Gjuha shqipe me tiparet e saj zgjonte interes jo vetëm te, gjuhëtarë e historianë, si Liku, Hobhausi etj, por edhe poetë si Bajroni madje edhe tek udhëtarë thë thjeshtë.

Lord Byron

Lord Bajroni i veshur me një veshje tradicionale shqiptare

Mendimi i përgjithëshëm i udhëtarëve anglezë të gjysmës së parë të shekullit XIX është se gjuha shqipe (Albanian, Albanese, Skype, Skipetaric) ishte një gjuhë e pashkruar. Por në të vërtetë, nga ana tjetër, ata na njoftojnë se kjo gjuhë e pashkruar me raste shkruhej prej shqipëtarëve të këtij gjysëmshekulli. Kështu Liku, qysh në vitin 1804, njofton se sa herë që Ali pashë Tepelena dërgonte mesazhet në publik, atëhere mesazhet e sundimtarit të Janinës shkruheshin në gjuhën shqipe me shkronja greke[1]. Ai po ashtu njofton se në krahinat e Jugut fjalët e saj paraqiteshin me shkronja greke, por kjo nuk ndodhte shpesh sepse klasat e larta, sa herë që ishte i nevojshëm shkrimi, parapëlqenin gjuhën greke[2].

Një njoftim të tillë na jep edhe Bouëni kur deklaron se shqiptarët për të shkruar shqip përdornin gërmat greke, pasi ata nuk kishin shkronjat e tyre[3]. Hobhausi, nga ana e vet, edhe pse e deklaron shqipen si gjuhë të pashkruar dhe meqënëse ska njohur Budin, Bardhin e autorë të tjerë të vjetër shqiptarë, pas një vështrimi të kujdesshëm që i bën veprës së De Leçes, del në përfundimin e drejtë se shqipja duhej të ishte shkruar para vitit 1716 kur u botua gramatika shqipe e prifitit italian. “Pasi padreja flet, - vë në dukje ai, - për një alfabet shqip të formuar, i cili egzistonte në kohën e tij, me përjashtim të pesë gërmave që ishin latine”.[4]

Lidhur me tingujt e shqipes kemi konstatime të ndryshëme nga këta udhëtarë. Disa i vënë ato në plan krahasues me tingujt gjuhëve të tjera. Kështu, vë në dukje Liku me të drejtë, “alfabeti grek nuk është i aftë të shprehë të gjithë tingujt e shqipes, megjithëse shqipja përfshin të gjithë tingujt e alfabetit të sotëm grek[5], duke e kondideruar këtë si një nga vështirësitë që hasin shqiptarët në shkrimin e gjuhës së tyre me shkronja greke. Pasurinë e tingujve të shqipes, e vë në dukje tërthorazi edhe Spenseri kur thotë: “Kurrë nuk kam takuar njërëz që të shqiptojnë aq me lehtësi th-në tonë të vështirë”. Ai pohon gjithashtu se gjuha shqipe përmban të gjithë tingujt grykorë të keltishtes[6]. Për udhëtarin Bouen “gjuha shqipe është e ashpër, grykore dhe shumë njërrokëshe[7] , por ai nuk shtyhet me tej të argumentoj këtë konstatim pa pazë të tij.

Përsa i takon dialekteve të shqipes, udhëtarët anglezë pohojnë egzistencën e dy dialekteve kryesore, veriorin dhe jugorin. Me interes është njoftimi i Spencerit, i cili shkruan se gramatika dhe fjalori i Ksilandrit, atij i hyri në punë kur vizitoi Çamërinë, por jo aq sa duhej edhe “midis miritorëve dhe toskëve, aq më tepër që këta të fundit e flasin gjuhën në tërë pastërtinë e saj[8].

Nga sa pamë më sipër lidhur me gjuhën shqipe, mund të dalim në përfundimet e mëposhtëme.

Sipas mendimit të përgjithëshëm të udhëtarëve anglezë, gjuha shqipe është një gjuhë e lashtë që shqiptarët e kanë trazhëguar brez pas brezi në shekuj. Pikëpamja mbizotruese e tyre për prejardhjen ilire të gjuhës shqipe dhe për autoktoninë e shqiptarëve në trojet e tyre, ishte me rëndësi të madhe për kohën, dhe për studimet e mëvonëshme të shqipes deri në ditët tona.

Dëshmitë e tyre për gjendjen e gjuhës shqipe në kohën kur ata shkruan veprat e tyre , tregojnë se kjo gjuhë, ndonëse në këtë kohë shkruhej fare pak në libra dhe nuk mësohej në shkolla, ajo mësohej me qumështin e nënës dhe ishte faktori kryesor i ruajtjes dhe forcimit të ndjenjës kombëtare.

Nga krahasimet që bëjnë me gjuhët e tjera, udhëtarët anglezë vërejnë që gjuha shqipe ishte një gjuhë po aq e pasur sa edhe gjuhët e popujve të tjerë, si nga ana e fonetikës po ashtu edhe nga ana leksikore, duke pasur, në të njëjtën kohë një strukturë gramatikore të vetën.

Gjuha shqipe pamvarësisht nga ndryshimet dialektore, siç ka çdo gjuhë tjetër, ishte një gjuhë e vetme dhe e përbashkët për të gjithë shqiptarët, të cilët ishin një popull më vete dhe i dallueshëm nga popujt e tjerë.


[1] Leake, W. M. Travels… v.1, f. 38.

[2] Leake, W. M. Researches… f. 260.

[3] Bowen, F. G. Mount Athos… f. 195.

[4] Hobhouse, J. C. A Journey… f. 1124.

[5] Leake, W. M. Researches… f. 260.

[6] Spencer, E. Travels… v.2, f. 133- 134.

[7] Bowen, F. G. Mount Athos… f. 194.

[8]Spencer, E. Travels… v.2, f. 134.

Marrë nga libri Shqipëria dhe shqipëtarët në veprat e udhëtarëve anglezë i autorit Shpëtim Mema

Link versioni italisht: Le più diffuse impressioni dei viaggiatori inglesi del XIX secolo sulla lingua albanese


0 Comments