Disa shenjtorë me origjinë shqiptare
Në një varr monumental zbuluar në Durrës pranë kuotës 98 kemi gjetur në pjesën e brendëshme të varrit, të suvatuar, një afresk me shenjën simbolike të krizmas të përdorur nga të krishterët e herëshëm të Durrësit. Dihet që në shekullin e I të erës sonë, vet apostulli Pal ka udhëtuar në Shqipëri (Letër romakëve 15-19) dhe ka apostoluar ungjijtë me popullin ilir, kurse një nga pasuesit e tij,Titi, vërtetohet që ka apostolluar në Dalmaci.
Më 4 qershor të vitit 110 në Durrës martirizohet Shën Asti, një figurë madhore e krishtërimit të hershëm, i shënuar në martirologjinë romake dhe i afreskuar në pikturat e shekullit të XIII në kishën e Rubikut.
Shën Asti
Shën Asti është një figurë kaq e rëndësishëme në krishtërimin shqiptar sa që gjatë kohës që studiova në Dumbarton Oaks në Uashington D.C. gjeta një libër të botuar në shek. XVIII me poezi dhe epigrame në greqisht kushtuar Shën Astit. Një arkeolog anglez në një letër të dërguar në adresën time para tre vjetësh, bën një hipotezë shkencore për kapelën e vogël bizantine të amfiteatrit të Durrësit që sipas tij i kushtohet kultit të Shën Astit.
Mozaiku i kapelës së amfiteatrit të Durrësit
Mund të them që katalogu i shenjtorëve shqiptarë është shumë interesant dhe unë po bëj të njohur për publikun një listë emrash që ndodhet sot në kishën e Shën Gjergjit, në Boston të Amerikës, fryt i studimit shkencor historik të Fan S. Nolit.
1- Danaski Martir, ka jetuar dhe është martirizuar në shekullin e II në Vlorë. Festa e tij është më 16 janar.
2 – Shën Nikoni dhe 199 shokët e tij, martirë të Ilirisë masakruar në shekullin IV, festa e tyre është më 23 mars.
3 – Shën Eleutheri, peshkopi i Ilirisë nënën e të cilit, Authinë e kishte mësuar vetë Shën Pali, festa më 15 dhjetor.
4 – Shën Flori dhe Lauri gurëgdhendës dhe martirë të shekullit të III, festa 18 gusht.
5 – Kostantini i Madh, perandori dhe zyrtaruesi i krishtërimit, festa më 21 maj.
6 – Shën Nikodini i Pojanit, martir ikonodul i Shqipërisë në mesjetë, festa më 4 prill.
7 – Shën Urbani, Papë i Romës, një ilir i martirizuar më 230, festa më 25 maj.
8 – Shën Euseb Jeronimi, përkthyes i Biblës për herë të parë në latinisht njohur me emrin Vulgata, në shekullin e IV, festa më 15 qershor.
9 – Jan Kukuzeli, lindur në Durrës dhe vdekur në Athos, këngëtar dhe muzikant gjenial i shekullit XII, festa më 1 tetor.
10 – Shën Pjetri i Korçës, shenjtor dhe murg i mesjetës, festa më 5 qershor.
11 – Shën Angjelina e Shqipërisë, murgeshë në vijë gjenealogjike nga shtëpia e Gjergj Kastriot Skënderbeut e shekullit të XV, festa më 10 dhjetor.
12 – Shën Kristo, Kopshtari i martirizuar më 1572, festa më 12 shkurt.
13 – Nikor Argjiroti, murg shqiptar i vdekur në Athos në shekullin XVII.
14 – Shën Gjon Rrobaqepësi, martir shqiptar vdekur më 1526, festa më 18 prill.
Një nga rafigurimet të një ikone me përmasa 70x43 cm, të shën Angjelinës shqiptare ndodhet sot në Kosovë. Kulti i Angjelinës shqiptare, është një kult që ka vazhduar për pesë shekuj dhe ka depërtuar edhe tek serbët. Është tepër kuptimplotë fakti që serbët këtë shenjtore e quajnë Albanskaja.
Duhet të përmend një fakt që në kishën e Aleksandrit në qendrën e Sofies (Bullgari), kam parë me syt e mij afreskun e Shën Nikodinit, shenjtor shqiptar, gjë që e cilësonte edhe mbishkrimi greqisht i afreskut. Në manastirin e Ardenicës piktorët vëllezër Zografi në shekullin e XVIII kanë afreskuar portretin e muzikantit gjenial nga Durrësi të shek. Të XII Jan Kukuzeli. Në vitet 70 të shekullit të shkuar gjatë kërkimeve të mija si studjues në qytetin e Shkodrës, në familjen Suma kam gjetur një portret laik të Gonxhe Bojaxhiut, përpara misionit të saj që e bëri atë një emër botëror dhe fituese të çmimit nobel, portret që unë e kam botuar që më 1978 në gazetën “Bashkimi”, kur ishte një herezi e vërtetë që të botoje figurën e Nënë Terezës. Në shumë mozaike dhe afreske, sidomos në kodikët e pabotuar të Vatikanin, por edhe në kodikët që gjenden në Bibliotekën Nacionale të Prisit, si dhe në qendrat bizantologjike të Londrës dhe Uashingtonit, janë shumë portrete që lidhen me shenjtorët shqiptarë që kanë dhënë kontributin e tyre të pamohueshëm në më shumë se 2000 vjet krishtërim.
Marrë nga libri Mes Laokontit dhe Krishtit, i autorit Moikom Zeqo.
Link versioni italisht: Alcuni santi di origine albanese
0 Comments