Pushtimi i vilajetit të Kosovës dhe fillimi i serbizimit të saj
Në vitin 1912 shpërtheu Lufta Ballkanike, e cila drejtohej nga tre shtete ballkanike që ishin aleatë me Rusinë: Serbia, Greqia dhe Bullgaria. Lufta u bë për të ndarë tokat e Perandorisë Osmane, që në fakt ishin tokat e shqipëtarëve. Pra, luftërat ballkanike që u ushqyen nga nazionalizmi i skajshëm grek dhe serb, ishin luftëra për t’u marrë tokat shqipëtarëve dhe më pas ose për t’i asimiluar ata, ose për t’i zhdukur. Fuqitë e Mëdha ia dhuruan Serbisë vilajetin e Kosovës, nga ku Serbia filloi të zbatonte planet për zhdukjen e shqipëtarëve.
__Kufiri i shtetit Serb më 1817-1878
-------Kufiri i shtetit Serb më 1878
………Kufiri i shtetit Serb më 1913
Zgjerimi i shteti Serb në kurriz të tokave shqiptare
Sipas Jusuf Osmanit, në bazë të rregjistrave të kadastrës, tokat shqiptare në atë kohë ishin 115.000 km2. Shtetit shqiptar iu lanë vetëm 28.000 km2 dhe pjesa tjetër i kaloi Serbisë dhe Greqisë. Duke përfituar tokat e shqiptarëve, Serbët zgjeruan territoret e tyre me 82% tokë dhe 55% popullësi.
Mali i Zi u zgjerua me 62% tokë dhe 100% popullësi.
Greqia u zgjerua me 67% tokë dhe 68% popullësi[1].
Sipas vullnetit të Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit, Serbia u dyfishua në 1,6 milion banorë, pasi mori 13.000 km2 nga Perandoria Osmane, kryesisht toka shqiptare. Rritja e popullësisë nuk ishte e natyrshme. Në 1866-ën, Serbia numëronte 1,3 milion banorë, ndërsa në Luftën e I Botërore, arriti në 3,2 milion banorë. Pra siç shihet, Serbia e Madhe, Greqia e Madhe dhe mali i Zi i Madh u krijuan të trija në tokat e shqiptarëve. Ajo që është më e tmerrëshme, është se këto shtete pothuajse dyfishuan popullësinë e tyre me popullësinë shqiptare.
Gjatë viteve 1912-1914, u vranë 26.000 shqiptarë dhe u burgosën 21,000 të tjerë. U dëbuan për në Turqi rreth 500.000 shqiptarë. Në vitin 1915 u dëbuan 120.000 shqiptarë të tjerë[2]. Në atë kohë u dëbuan gjithsej 620.000 shqiptarë, që u zëvendësuan me 20.000 serbë dhe 6.000 malazezë[3]. Në vitet 1912-1915, nga Manastiri u shpërngulën për në Turqi rreth 130.000 shqiptarë.
Leo Freundlich, shkruan: “Mijëra burra, gra, pleq e fëmijë të vrarë, të mbytur dhe të therur. Fshatra të djegura dhe shtëpi të plaçkitura. Gra dhe vajza të trajtuara në mënyrë çnjerëzore. Një vend i shkretuar, i plaçkitur, i larë në gjak e i turpëruar, dëshmon se serbët në Shqipëri nuk hynë si çlirimtarë por si vrasës të shqiptarëve… fshatra të panumërta u rrafshuan, u masakruan njerëz në masë në mënyrë shtazarake. Vendi ku gjeneratat e zellëshme të shqiptarëve të varfër krijuan atdheun e tyre, u shëndrua në grumbuj gërmadhash. Një popull i tërë u kryqëzua me gjak dhe Europa hesht…” (Leo Freundlich, Vjenë 1913.).
Edit Durhami shkroi më 1913: “Në Shalë, myslimanët ose duhej të pagëzoheshin, ose të mbyteshin. Një njeri nga Peja rrëfente: çdo ditë tellali në thërret nëpër rrugë se qeveria do të pushkatojë sot dhjetë vetë. Askush nuk e di se cilët janë këta njerëz dhe përse i vrasin. I çojnë përpara një grope, që do të jetë varri i tyre.”
Toka që morën serbët në 1912-n, 90% ishte në pronësi të shqiptarëve të pasur. Serbia nxorri ligje për t’ua marrë tokat atyre dhe për t’ua dhënë serbëve. Me pretekstin e zhdukjes së pasurisë së çifligarëve të mëdhenj, ajo shtetëzoi shumë toka që ua dha serbëve por jo shqiptarëve pa tokë.
Vrasjet dhe dhuna ndaj shqiptarëve ndodhte sistematikisht dhe vazhdoi edhe pas krijimit të Jugosllavisë. Gazeta e Beogradit Rad e 5 gushtit 1925 shkruante: “Ka disa ditë që digjen shtëpi. Është e vështirë të dëgjosh britmën e fëmijëve dhe të pleqëve që i marrin nëpër këmbë me qëllim që ti plaçkisin. Serbia ka formuar një provincë me qytetarë të dorës së dytë. Atje digjen fshatra të tërë, vriten shumë njerëz dhe mizoritë janë të pakufishme. Askush në këtë vend nuk ka turp. Si kanibali i fundit, pushteti predikon shfarosjen e një popullësie për shkak të identitetit të saj nacional dhe fetar.”
Pasi shqiptarët largoheshin nga toka dhe fshatra të tëra mbeteshin bosh, këta zëvendësoheshin me kolonë serbë. Qëllimi i kolonizimit serb ishte ndërrimi i strukturës nacionale nga shqiptarë në serb. Kishte aq shumë toka të lira të shqiptarëve, sa Beogradi kishte plan të merrte rusë nga Rusia, për t’i vendosun në tokat shqiptare, ashtu siç kishte bërë edhe Greqia.
Kolonët u morën edhe nga serbët që banonin në vende të tjera si Amerika, Europa e gjetkë. Brenda ditës një familje nga mospasja e asnjë pasurie, mund të shëndrrohej në pronare të 4, 5 hektarëve tokë e deri në 40 hektarë tokë. Shteti serb që zotëronte pasuri kolosale të shqiptarëve, me anën e kësaj pasurie ndërtoi shtëpi të reja kolonëve që vendoseshin aty.
Midis dy luftrave botërore qeveria serbe, në emër të reformës agrare, shpronësoi me mijëra hektarë tokë të shqiptarëve dhe ua dha serbëve. Gjatë kësaj kohe në Kosovë u vendosën 13.482 familje me 67.000 banorë, në 594 vendbanime.[4]
Sipas raportit të drejtorisë së lartë të reformës agrare në Shkup, deri në fund të vitit 1940, në Pejë, Ferizaj, Shkup e Prizren janë kufizuar rreth 381.000 hektarë tokë. Këta kolonë u vendosën dhe u armatosën nga shteti serb me qëllim që të mbronin kolonitë e tyre.
Në 1930-n u shpërngulën në Azi më tepër se 32.000 shqiptarë, dhe tokat e tyre iu shitën me çmime të ulëta kolonëve malazez. Ndërsa 6.000 shqiptarë ikën në Shqipëri. Pra shpërngulja e shqipëtarëve vazhdonte me ritme gjigante dhe në të njëjtën kohë, bëhej edhe zëvendësimi i saj me serbo-malazez.
[1] Shih Nuri Bashota, Tokat shqiptare në udhëkryqin e tanishëm ballkanik, Shqiptarët në rrjedhat ballkanike, Prishtinë, 1996, f. 275.
[2] H. Bajrami, Konventa jugoslavo-turke për shpërnguljen e shqiptarëve, “Gjurmime albanologjike”, 1982.
[3] H. Bajrami, Politika e shfarosjes së shqiptarëve dhe kolonizimi serb i Kosovës (1844-1945), Prishtinë 1995, f. 27.
[4] Regjistri i kolonive, data 8/04/1940.
Marrë nga libri Planet për zhdukjen e shqiptarëve i autores Elena Kocaqi
Link versioni italisht: L’invasione del Kosovo e l’inizio della sua colonizzazione da parte dei Serbi
0 Comments