-Pjesa e dytë dhe e fundit-

Link pjesa e parè : Mbretëria e Princit të Vidid (1)

Në terren, oficerët hollandez filluan të organizojnë xhandarmërinë. Majori Thomson formoi repartin që ishte i destinuar për Shqipërinë e Jugut dhe i besoi “patriotizmit të tyre pamvarësinë e vendit”. Problemet finanziare mbetën pa zgjidhje. Në të vërtetë në shkurt nuk ishte akoma derdhur kësti i parë i huasë prej 75 milionë franga ari që ishte premtuar nga Fuqitë e Mëdha, kështu që Austro – Hungaria dhe Italia dhanë një paradhënie prej 5 milionësh secila. Princi kishte filluar të krijonte Oborrin e tij dhe kishte programuar vizitata zyrëtare Fuqive që e kishin zgjedhur, më përpara në Romë dhe në Vjenë, e më pas në Londër e Paris duke kërkuar që të ruante të ekuilibruar raportet me Austro –Hungarinë dhe Italinë, por nuk anashkalonte raportet me Fuqitë në përgjithësi.

Në Durrës filluan mënjëherë punimet për restaurimin e një pallati të vjetër që ishte i destinuar të bëhej pallati mbretëror. Nga Berlini erdhën mobiliet e dërguara nga Vidi dhe nga Vjena erdhën restauruesit.

Mbërritën në Durrës edhe “gjashtëmbëdhjetë kuaj dhe tre komplete të kuq që përdoreshin për gjah” mbi të cilët, mbas fundit të mbretërimit ironizoi “Illustrazione Italiana”, por që në fillim kishte përshëndetur Princin kur kishte mbërritut në Romë si “personazh i shquar, me gusto të hollë dhe një zotëri i shkëlqyer” dhe i kishte dedikuar kopertinën portretit të tij kur kishte takuar San Xhuliano-n.

I pritur me komente dhe me njëfarë triumfi sepse “në në formimin e Shtetit të ri kishte mbizotëruar politika italiane”, Vilhelm i Vidid mbërriti në Romë më 10 shkurt për të marrë nga mbreti i Italisë “një lloj përkrahje morale”.

Princi takoi Viktor Emanuelin e III-të që e dekoroi me kollaren e Shën Maurizit dhe Llazarit, vizitoi Kryeministrin Xhioliti dhe pati një bashkbisedim të gjatë me San Xhiuliano-n. “Giornale d’Italia” theksoi që nuk bëhej fjalë “për vizita të thjeshta protokolli, por për mbledhje afaresh nga të cilat [Vidi] do të nxjerri mësime për të ditur se si të sillet kur të jetë ai që do të qeverisi, midis njëmijë vështirësish që rrjedhin jo vetëm nga kushtet e brendëshme të Shqipërisë, por edhe nga situata diplomatike, që kërkon një sens ekuilibri” dhe i uroi me ton paralajmërimi që Princi i Vidid të kishte kuptuar që “rruga për në Durrës kalon nga Roma e nga Vjena […]”.

Romë.Princi i Vidid takon markezin e San Xhulianos

Romë.Princi i Vidid takon markezin e San Xhulianos

“La Tribuna”, me më shumë optimizëm shkruante: “Shqipëria mbas konvulsioneve partizane të Vlorës dhe Durrësit […] u qetësua në një pritje plot me besim të Sovranit që Fuqitë kanë zgjedhur. Princi i Vidid ka sot rreth tij elementët më të mirë të shtetit të ri. Ka një mirkuptim që mund të duket edhe pak i pabesueshëm”. Gjithshka dukej gati për aventurën e madhe. Por si thuhet, djalli fshihet gjithmonë në detajet dhe nuk vonon që të duket. Në përgjithësi kur nervoziteti i të gjithve është në maksimum. Të nesërmen e këtyre komenteve entuziastë, u mor vesh që mbas vizitave dipllomatike dhe mbasi të shkonte në Neuwied për të pranuar fronin, Princi do të nisej për në Durrës me luftanijen e marinës Austriake “Taurus”, e përgatitur veçanërishtë për udhëtimin dhe e shoqëruar nga një skuadrilje ndërkombëtare, dhe do të imbarkohej në Trieste. Por një traditë “e pashkelur që nga 1866” (viti i betejës së Lisës) donte që asnjë luftanije italiane nuk mund të vizitonte Triesten.

Kapiteni Kastoldi – oficer italian “komandant pranë ministrisë së Jashtëme për misionet dipllomatike” që së bashku me Buchberger formonte gabinetin politik të Princit – u shpejtua të minimizonte çështjen dhe mbi të gjitha të theksonte nevojën e bashkpunimit italo – austriak dhe sinqeritetin e mardhënieve ndërmjet dy kryeqyteteve. Megjithatë eksitimi politik që u shkaktua nga kjo ngjarje në Trieste dhe në Romë, qe i tillë që ministria e Marinës deklaroi që kryqëzori “Quarto”, i vendosur që të shoqëronte Princin, do të qëndronte në Adriatik dhe do të takohej me luftanijen “Taurus” në det të hapur.

Më 12 shkurt Esat Pasha u nis nga Shqipëria për misionin e tij solemn mbasi kishte mbajtur një fjalim lavdërues për Princin. Të nesërmen – tre ditë mbas vizitës së Princit në Romë – pashai pa ju dridhur qerpiku deklaroi në Romë gazetarëve që “vetëm një pakicë të egzaltuarish kishin bërë të mundur për një moment që Europa të besonte që në Shqipëri egzistonin fraksione kundër Princit” dhe ndihej krenar dhe i lumtur për misionin që i kishin ngarkuar duke shtuar: “delegacioni që unë udhëheq është manifestimi i parë i koshencës kolektive që populli shqiptar tregon që nga koha e Skëndërbeut”.

Delegazioni shqiptar bëri një ndalesë në qytetin e Këlnit, për të përcaktuar protokollin e ceremonisë së ofrimit të fronit. Por doli një problem i vogël formal: Esat Pasha do ti lexonte Princit emërimin e tij në gjuhën shqipe, dhe do ta quante Mbret, por ç’farë titulli do të përdorej në përkthimin frëngjisht që do ti jepej Mbretit, titulli Princ apo i Mbret i Shqipërisë? Ndërkohë, koronat që argjendari Dopler kishte projektuar – “dy rretha të artë të mbushur me turkez” – nuk do të vendosej mbi ta as kryqi dhe as gjysëm hëna, por ylli si një simbol më neutral.

Më 21 shkurt Neuwied, qyteti i Prusisë pranë lumit Ren, ishte e zbukuruar për festë me një hark triumfi përpara kështjellës së Vidid, përshëndeti delegacionin shqiptar që u prezantua me veshje të zezë dhe me kapele me cilindër, dhe u prit nga mareshalli i Oborrit. Pinci përshëndeti Esat Pashën, i cili mbajti fjalimin me të cilin i lutej të pranonte fronin e Shqipërisë “së lirë e të pamvarur, e detyruar të luftojë me zjarr për lirinë e saj, por që kurrë nuk ka harruar të shkuarën e saj të lavdishme dhe që ka ditur të mbajë shpirtin nacionalist dhe gjuhën e të parëve”. Esat Pasha garantoi Princin që “shqiptarët kishin për të qenë pa përjashtim shtetas besnik të Madhërisë Suaj dhe gjithmonë të gatëshëm për të ndimuar punën tuaj për ti dhënë Shqipërisë në një avenir më të mirë” dhe përfundoi me ritualin “Rroftë Mbreti i Shqipërisë”.

Vilhelmi i Vidid u përgjigj në gjermanisht duke pranuar fronin “e vendit që mbas luftimesh dhe vështirësish të shumta kishte arritur që të ishte i lirë” dhe garantoi impenjimin e tij për mirëqënien e popullit shqiptar”. Princi nuk fshehu dyshimet që kishte pasur, i vetëdijëshëm për vështirësitë e mëdha dhe përgjegjësinë që kishte, por përfundoi , që kishte marrë garancinë dhe besnikërinë e gjithë shqiptarëve.

Neuwied. Ofrimi i fronit të Shqipërisë në një kopertinë të "Tribuna Illustrata”

Neuwied. Ofrimi i fronit të Shqipërisë në një kopertinë të “Tribuna Illustrata”

Në të njëjtën kohë, gjatë kthimit për në Durrës, Esat Pasha ndaloi në Vjenë ku më 1 mars, u prit nga Perandori dhe nga Berchtold i cili i dha Kryqin e urdhërit të Françesko Xhusepe. Një e veçantë e çuditëshme por jo pa interes për të kuptuar konkurrencën italo - austriake, në të njëjtën ditë ambasadori i Italisë në Vjenë, Arvana ftoi Esat Pashën në Ambasadë dhe i dha medaljen e Kavalierit të Koronës së Italisë. Në Shqipëri konfuzioni po rritej. Një demostratë patriotike ortodokse në favor të Princit të Vidid u organizua në Durrës ku, nga ana e tij Myftiu i myslymanëve mbajti një fjalim që kishte si qëllim bashkimin e gjithë shqiptarëve pa dallim feje. Në të njëjtën kohë Zografos telegrafoi nga Korfuzi Komisionit të Kontrollit dhe “një asamble e epirotëve” e mbajtur në Gjirokastër kishte vendosur lirisht që të mos njihte sovranitetin shqiptar dhe që konsideronte armiqësore hyrjen e trupave shqiptarë në “Epir”.

Gjatë rrugës për në Durrës, Princi u prit me hare në Trieste më 5 mars dhe jo vetëm nga autoritetet austiake por edhe nga personalitete katolikë shqiptarë të lidhur me Austrinë, kryepeshkopi Bianki, dhe nga një tjetër personalitet i fuqishëm siç ishte imzot Kaçorri. Mbas imbarkimit në luftanijen “Taurus” që kishte vënë flamurin shqiptar, dhe mbas një vizite në kështjellën “Miramare” ku u përshëndet nga goditjet e topave, Princi me gruan e tij mori detin i shoqëruar nga skuadrilja ndërkombëtare të cilës pastaj ju shtua luftanijet italiane me në krye kryqëzorin “Quarto”.

Më në fund më 7 mars 1914 sovranët sbarkuan në Durrës që ishte i tëri i zbukuruar me flamuj, dhe u përshëndetën nga goditjet e topave të luftanijeve dhe të baterisë së kryeqytetit, të shoqëruar nga dy batalione nderi, një italian dhe një austriak, të pritur nga prefekti i qytetit, nga gjenerali De Weer që komandonte xhandarmërinë dhe nga personalitete shqipëtarë, ndërsa banda luante himnin kombëtar të kompozuar nga maestro italiani Nardella, dhe delegacionet e misardhjes i jepnin tufa me lule princeshës. Krahas delegacioneve të huaj, erdhën edhe delegazione nga çdo anë e vendit, nga provincat “akoma jo të lira” dhe të kolonive shqiptare jashtë atdheut si edhe arbëreshët italianë për të treguar besnikëri Mbretit të Shqipërisë.

Sapo mbërriti, Princi lëshoi një deklaratë që do të na dukej e çuditëshme – dhe në fakt është – po të mos kemi parasysh kohën dhe atmosferën: “do të jetë një regjim ky i imi as absolut dhe as kostitucional: vullneti im do të hyjë direkt në organizimin e Shtetit, por vendi do të ketë përfaqësuasit e tij në një Senat të zgjedhur gjysma nga unë dhe gjysma nga populli”.

Aristokracia e Durrësit, imbarkohet në barkat e marinës italiane për të pritur Princin e Vidid

Aristokracia e Durrësit, imbarkohet në barkat e marinës italiane për të pritur Princin e Vidid

Durrës. Mbërritja e Princit të  Vidid . Me shpinë  Esat Pash Toptani

Durrës. Mbërritja e Princit të Vidid. Me shpinë Esat Pash Toptani

Festa për ardhjen e Princit zgjati një javë dhe u mbyll më 16 mars në katedralen ortodokse në prani të kryepeshkopit katolik të Shkodrës Imzot Serreqi dhe të abatit të mirditorëve me një Te Deum solemn në nder të Princit që kishte veshur me këtë rast uniformën blu të gjeneralit shqiptar, “i shoqëruar nga princesha me fustan vishnje”.

Ndoshta edhe për të mohuar thashethemet e vigjiljes, Perandori Vilhelmi i II-të u shkroi shqiptarëve një proklamë “që presim që të gjithë sa jeni të mbidheni rreth mbretit tuaj dhe të punoni për arritjen e aspiratave kombëtare”.

Princi i Shqipërisë formoi menjëherë qeverinë e tij. Turkan Pash Përmeti, ambasador i vjetër osman, u bë i pari president i Këshillit të Ministrave dhe ministër i Jashtëm i Shqipërisë së lirë, ndërsa Esat Pash Toptani u emërua gjeneral, ministër i Luftës, dhe mbas pak kohe edhe ministër i Brendëshëm, si përgjegjës i sigurimit kombëtar. Mufid bej Libohova, mbuloi rolin e ministrit të Drejtësisë dhe të Punëve Fetare.

Edhe organizimi i Oborrit po merrte formë. Përveç Trotës, bënin pjesë Kastoldi dhe Buchberger, këshilltarë të Princit dhe segretari të veçantë, anglezi D. Eaton Armstrong. Tre shqiptarë plotësonin strukturën e vogël, çambelani Sami bej Vrioni dhe dy ndimësat në terren Ekrem bej Libohova dhe Selim bej Vasa.

Princi i Vidid e filloi mbretërimin me një vendim të gabuar, sapo formoi qeverinë e re, dërgoi në Vlorë Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit që duhej ta ndihmonte sipas vendimenve të Konferencës së Londrës dhe të mbikqyrte administratën civile dhe financat, dhe mbi të gjitha ishte një aleat i mirë pranë kryeqyteteve të Fuqive.

Jeta në mbretërinë e re filloi me evenimente, që imazhet e fotografive dhe përshkrimet e gazetave, të sjellin nder mend jetën sociale të kolonive europiane të Mesdheut osman; pritje, kafe, tenis, oficerë dhe zonja elegante.

Por realiteti i trubullut shqiptar nxorri krye. Një nga ligjet e para që vendosi shërbimin ushtarak të detyrueshëm, ngjalli pakënaqësi, sidomos midis malësorëve që ishin imunë, ndërsa stabiliteti i brendëshëm ishte i brishtë dhe kjo u manifesta gati menjëherë.

Shkaku qe pushtimi i Jugut nga ana e grekëve. Reparte të “vullnetarëve epirotë” sulmuan xhandarmërinë, që nga ana e saj u mbrojt mirë edhe sepse u ndihmua nga trupa që i dërgoi nga Veriu Bib Doda, “princi” i mirditorëve. Filluan të vinin refugjatë myslymanë nga Tepelena dhe Gjirokastra. Korça u ndihmua nga governatori i Elbasanit. Në Gjirokastër xhandarmëria ndërhyri për të rrethuar lagjen e “epirotëve”, por u ndesh me trupar e rregullta greke të komanduara nga gjenerali Papoulias. Shkelja e pakteve nga ana e grekëve ishte e qartë dhe Princi protestoi me qeveritë europiane. Mori parasysh edhe nisjen e reparteve të armatosura, dukej që ishte më shumë një ide e Esat Pashës i cili deklaroi që donte të marshonte në Epir në krye të 25.000 burrave.

Komisioni Ndërkombëtar, i ngarkuar nga Fuqitë dhe i mbështetur nga paktet italo – austriake, vazhdoi bisedimet me palën greke dhe përfunduan më 17 maj me autoritetet greke së bashku me “epirotët” e Zografit “marrëveshjen” e Korfuzit që do ti jepej për shqyrtim kryeqyteteve europiane të cilat më pas ishin të ngarkuara të garantonin zbatimin e këtij pakti. Aprovimi arriti vetëm më 2 qershor.

“Pakti” ishtë që grekët të evakuonin territoret e pushtuara, por “epirotët” mbajtën një autonomi të tyren që konsistonte sidomos në konvertimin e bandave të tyre të armatosura në një xhandarmëri lokale që do të kryente shërbim vetëm në Korçë dhe Gjirokastër, të përbëra nga vullnetarë që ishin të armatosur por që komandoheshin nga oficerë hollandezë.

Në këto dy qytete, qeveria shqiptare duhej që të emëronte governatorë kristianë që do të kishin përkrahë këshilla të zgjedhur me votim të përgjithshëm. Liria e plotë e fesë ishte e garantuar, gjuha greke do të mësohej në shkolla dhe do të ishte e pranuar në administratë dhe në drejtësi.

Kriza e Epirit pati një jehonë të madhe ndërkombëtare dhe kështu bëri të kalojë në plan të dytë faktet e rënda që ndodhën në Kosovë e cila ishte aneksuar nga Serbia, dhe në territoret e Veriut që i kishin kaluar Malit të Zi. Serbë e malazezë filluan në mesin e prillit, të pushtonin territoret që i ishin dhënë atyre, por hasën një rezistencë të fortë. Shqiptarët ashtu si edhe turqit kërkuan që të arsimoheshin në gjuhën e tyre, por qeveria e Beogradit nuk i pranoi këto kërkesa, dhe i imponoi gjuhën serbe. Kryengritja e shqiptarëve bëri që serbët të sulmonin me egërsi dhe shkaktuan shkatërrimin e një mijë shtëpive shqiptare dhe vrasjen e qindra-mijëra grave dhe fëmijëve. Malazezët edhe ata filluan që të pushtonin territoret që i ishin caktuar atyre, dhe këtu me lëvizje trupash, refugjatë shqiptarë dhe shtëpi të djegura, saqë detyruan kolonelin Fhillips, komandant i Garnizonit Ushtarak Ndërkombëtar në Shkodër, të dërgonte 600 ushtarë ndërkombëtarë të komanduar nga një major gjerman me qëllim që të vinte pak rregull në kufi.

Përktheu nga italishtja Elton Varfi

Marrë lirisht nga libri Albania: un regno per sei mesi i autorit Ferdinando Salleo

Link versioni italisht: Il regno del Principe di Wied (2)

0 Comments