Arkivi i Shtetit i Shqipërisë është i vetmi në të gjithë Europën që ka një kodik kaq të lashtë. Për këtë nuk mund të mburret asnjë arkiv i shteteve të tjera europiane. Është e vërtetë se Biblioteka Nacionale e Parisit ka një numur të madh papirusesh egjiptianë shumë të lashtë, por asnjë bibliotekë e Europës nuk disponon një libër në formën e një kodiku që sipas shumë specialistëve datohet si i fillimit të shekullit të VI pas Krishtit! Çfarë është ky kodik?

Codex Purpureus Beratinus

Codex Purpureus Beratinus

Kodiku i Purpurt i Beratit përbëhet nga 100 fletë në pergamenë të shkruar në dy kolona me përmasa 31,4 x 26,8 cm. Dorëshkrimi është i shkruar në greqishten bizantine dhe përmban dy nga ungjijtë më të vjetër : Ungjillin e Shën Mateut dhe Ungjillin e Shën Markut. Shkrimi i Kodikut ka një karakter të pazakontë: teksti dhe gërmat janë jo me bojë shkrimi por me gërma të derdhura me dy metale fisnikë, me flori dhe me argjend. Alternimi i floririt dhe argjendit është bërë me qëllim të caktuar estetik, si dhe ka të bëjë me strukturën organizative të tekstit në fjalë dhe paraqet një origjinalitet të pashembullt në këtë lloj kodikësh. Përveç llojit të çmuar të metaleve fisnikë të tekstit, duhet thënë që kjo mënyrë ka qenë një zgjuarsi e skajshme pikërisht për të mbijetuar teksti. Nëse teksti do të ishte shkruar me bojë me ngjyra, ose me mellan të zi, pra me një element kimik të të shkruarit, të ujshëm, atëherë mundësia e mbijetesës së tekstit do të ishte e kërcënuar dhe më e paktë. Për fat të mirë teksti është shkruar me gërma metalike dhe kjo ka qenë mundësia absolute dhe më e sigurtë që teksti të ruhet i plotë dhe i pacënuar. Gërmat në argjend dhe në flori janë bërë sipas një teknike të shkëlqyer dhe me një kaligrafi të mrekullueshme. Vetëkuptohet që këto gërma janë bërë paraprakisht në sipërfaqe druri, mbase dhe në sipërfaqe bronzi të gdhendura sipas alfabetit dhe pastaj është realizuar derdhja në flori dhe argjend me saktësi të habitëshme. Ajo që të habit është se përveç gërmave të thjeshta të alfabetit bizantin ka edhe monograme ose signatura, gërma të përbëra, dy ose tri gërma, të cilat sipas kodit alfabetik të Antikitetit të Vonë janë të kuptueshme dhe të shpjegueshme dhe nuk janë përdorur më vonë. Ka qenë kjo veçanti, ky origjinalitet që ka bërë të mundur që studiuesi i shkëlqyer epigrafist i teksteve të greqishtes bizantine Batiffoli, që ka ardhur në Berat dhe e ka parë këtë kodik me sytë e tij, ta klasifikoj Kodikun si të shekullit të VI pas Krishtit. Është me interes të them nga ana ime se shkrimi i greqishtes bizantine në këtë kodik ka disa ngjashmëri me disa shkrime arkeologjike në mozaikët e fillimit të shekullit të VI pas Krishtit në monumente të tjera të Shqipërisë. Po sjell si shëmbull këtu një mbishkrim të mozaikut të Kapelës së amfiteatrit të Durrësit dhe sidomos mbishkrimin e një psallmi biblik të gjetur në bazilikën e gadishullit të Linit në Ohër, mbishkrime këto që i takojnë shekullit të VI pas Krishtit.

Mozaiku i kapelës së  amfiteatrit të Durrësit

Mozaiku i kapelës së amfiteatrit të Durrësit

Kodiku në fjalë ka edhe një motiv dekorativ, që është figura e një zemre me ngjyrë të kuqe. Ky simbol heraldik i zemrës së purpurt ka qenë edhe thelbi i emërtimit të kodikut si Kodiku i Purpurt. Deri më sot nuk është shpjeguar plotësisht semiotika e krishterë dhe kuptimi i zemrës së kuqe. Është shprehur mendimi, se kjo zemër ka të bëjë me zemrën e Krishtit, por është më tepër një shpjegim metaforik dhe letrar dhe jo shpjegim teologjik. Zemra e kuqe nuk është simbol tipik i Krishtit, sepse dihet që simbolet e tij kryesore në atë kohë janë dy: është figura e peshkut dhe simboli i vetë kryqit. Nëse mendojmë se simboli i zemrës ka një karakter profan dhe laik, atëherë shmangemi nga kuptimi teologjik. Ka shumë mundësi që simboli i zemrës së kuqe të lidhet me një stemë heraldike të poseduesve që mund të kenë qenë princër, ose të ndonjë simbolike tjetër, tepër të njohur por tashmë të harruar të shekullit të VI. Ky Kodik është shpënë për restaurim tek specialistë të nivelit shumë të lartë në Kinë në vitet ’70. Gjendja e Kodikut qe e mjerueshme. Specialistët kinezë, jo vetëm kanë dhënë të dhëna analizuese për gërmat prej floriri dhe argjendi, por kanë vërtetuar se pergameni është përgatitur me lëkurë kecash, dhe për bërjen e kodikut janë therur afro 100 keca, duke zgjedhur pjesën më të mirë të lëkurës së tyre. Deri më sot i jemi përmbajtur pikëpamjes së studiuesit autoritar Batiffoli, i cili i nisur më tepër nga kaligrafia e daton të shekullit të VI. Le të më lejohet që gjithsesi të bëj një hamëndje. Çështja e kronologjisë nuk mund të jetë asnjëherë kaq absolute dhe kaq e thjeshtë. Ka element të sotëm të analizave spektrale dhe sidomos të analizës bazë dhe të patjetërsueshme të lëkurës së pergamenit me të cilat mund të përcaktohet një kronologji ndoshta më e hershme, aq më tepër që ndonjë tjetër studiues me të cilin unë bashkohem thotë se Kodiku mund t’i takojë shekullit të V mbas Krishtit dhe sipas mendimit tim, ky Kodik është bërë në periudhën midis perandorit Anastas I i Bizantit ( i cili ka lindur në Durrës) dhe perandorit Justinian (që dihet që është me origjinë ilire). Kjo tezë bëhet më e besueshme kur mbështetesh në argumentin që teksti i Ungjillit të Shën Mateut dhe Shën Markut është bërë në një periudhë kur nuk qe arritur kanunizimi përfundimtar, pra ka shmangie në fraza dhe në ide të tekstit të dy Ungjijve kaq të vjetër. Këto shmangje janë pasuri kolosale e shkencës. Ato kanë një rëndësi jo vetëm filologjike por sidomos teologjike. Dihet se midis shekujve V dhe VI ungjijtë nuk janë akoma kanonikë kanë ndikime nga ungjijtë apokrifë. Është thënë që në Kodikun e Beratit ka ndikime nga ungjijtë e lashtë siriakë, por edhe ndonjë ndikim të ungjijve perendimorë. Për herë të parë unë po bëj publik mendimin tim.

Mendimi im modest është që Kodiku i Beratit është mjë nga tre Kodikët më të vjetër të këtij lloji në botë, është Kodiku i shekullit të IV që ndodhet në Sinai dhe një kodik i shekullit të VI në Arkivin e Moskës. Kodiku i Sinait është në gjuhën aramaike. Rëndësi të posaçme ka teksti i Ungjillit të Shën Markut, sepse sipas studiuesve biblistë gjermanë, Shën Marku është mbështetur në një dokument më të vjetër që quhet konvencionalisht Dokumenti Q, ose i quajtur Ur Markus.

Peshkopi i Beratit në shekullin XIX Anthini ka qenë nga njerëzit më të ditur të kohës së tij. Anthini na ka lënë një libër të mrekullueshëm me të dhëna të pazëvëndësueshme jo vetëm për kulturën mesjetare kishtare të Shqipërisë, por edhe për kulturën antike, madje ka botuar edhe mbishkrime poetike të monumenteve mbivarrose të periudhës helenistike dhe romanke. Peshkopi Anthini e ka parë Kodikun e Purpurt të Beratit dhe është i pari njeri i cili, me bindje të plotë thotë se Kodiku i Beratit është vepër e Gjon Gojëartit. Gjon Gojëarti është një nga figurat me gjeniale të kishës së krishterë të të gjitjë kohërave. Ka një legjendë që Gjon Gojëarti ka jetuar disa kohë në viset e Shqipërisë së Jugut. Madje një studiues i madh i dokumenteve kishtare Zef Valentini, në një botim enciklopedik shumëvëllimësh të titulluar “Kronologjia Shqiptare” është botuar një dokument se, Gjon Gojëarti në rininë e tij ka jetuar në një nga manastiret e Epirit të Veriut, pra në tokat shqiptare. Gjon Gojëarti ka vdekur në vitin 407 pra në shekullin e V pas Krishtit. Pra nëse legjenda apo informazioni i dhënë nga peshkopi Anthim është i saktë, atëherë unë kam të drejtë në tezën time kur them se Kodiku i Purpurt i Beratit i takon shekullit të V dhe jo shekullit të VI. Nuk mund të jenë të rastësishëme legjendat për Gjon Gojëartin në Shqipëri, dhe deri më sot nuk egziston asnjë analizë shkencore e mirëfilltë deri në fund për të përcaktuar nëse Kodiku i Purpurt i takon shekullit të V apo të VI. Në komisionin shtetëror të vlerësimit të kodikut u tha se më 1964, Biblioteka e Vjenës propozoi një çmim prej 1 milion dollarësh. Kodiku sot vlen 10 miljon dollarë. Ky është një çmim konvencional, sepse vlera e Kodikut nuk mund të çmohet vërtet asnjëherë. Ky Kodik është kërkuar gjatë luftës së Parë Botërore për tu rrëmbyer nga austriakët, por nuk kanë mundur. Më 1944 nazistët gjermanë i vunë përpara togës së pushkatimit priftërinjë e katedrales së Shën Marisë në Berat për të treguar jo vetëm këtë Kodik, por edhe të tjerë të vjetër, por priftërinjtë shqipëtarë u treguan patriotë të mrekullueshëm dhe nuk u dorëzuan. Ruajtja e Kodikut të Beratit, por edhe e kodikëve të tjerë ka patur një organizim të habitshëm. Pranë kishave të Beratit ka qenë një grup i organizuar tepër ngushtë, një këshill segret i tipit okult. Ky këshill përbëhej vetëm prej tre vetësh, dhe i besonte vetëm njerit person segretin e fshehjes së kodikut. Pjestarët e tjerë të këshillit dinin vetëm emrin e njeriut që kishte përgjegjësi përpara Zotit dhe kombit për fshehjen segrete të kodikëve. Përpara vdekjes ky njeri bënte të njohur në këshillin segret, faktin që tashmë poseduesi i segretit duhej të bëhej një tjetër njeri, i cili kishte jetë më të gjatë. Mbas kësaj caktohej njeriu tjetër, i cili e dinte vetëm ai vendin segret të fshehjes së kodikëve dhe askush tjetër. Njeriu i fundit nga ky këshill segret qe beratasi i mrekullueshëm, i krishteri Nasi Papapavli. Është e habitëshme se si Nasi Papapavli kur ndjehu që po i vinte vdekja, befas bëri një shmangie nga rregulli shekullor i këshillit segret. Është e vërtetë që akademiku Aleks Buda, shkoi shumë herë tek shtëpia e Nasi Papapavlit dhe ju lut atij në emër të shtetit dhe kombit shqiptar që ta tregonte segretin. Për shumë vjet Nasi nuk u lëkund dhe nuk e tregoi. Në vitet ’60 pas një sëmundje të beftë egzistonin vetëm dy mundësi, me vdekjen e Nasit të varrosej përfundimisht edhe vendi segret i fshehjes së Kodikëve dhe as historia shqiptare dhe as ajo botërore mo sta gjenin më thesarin e kodikut, por edhe mundësia e dytë, meqënëse kishin vdekur të tërë anëtarët e tjerë të këshillit segret, Nasi Papapavli për hir të interesave shumë të larta dhe të patjetërsueshme të kombit dhe shtetit shqiptar ta “tradhëtonte” segretin e madh. Ai tregoi vendin ku ishin fshehur kodikët. Ky vend egziston akoma edhe sot ashtu i hapur pranë absidës së katedrales së Shën Marisë në Berat. Kodikët u nxorrën nga vendi ku ishin fshehur në një moment tepër tragjik. Nga lagështia ishin dëmtuar jashzakonisht dhe ishin gati të thërmoheshin në çast. Deri në vitin 1944 kodikët, duke përfshirë edhe Kodikun e shekullit të VI ishin në gjëndje relativisht të mirë. Madje me Kodikun e shekullit të VI bëheshin meshat solemne. Është një meritë e madhe e shtetit shqiptar që në mënyrë maksimale u kujdes për kodikët e rëndësishëm. Por ka në fakt që nuk e nderon shtetin totalitar: njeriu i thjeshtë, por atdhetari shumë i madh fetari Nasi Papapavli duhej nderuar deri në fund, madje ai meriton një monument për aktin e tij madhështor. Kështu shteti shqiptar siguroi thesare të pallogaritëshme që tejkalojnë kufijtë e Shqipërisë dhe janë subjekte eskluzive të kulturës së njerëzimit. Kodiku i Beratit i shekullit të VI i bën një nder të posaçëm Shqipërisë dhe u preftë në paqe shpirti i atyre priftërinjëve të Beratit që shpëtuan nga vdekja një mrekulli të rrallë. Amin!

Marrë lirisht nga libri Mes Laokontit dhe Krishtit, i autorit Moikom Zeqo

Link versioni italisht: Il Codice Purpureo di Berat

0 Comments