Shqiptarët (2)
-Pjesa e dytë dhe e fundit-
Link pjesa e parë: Shqiptarët (1)
Shqiptarët nuk i kanë ndryshuar zakonet dhe vetitë që i kanë pasur nga koha e ilirëve dhe pellazgëve. Gjithnjë kanë jetuar të ndarë dhe të vetmuar nga popujt e tjerë. Edhe në mes veti kanë jetuar të ndarë në fise të vogla dhe të hasmuar njëri me tjetrin. Po t'i shikojmë të dhënat historike të Strabonit, vërejmë se - thotë Samiu - mënyra e jetesës së tyre që ka qenë në ato kohëra, vazhdon edhe sot në Malësinë e Dibrës dhe të Shkodrës. Për këtë arsye, duke mos qenë të bashkuar, nuk kanë mundur të formojnë një shtet ose të shkruajnë gjuhën e tyre kombëtare ose të krijojnë një letërsi kombëtare. Edhe njerëzit e mëdhenj (të ditur) që ka pasur ky popull, kanë qenë të detyruar të mësojnë në ndonjë gjuhë tjetër dhe me atë gjuhë kanë qenë të shtrënguar të gjenden në punët shtetërore. Në këtë mënyrë kanë mundur shumë pak të shërbejnë në ngritjen dhe famën e popullit që i kanë takuar. Të jetuarit në këtë mënyrë, ka ruajtur në gjendje të vjetër si gjuhën, si zakonet vetitë e tyre dhe ka qenë shkak në mospërpjekjet e tyre për ndryshime.
Sami Frashëri 1850 - 1904
Shqiptarët prej kohësh ishin të ndarë në fise-fise dhe, meqë janë udhëhequr nga kryetarët e tyre dhe nga këshillat pleqërorë, nuk është dokumentuar historia e tyre. Sikurse është e ditur, kishin formuar tri shtete; njëri ishte në Shkodër, tjetri në Epir, d.m.th. në territoret e Janinës dhe, i treti në një qytet të vjetër Pella i cili ishte në afërsi të Jenixhe-i Vardarit të Maqedonisë. Ky i treti është i njohur si shtet i Maqedonisë, historia e të cilit është dokumentuar plotësisht Ky shtet u bë i njohur me ngjarjet shumë të mëdha që mund t'u thuhet madje të jashtëzakonshme, si p.sh. pushtimi i menjëhershëm i shumë vendeve të botës që nuk ishin të njohura dhe të ditura në atë kohë e deri në Indi nga ana e Aleksandrit (Lekës) të Madh (turq. Iskender Zülkarnejn) i biri Filipit. Vetëm se për shkak të rrethanave të njëjta që u përshkruan për shqiptarët, edhe Leka i Madh ka mësuar në gjuhën greke. Megjithëse, ashtu siç ishin maqedonas të gjithë ushtarët që merrnin pjesë në pushtime, po ashtu, edhe ai vetë ishte maqedonas për nga origjina dhe gjuha. Madje, edhe pse është e ditur se ai nuk i ka dashur grekët, i ka konsideruar popull të madh. Mbreti më i njohur i mbretërisë së Epirit ishte Pirroja, i cili dy herë i kishte mundur romakët. Edhe pse kishte ngadhënjyer dhe ishte zgjëruar deri në Greqi dhe Egjipt, dhe, edhe pse kishte ambicie të pushtojë edhe më tepër, kur vdiq, la pas vetes diçka më tepër se pasuria që kishte gjetur nga babai i tij. Edhe nga mbretërit e Ilirisë që kishin fituar famë më të madhe, ishte mbretëresha Teuta dhe mbreti Genci i Parë (Gjençoja) = kështu e përdor Samiu në: “Shqipëria çka qenë...” - M.P.). Shqiptarët, të cilët së bashku me Lekën e Madh kishin pushtuar botën, nuk pranuan t'u nënshtrohen lehtë romakëve. Ata u bënë atyre një qëndresë të vendosur, saqë Paol Emili, pasi i mundi me forcat e tij të mëdha, për hakmarrje i rrënoi 85 qytete të tyre dhe disa qindra mija njerëz i zuri peng dhe ashtu të lidhur me pranga i dërgoi në Romë. Ja, që nga ajo kohë filloi fatkeqësia e këtij populli. Nga njëra anë u gjendën nën romakët, nga ana tjetër, për të mos u marrë nëpër këmbë nga avarët, hunët dhe popuj të tjerë gjakpirës, shkatërrimtarë dhe të egër, të cilët kohëve të fundit u vërsulën dhe sulmuan nga anët veriore, shqiptarët u tërhoqën në vende malore dhe të sigurta, duke qenë të detyruar të lëshojnë vendet pjellore dhe të rrafshta, kurse një pjesë, duke braktisur në tërësi atdheun e tyre, u detyruan të ikin në Greqi, More, në ishujt e Greqisë deri në anët qendrore dhe në ujdhesën Marmara. Kështu, një pjesë e shqiptarëve, afër gjysma e kombit, mbeti në Greqi dhe në More, përgjithësisht, në ujdhesat greke dhe në Marmara që nga ajo kohë. Ndërkaq, ata që mbetën në Shqipëri u tërhoqën në vende të sigurta natyrore. Meqë gjithnjë jetonin me armë në dorë, ndiqnin rrugën e mbretërve romakë dhe bizantinë. Në të vërtetë, këta udhëhiqeshin në mënyrë të pavarur nga kryetarët e vet, sikurse në të kaluarën dhe këta kryetarë dalëngadalë merrnin gradën e princit ose mbretit. (...) Edhe disa qytete dhe kala që ishin në brigjet e Adriatikut, kaluan në duart e venedikasve.
Ja pra, në këtë gjendje ishin shqiptarët kur në pjesën e Rumelisë shkeli këmba e sulltanëve Osmanë dhe luftëtarëve muslimanë. Sado që disa prej princave deridiku rezistuan, shumë prej tyre, duke parë forcën dhe potencialin ushtarak, u dorëzuan pa luftë, prandaj gati të gjithë princat ende mbetën në vendet e tyre. Këta kishin disa privilegje dhe të drejta në Shtetin Osman. Mirëpo, më pastaj Skënderbeu i mblodhi të gjithë këta princa, të cilët vetë e njohën atë për prijës dhe komandant të tyre. Duke qenë një njeri jashtëzakonisht trim, i aftë dhe me përvojë luftarake, Papa dhe mbretërit e tjerë të krishterë të Evropës, me qëllim që ta prëdorin si mbrojtës, atë e trimëronin dhe e stimulonin të luftojë kundër turqve osmanlinj. Ndonëse i premtonin se do t'i shkonin prapa dhe se do t'i ndihmonin, këtë nuk e bënë kurrë.
Skënderbeu hyri në luftë me Osmanlinjtë. Luftoi 40 vjet rresht . Duke u bazuar në pozitën strategjike natyrore të vendit dhe, duke besuar në premtimet e Papës dhe të mbretërve evropianë, ndonëse e shihte se ata dëshirojnë ta përdorin si një mjet, të futet në zjarr, bëri që Shqipëria të gjendet në zjarr e flakë plot gjysmë shekulli. Pastaj, me vdekjen e Skënderbeut, tërë Shqipëria ra në duart e pushtetit Osman. Edhe gjatë asaj kohe disa qindra-mija shqiptarë u shpërngulën për në Kalabri dhe Siqeli të Italisë, e një pjesë prej tyre u shpërdanë nëpër Venedik, Gjenevë, Marsej, bile edhe në Spanjë.
Vetëm se ata që u vendosën në Kalabri dhe Siqeli, meqë formuan fshatra të pastra shqiptare, kanë ruajtur deri më tash gjuhën racën dhe fenë e tyre, numri i të cilëve arrin përafërsisht 250 mijë (dyqind e pesëdhjetë mijë).
Kështu, pasi shqiptarët hynë nën administratën osmane, të gjithë bejlerët dhe njerëzit autoritativë menjëherë e pranuan fenë e drejtë islame. Pas pranimit të Fesë islame nga ana e tyre, gradualisht edhe të tjerët filluan ta pranojnë, kështu, për një kohë të shkurtër 2/3 e popullit shqiptar u bënë muslimanë, kurse 1/3 që mbetën u ndanë, gjysma në ortodoksë dhe gjysma në katolikë. Shqiptarët që nuk iu bindën shtetit romak dhe bizantin dhe që deri diku nuk e dëgjuan Lekën e Madh, i cili ishte bashkëkombës i tyre, u bënë të përbashkët me osmanlinjtë, kaluan në ngritjen dhe famën e Shtetit Osman, u bënë shumë dashamirës dhe nidhmës në zgjërimin e pushtimeve osmane dhe islame. Deri në kohën e formimit të ushtrisë së rregullt e të organizuar të gjithë shqiptarët ishin pjestarë të ushtrisë së armatosur të përhershme të shtetit. Kur urdhëronin këta, ashtu të armatosur, ishin të gatshëm të shkonin deri në shkretëtirat e Sudanit. Edhe shteti (Osman), duke i çmuar lartë shërbimet dhe miqësinë e tyre, ua besonte pozitat më të larta shtetërore. Shqiptarët morën pozita të larta në shtetin Osman; vetëm pashallarë, të cilët u bënë sadriazema (kryeministra) ishin 25, madje, në mesin e tyre kishte të tillë që në kohën e Sulltan Selimit të parë dhe Sulltan Sulejmanit, arritën të bëhen sadriazema nga pesë herë.
Janë dëshmuar edhe aftësitë e shqiptarëve të krishterë të Greqisë dhe të Italisë. Kapedanët, kryetarët dhe shumë e shumë të tjerë të cilët në mënyrë vetëmohuese morën pjesë në revolucionin për pavarësinë e Greqisë, prej të cilëve më të dalluarit; Boçari, Xhavella, Kanari, Bollgarisi, Bubulina, ishin shqiptarë. Sikurse këta, edhe shumë prej atyre që ia zbardhën fytyrën dhe i ndihmuan Garibaldit në bashkimin nacional italian ishin shqiptarë të Italisë. Pra, ashtu sikurse janë, kryesisht, shqiptarë ata që ende udhëheqin Greqinë, e sidomos ata që e kanë drejtuar flotën e tyre, po ashtu edhe nga shqiptarët që janë në Itali ka shumë njerëz të ditur, të vyeshëm, poetë, shkrimtarë etj. Nga ky popull arritën të bëhen edhe papë, siç është Klementi i njëmbëdhjetë. Mendoj që mjafton të përmendet se nga ky komb është zotëri Krispi, i cili e udhëheq diplomacinë e Italisë edhe në ditët e sotme.
Shqiptarët nga stërgjyshërit e tyre i kanë ruajtur doket dhe moralin, nderin dhe krenarinë, kanë ruajtur edhe çështjen e mbajtjes së premtimit që e quajnë “besa”. Ata janë të gatshëm gjithnjë të japin jetën e tyre për mbrojtjen e kombit, fisit, familjes, madje dhe vetëm për të ruajtur fjalën e tyre të dhënë.
Edhe pse për nga gjuha ndahen në dy degë-në gegë dhe toskë, nuk bëjnë dallime, por të gjithë krenohen me emrin shqiptar. Gegët janë të vendosur në pjesën veriore të Shqipërisë, kurse toskët në pjesën jugore të saj. Lumi i Shkumbinit që kalon pranë Elbasanit është si vijë dalluese e tyre. Dialektet e gegërishtes dhe të toskërishtes dallohen në mes tyre vetëm në të shqiptuar, në theks dhe në disa shprehje, kurse në thelb, gjuha është e njëjtë, prandaj shumë mirë e kuptojnë njëri-tjetrin. Në këtë gjuhë ekzistojnë disa libra në prozë dhe poezi me tematikë fetare katolike të shkruara para 400-500 vjetësh; poashtu ekzistojnë disa këngë popullore të ruajtura që nga shekulli XV. Dallimet e tyre nga gjuha e sotme qëndrojnë vetëm në atë se janë përdorur në atë kohë; tash në vend të tyre muslimanët përdorin disa fjalë e shprehje arabe, kurse të krishterët disa fjalë e shprehje greke. Edhe pas pranimit të Islamit në Shqipëri kemi shumë poetë e shkrimtarë. Ata kanë thurur divane, poema, me tema të ndryshme nga lëmi fetar: këshilla, ligjërata fetare (vaize), pastaj mevludin për Muhammedin a.s., për tragjedinë e Qerbelasë etj. Të gjitha këtyreve mund t'u thuhet, zakonisht, një letërsi. Mirëpo, meqë muslimanët kanë shkruar me alfabet arab, ortodoksët me alfabet grek dhe katolikët me alfabet latin dhe, meqë veprat e tyre janë të mbushura me fjalë dhe shprehje të huaja dhe, meqë ndjekin shembullin e letërsisë të popujve të huaj, letërsia kombëtare shqiptare nuk ka mundur të zë vendin e saj të meritueshëm. Veprat e shkruara para 4-5 shekujve ose që, së paku, kanë mbetur prej asaj kohe e të përmbledhura më vonë, kanë mundur të zënë këtë vend. Ortodoksët, të krishterët toskë, ishin duke u greqizuar, sepse, që atëherë, vazhdimisht punonin dhe mësonin sipas shkencës greke. Edhe insti-tucionet greke ndihmuan në këtë dhe, sado që tek një pjesë arritën deri diku të ndikojnë të harrojnë gjuhën e tyre amtare, këta botuan libra mësimorë me alfabet shqip që i kanë sistemuar më vonë. Në Toskëri janë hapur disa shkolla të posaçme për të mësuar shqip, gjë që edhe këta kanë ndikuar në ruajtjen e kombit. Pas nxitjeve dhe stimulimeve kundër tyre, vazhdimisht filluan ta urrejnë dhe të largohen nga Greqia. Kështu, në kohën e Sulltan Abdylmexhidit të Dytë edhe shqiptarëve, iu bë e mundshme të shkruajnë gjuhën dhe letërsinë e tyre, filluan të përparojnë. Shqiptarët që janë në shtetin Osman janë rreth 2 milionë, prej tyre 2/3 janë të besimit islam. Edhe shqiptarët që janë në Greqi dhe në Itali janë mbi 500 mijë. Shqiptarët, zaten, meqë janë të vendosur më tepër në vendet malore dhe në vendet jopjellore, vendet e tyre nuk mund t'i furnizojnë me gjëra ushqimore, prandaj shumica prej tyre merren me zanate dhe tregti. Duke marrë rrugën e kurbetit në çdo anë të shtetit Osman, pastaj duke shërbyer me rrogë në ushtrinë osmane dhe në xhandarmëri, shkojnë deri në Egjipt, Sudan e bile edhe në Jemen. Duke qenë larg grave të tyre, duke u martuar, sipas zakonit të tyre, vonë, e disa duke u martuar jashtë vendit të tyre, duke u shpërngulur e duke marrë pjesë vazhdimisht nëpër luftëra bëri që numri i tyre të mos jetë i madh.
Nga të parët që e kanë bërë të njohur në Evropë kombin shqiptar, origjinën dhe gjuhën e tyre, kanë qenë dr. Hahni, i cili një kohë të gjatë ka qëndruar në Janinë e në Shkodër si konsull i Austrisë; linguisti i famshëm Bopi, Dora d'Istria, e cila është vetë shqiptare dhe rrjedh nga Gjikajt që kanë sunduar si princa në Rumani, pastaj shqiptarët e Italisë Dorsa, zotëri Krispi, Kamarda, De Rada e të tjerë, të cilët kanë shkruar shumë vepra në gjuhët gjermane dhe italiane, përkitazi me shqiptarët .
Marrë nga libri Kâmûs al-a’lâm i autorit Sami Frashëri
Link versioni italisht: Gli Albanesi (2)
0 Comments