domenica 6 febbraio 2011

Shqiptarët

-Pjesa e parë-

Janë një komb që banon në anën perëndimore të Gadishullit Ballkanik d.m.th. të Rumelisë së Shtetit Osman. Fjala “arnaut” rrjedh nga fjala greke “arvanit”. E kemi sqaruar se edhe kjo fjalë është marrë nga fjala “arban” të cilën e përdorin shqiptarët. Ky komb banon në Gadishullin Ballkanik që nga kohët shumë të hershme që nuk ka mundur ta shënojë historia. Kjo është dëshmuar shumë herë. Ndonëse ka qenë në raporte me Greqinë e vjetër dhe me Romën, gjithmonë ka jetuar i ndarë nga ata. Mirëpo, duke e prezentuar të përzier me kombe dhe popuj të tjerë dhe, meqë asnjëherë nuk është shikuar si i bashkuar dhe se ka gjuhën e tij kombëtare, deri më tash (lexo në kohën e S. Frashërit -M.P.) ka mbetur në një gjendje të panjohur. Ndonjëri nga historianët evropianë mendon se ky popull, tash vonë, ka ardhur nga Alabana e Kaukazit, d.m.th. nga Dagistani; ndonjëri thotë se rrjedhin nga sllavët, kurse ndonjë del e thotë se shqiptarët janë një popull që ka mbetur në një gjendje të egër e që rrjedh nga grekët.

Sami Frashëri (1850-1904), së bashku me gruan e tij

Sami Frashëri (1850-1904), së bashku me gruan e tij

Çdonjëri prej tyre, pa dyshim, është larg të vërtetës. Edhe disa historianë tanë kanë supozuar se shqiptarët janë një fis arab që ka ardhur nga Arabia. Ç'është e vërteta, të gjithë këta e kanë ditur që në gjuhën e tyre ka ngjashmëri me greqishten e vjetër, latinishten dhe sllavishten ose që ka fjalë të përziera, por kanë menduar se këto fjalë janë marrë nga ato gjuhë. Më në fund, kur disa studiues të mirëfilltë evropianë u thelluan në studimin e gjuhës shqipe, kuptuan se në çfarë raporti qëndron kjo gjuhë me gjuhën e vjetër greke si dhe me gjuhët: latine, sllave, gotike. persiane dhe sanskrite. Duke marrë në shqyrtim esencën e gjuhës shqipe dhe, duke studiuar hollësisht edhe historinë e tyre, kuptuan rrënjën dhe prejardhjen e popullit shqiptar, prej nga ka ardhur dhe çka u bë me të. Kjo çështje që kishte mbetur me shekuj në një gjendje enigmatike dhe të paqartë, tani është zgjidhur në tërësi dhe është vërtetuar se kombi shqiptar është njëri nga degët më të lashta të kombeve të Azisë dhe të Evropës të quajtur “Aria”. Nëse i jepet rëndësi çështjes së fjalëve shqipe që janë në lidhje dhe të ngjashme me gjuhën e vjetër greke, gjuhën latine, sllave dhe gjer-mane, pastaj me të gjitha gjuhët e vjetra evropiane të cilat rrjedhin nga këto gjuhë, në njërën anë, dhe me gjuhët persiane, zende dhe sanskrite nga ana tjetër, diskutimi këtu do të zgjasë shumë dhe për lexuesin tanë, meqë do të flitet për dy çështje abstrakte (të panjohura), do të shkaktojë mërzi dhe lodhje. Mund të themi që, po të bëjmë një fjalor etimologjik të fjalëve të gjuhës shqipe, do të mbesin shumë pak fjalë që nuk do të kenë raporte dhe ngjashmëri me një ose me disa gjuhë që i numëruam këtu. Mirëpo, nuk mund të konstatohet në mënyrë bindëse se këto fjalë janë marrë nga ndonjë gjuhë tjetër, sepse, shihet qartë se ka shumë fjalë, format rrënjore të të cilave janë në gjuhën shqipe, dallohen nga format rrënjore të fjalëve të gjuhës së vjetër greke dhe latine. Edhe ky është një argument që provon se gjuha shqipe është më e vjetër se gjuha e vjetër greke dhe ajo latine, prandaj edhe populli shqiptar është më i vjetri. Ngjashmëritë dhe lidhjet që kanë disa fjalë shqipe me gjuhët persiane, zende dhe sanskrite më shumë se të gjitha gjuhët e tjera ariane të Evropës, tregojnë se gjuha shqipe nuk është e një dege me gjuhët latine, greke e sllave, porse është një degë e drejtpërdrejtë e gjuhëve të vjetra ariane dhe se ky popull kryesisht ka ardhur nga Azia Qendrore në Evropë, ashtu si popujt e lashtë të tjerë arianë. Popujt që janë në Evropë, në kohë shumë të lashta, sipas argumenteve më bindëse, duke u këputur nga anët e Belhit dhe Heratit të Azisë Qendrore, grupe-grupe kanë migruar drejt Perëndimit; një pjesë prej tyre në Maverai Nehri dhe në Rusi, një pjesë në Iran dhe në Anadoll, dhe një pjesë në Kaukaz dhe në brigjet e Detit të Zi, pastaj janë shpërndarë në të gjitha pjesët e Evropës. Këto migrime, ndërkaq, nuk kanë ndodhur njëkohësisht, por me intervale të gjata kohore. Është e ditur se populli kelt, i cili ishte i shpërndarë në Evropën Perëndimore, është nga të parët që ka ardhur. Ja pra, edhe shqiptarët është e mundshme të kenë ardhur në ato kohë, d.m.th. ose pak para, ose pak pas tyre.

Zaten, ngjashmëritë e gjuhëve si dhe disa ngjashmëri të tjera specifike tregojnë qartë se këta dy popuj kanë ardhur njëkohësisht, ose njëri pas tjetrit. Keltët u vendosën në perëndim, kurse shqiptarët në lindje të Evropës. Ndërkaq, shumë më vonë, në veri të Evropës erdhën e u vendosën totonët dhe sllavët. Në atë kohë shqiptarët quheshin “pellasxh” ose “pellazg”. Sipas një varianti, ky emër rrjedh prej fjalës shqipe “plak” (ar., turq. ihtijar dhe kadim) që, sipas historianëve, u jepej atyre që ishin të vjetër, Sido që të jetë, ky komb në atë kohë ka qenë i përhapur në të gjitha anët e Gadishullit Ballkanik dhe në anët perëndimore të Anadollit.

Helenët të cilët erdhën më vonë, ua nxorën nga dora pellazgëve Morenë dhe një pjesë të Greqisë, prandaj një pjesë e madhe e pellazgëve, për të kompensuar këtë, kaluan në Itali dhe ka mundësi që, duke u përzier me popullin që gjetën aty ose që kishte ardhur më vonë, të kenë formuar popullin latin. Edhe nga Greqia pellazgët nuk u tërhoqën krejtësisht, por mbetën grupe-grupe në male dhe në krahinat e Etolisë dhe Akarnanisë; shumë prej tyre u përzien me helenët dhe u asimiluan. Pellazgët, d.m.th. shqiptarët e lashtë, sipas asaj që do të shihet në vazhdim, ishin të ndarë në katër degë:

1.Ilirët, ishin të përhapur që nga kufiri i Greqisë së Vjetër deri në pikën më në veri të gjirit të Adriatikut, d.m.th. në Shqipërinë e tanishme , në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Dalmaci.

2. Maqedonasit (e lashtë - M.P.); banonin në pjesën e Maqedonisë që shtrihet nga mali Pindos dhe Sharr e deri në malin Rodop, lumin Karasu dhe Detin Egje, d.m.th. në anën e Selanikut, Manastirit, Shkupit dhe Serezit.

3. Trakasit, banonin në anët e vilajetit të Edrenesë, Bullgari e, mbase, deri në anën e djathtë të lumit Danub.

4. Frigiasit (frixhiasit) ishin të përhapur në pjesët nga Bregdeti i Anadollit deri në Ankara dhe Sivas. Katër popujt që i numëruam, është argumentuar bindshëm se janë degë të popullit pellazg. Vetëm se shumë më të afërt, si në gjuhë, si në veti dhe zakone, ishin ilirët me maqedonasit, në njërën anë, dhe trakasit me frigasit, në anën tjetër. Veçanërisht gjuha e ilirëve me gjuhën e maqedonasve ishte si një gjuhë e vetme. Afërsia e këtyre katër popujve ishte aq e fortë saqë kur të gjithë mbretërit dhe heronjtë grekë ishin tubuar për ta sulmuar mbretin trojan që konsiderohej nga frigiasit, historikisht është vërtetuar se shumë nga Maqedonia e lashtë dhe Trakia u kishin shkuar në ndihmë trojanëve kundër grekëve. shihet qartë se është fjalë shqipe “bukë” që përdoret edhe tani në gjuhën shqipe. Disa emra që ruhen në histori nga gjuha e popullsisë së lashtë maqedonase, frigiase dhe trakase, shihet se kanë ngjashmëri me fjalët e gjuhës shqipe që përdoren sot. Veçanërisht Herodoti, babai i historisë, shpjegon atë lidhje, duke thënë se në gjuhën frigiase bukës i thonë “buks”. Kështu, kur hiqet s-ja e cila është një prapashtesë greke, që është shtuar nga vetë Herodoti.

Edhe Straboi që ka jetuar në shekullin e parë të erës sonë, duke treguar qartë se ilirët dhe maqedonasit (e lashtë - M.P.) janë një popull i vetëm dhe se flasin me të njëjtën gjuhë, thoshte: “Banorët e Epirit, të Maqedonisë dhe të Ilirisë flasin me një gjuhë, i presin flokët (qethen) në të njëjtën mënyrë si dhe zakonet dhe vetitë (moralin) i kanë të njëjta”. Pastaj, në një vend tjetër thotë: “Këta udhëhiqen nga këshillat pleqërorë që i quajnë “plagonija”, plakut i thonë “plajis”, kurse plakës “plaje”. Kështu, fjalët “plakonja” dhe “plak” siç përdoren tani në gjuhën shqipe me këto kuptime, malësia shqiptare që i ka ruajtur zakonet e vjetra, mosmarrëveshjet që ndodhin në mes tyre, sot i rregullojnë përmes këshillave pleqërorë që i quajnë “plakonja” (pleqni - M.P.).

Sikurse u tha me një mendim të prerë se katër popujt që u përmendën më lart rrjedhin nga pellazgët, po ashtu, pa fije dyshimi, është konstatuar se ilirët janë gjyshërit e shqiptarëve të sotëm. Janë ruajtur (regjistruar) me saktësi ngjarjet që kanë rrjedhë qe dy mijë vjet, kurse në këtë kohë nuk mbahet në kujtesë se një popull ka ardhur nga jashtë dhe është vendosur në trojet e shqiptarëve (në Shqipëri). Përveç kësaj, marrë në përgjithësi, ka edhe më shumë fakte e argumente që provojnë se pellazgët e vjetër dhe shqiptarët e tashëm janë të një race dhe kanë gjuhë të njëjtë. Sidomos, historianët e vjetër grekë tregojnë se feja dhe besimet e grekëve të vjetër dhe të romakëve janë marrë nga pellazgët e vjetër. Edhe emrat e perëndive romake e greke, sikurse është treguar qartë, janë të pellazgëve, pra, të shqiptarëve të vjetër. Pra, pa u friguar se do të përgënjeshtrohem nga historia dhe, duke menduar se nuk do të mendohet se kam dashur t'i zmadhoj gjërat, meqenëse vetë i takoj racës shqiptare, mund të them se populli shqiptar dikur ka qenë një popull i madh që shtrihej nga Trieshta deri në Sivas, pra në dy territore të mëdha: në Evropë dhe në Azi. Mirëpo, duke qenë në mes popujve dhe shteteve të mëdha të Iranit, Greqisë, Romës etj., dhe, duke rënë në dorë të pushtuesve të ndryshëm, pellazgët u asimiluan dhe u zhdukën në Anadollinë e atëhershëm, pastaj, duke u tërhequr edhe nga Trakija dhe nga anët juglindore të Maqedonisë dhe nga ana e Ilirisë, d.m.th. nga Bosnja dhe Hercegovina dhe, duke u nxjerrë nga ana e bullgarëve dhe sllavëve të cilët sulmuan vazhdimisht, janë ngjeshur në pjesën jugperëndimore të Maqedonisë dhe në pjesën perëndimore të Ilirisë, d.m.th. në Shqipërinë e sotme (lexo: në kohën e Samiut - M.P.).

Link pjesa e dytë: Shqiptarët (2)

Marrë nga libri Kâmûs al-a’lâm i autorit Sami Frashëri

Link versioni italisht: Gli Albanesi


1 commento:

  1. Shume interesante! Sa injorante qe jemi apo na kane lene! Si eshte e mundur qe kemi mbaruar shkollat, edhe universitetet ne kohen e monizmit dhe ne ate kohe keto gjera nuk shkruheshin as ne librat e shkollave dhe as ne libra per publikun e gjere, gjersa i ka pas shkruar keto edhe Sami Frasheriyne?!
    Komplimenti juve dhe faleminderit per çka beni per te ndriçuar mendjet e shqiptareve!

    RispondiElimina