rrënja *il – (nga indo-europiania ụel) që e gjejmë edhe në gjuhë të tjera indo-europiane si greqishtja ku kemi “përdredh, mbështjell, shtrydh”: illòs “i vëngër”, dhe nuk është nevoja që tua them unë pasi është tipike e gjarprit që të lëvizë në atë mënyrë.' Rrënjës *il- iu shtua prapashtesa -ur, që në zonën ilirike (siç ështe në librin tim edhe në atë paleosarde) ështe goxha e përhapur; do të kemi kështu: ilur-, dhe deri këtu gjerat qartësohen në sasi të konsiderueshme. Mungon pjesa finale –ci, -tzi: që për ta shpjeguar kam përdorur gjuhën shqipe e cila na ofron një prapashtesë - çi – thi për të na treguar prapashtesën zvogëluese.
Zgjidhja që unë ofroj sidoqoftë është një formë e mundëshme: * ilurci dëfton “gjarpërushin” dhe si i tillë ka hyrë në latinishten popullore të Sardenjës, e ndryshuar shpesh herë nga takimi me nyjen letrare “il, lo” (me anë të mekanizmit të bashkëngjitjes/ ndarjes ashtu siç ndodh në rastet e tjera të treguara hollësisht nga Wagner në librin Historische Lautlehre des Sardischen)
Pra gjarpëri i ujit të Sardenjes ka si në thelb ashtu dhe formalisht një rrënjë ilire.
Bibliografia e përdorur:
M.L. Wagner, Fjalori Etimologjik i Sardenjës, Heidelberg 1960-64 (M.L. Wagner, Dizionario Etimologico Sardo, Heidelberg 1960-64)
M. Alinei, Nga toteizmi në krishtërimin popullor, Alessandria 1984 (M. Alinei, Dal totemismo al Cristianesimo popolare, Alessandria 1984)
M. Pittau, Fjalori i gjuhës Sarde I-II, Cagliari 2000-2002 (M. Pittau, Dizionario della lingua Sarda I-II, Cagliari 2000-2002)
A. Mayer, Die Sprache der alten Illyrier, Wien 1959
A.Stipcevic, “Simbolizmi ilir dhe simbolizmi shqiptar” në Iliria 5, 1976 (A.Stipcevic, "Simbolismo illirico e simbolismo albanese" in Iliria 5, 1976)
M. Camaj, Albanische Wortbildung, Wiesbaden 1966
J. Pokorny, Indogermanisches Etymologisches Wörterbuch, 1959
D. Srejovic, Iliret dhe Thrakët, Milano 1996 (D. Srejovic, Illiri e Traci, Milano 1996)
J. Wilkes, Ilirët midis identitetit dhe integrimit, Genova 1994 (J. Wilkes, Gli Illiri tra identità e integrazione, Genova 1994)
E. Blasco i Ferrer, “Etimologjia dhe etnogjuha: emra zoologjik të perafërt dhe totemizëm në Sardenjë” në Fletore të Semantikës xxii, 2001 (E. Blasco i Ferrer,“Etimologia ed etnolinguistica: zoonimi parentelari e totemismo in Sardegna” in Quaderni di Semantica xxii, 2001)
(përkthimi është bërë nga Brunilda Ternova)
Burimi : Sardo - Illirica
0 Comments