Sot është përvjetori i 543 i vdekjes së heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Me këtë rast po sjellim “vdekjen e Skënderbeut” sipas Marin Barletit.

Në kohën kur ai kish shëtitur me kalë tërë krahinën për të shikuar ushtrinë dhe kish arritur më në fund në Lisos, për të thirrur atje shokët dhe të konfederuarit, Skënderbeun e zunë një palë ethe të rënda. Prandaj duke ia patur për hera e më tepër frikën vehtes, meqë sëmundja po keqësohej dita ditës, dhe duke menduar se i kishte ardhur dita e fundit e jetës, dha urdhër që të mblidheshin gjithë shokët dhe princët që kishin ardhur tek ai, të dërguarit e venedikasve, si dhe kapedanët dhe krerët e ushtrisë së tij. Dhe të gjithëve u foli me mirësi kështu:

Gjergj Kastrioti Skënderbeu

Gjergj Kastrioti Skënderbeu

Virtuti më i lartë dhe besa e vërtetë, o princër fort bujarë dhe ju, o bashkluftëtarë të mij shumë të dashur, kujtoj se është së pari të adhurosh, të kesh kujdes dhe të nderosh si duhet, me shpirt të pastër e me frikë Perëndie në zemër, Zotin e madh dhe të vërtetë. Së dyti jo vetëm ta duash dhe të kesh gjithmon para syve atdheun dhe shtetin, ku secili ka lindur dhe është edukuar, por edhe ta mbrosh e ta shpëtosh edhe me gjak. Të gjithë këtyreve që e bëjnë këtë s’ka dyshim se të diturit u kanë caktuar një vënd të veçantë në qiell. Këto pa dyshim të gjitha këto kurdoherë unë i kam patur për zëmër dhe për to kam derdhur tërë zotësinë, dhe jam përpjekur me mish e me shpirt. Dëshmitarët më të mirë për këtë unë kam së pari Perëndinë dhe ju […].

Unë po e ndjej tanimë, o bashkëluftëtarë të mij, po e ndjej, them se sipas paracaktimit të providencës Hyjnore, nga e cila me plot të drejtë ne pohojmë se varet e drejtohet gjithëçka, mua më duhet që pasi ta flak këtë barrë[1] të përkohëshme dhe të përmotëshme, të shkoj në vënde të tjerë[2] dhe të këmbej këtë jetë të shkurtër e vuajtjet e saj me jetën e vërtetë. Dhe ju betohem, ky mendim ose më mirë kjo domosdoshmëri nuk më trondit mua në asnjë mënyrë. Unë nuk i shtrohem me pahir kësaj zgjedhe që na e vënë qysh kur lindim fatitë. Nuk duhet të na vijë keq aspak, nuk duhet të vajtojmë asnjë çikë, sepse nuk pësojmë kundër ligjit; përkundrazi në bazë të ligjit, ne kemi lindur që të vdesim, dhe kësaj domosdoshmërie s’ka kush i shpëton. Më në fund balta duhet t’i kthehet baltës; ne duhet ti bindemi natyrës; ky shpirt i përjetëshëm dhe i pavdekshëm dhe kjo frymë qiellore duhet t’i kthehet atij që na e dha dhe na e huajti […].

Por para se të heq frymën e fundit dhe të iki nga ju e t’ju lë, është nevoja para së gjithash për një gjë mendova t’ju flas e t’ju këshilloj, që shpëtimin dhe nderin e Republikës së krishterë dhe të besës katolike ta kini edhe këtej e tutje, pas vdekjes sime gjithmonë në zëmër, gjithmonë para syve, dhe të derdhni deri në pikën e fundit tërë djersën tuaj, siç e keni derdhur gjer tani me mua gjallë […].

Si tha këto fjalë, vazhdoi pastaj me birin, duke thirrur me një herë pranë dhe duke e këshilluar me fjalë përkëdhelëse kështu:

O biri im, biri im Gjon, ja unë po vdes tanimë dhe ty po të lë fëmijë të vogël e të njomë, por me mbretëri e pushtet të fortë dhe të patundur sigurisht, po të jesh i mirë, dhe të dobët dhe të pafuqishëm po të jesh i keq. Prandaj përpiqu dhe kujdesu fort që të mos vësh gjë përpara mirësisë dhe virtutit, sepse me anë të këtyre dhe veten tënde do ta shpëtosh, edhe mbretërinë dhe pushtetin jo vetëm që do ta kesh të qetë dhe pa dallgë, por edhe do ta rritësh çdo ditë do ta bësh më të madh e më të shkëlqyer. Por tani o bir, ti je i pafuqishëm për shkak të moshës dhe jo mjaft i zoti për të mbajtur frenat e pushtetit; përveç kësaj ti ke armiq nga të katër anët, ke egërsirat më të këqia që përpiqen paprerë të të shqyejnë dhe të të gllabërojnë, ke Mehmetin, atë tiranin e dëgjuar, armikun e përbashkët të të gjithë të krishterëvet, i cili, po të marrësh o biri im, përsipër kaqë i vogël dhe i pafuqishëm, kujdesin e mbretërisë sate atërore, do të të dërmojë dhe do të të shemb krejt. Prandaj o shpirti im sapo t’ia kesh mbyllur dhe shtrënguar sytë babës, dhe sapo të ma kesh futur trupin në varr, hidhu menjëherë së bashku me tët’ëmë në Dauni, dhe shko sa më shpejt në qytetet dhe kështjellat e tua [3]dhe qëndro atje gjersa të të dërsijnë mustaqet dhe të bëhesh i zoti për të drejtuar dhe qeverisur shtetin tënd […].

Por kur të kthehesh o biri im e të rrish në mbretërinë tënde të paqësuar e të qetë dhe të marrësh përsipër kujdesin dhe drejtimin e saj, respekto para së gjithash drejtësinë, e cila është më e shkëlqyera nga të gjithë virtytet, ruaj paanësinë, duke mos bërë asnjë dallim ndërmjet fytyrës së të varfërit, të të pasurit dhe të të fuqishmit, në çdo gjë përdor urtësinë dhe maturinë. Mbretërinë tënde gardhoje dhe forcoje me anë të miqësisë, sepse mburoja të mbretërisë nuk janë as thesarët, as ushtritë por miqtë të cilët nuk mund t’i kesh as me armë, as me ar; ata fitohen me anë të mirëbërësisë dhe besnikërisë […].

Kopertina e librit

Kopertina e librit

Këto janë o drita ime, o biri im porositë dhe mësimet që unë vet kam marrë e kam mësuar nga prindi im, mësonjës i merituar dhe nga këto mësime kam mbetur gjithmonë i kënaqur […].

Po atë natë Skënderbeu pas pendimit të shenjtë dhe të rrëfimit, dhe pas misteresh të tjera kishëtare që i bëri me respektin e duhur, vdiq duke ia dorëzuar vehten dhe sopirti Zotit të madh më 17 janar të vitit 1468 pas Krishtit. Skëndërbeu, pra, thuhet se u nda kësaj jete në moshën 63 vjeçare, në vitin 25 të mbretërimit të tij. M’anë tjetër Skënderbeu e filloi mbretërimin e tij më 28 Nëntor në vitin 1443.

Kur dëgjoi që po e qanin të vdekur, Lek Dukagjini, princ epirot, doli me vrap në mes të pazarit dhe me fytyrë të pikëlluar e me zë të mbytur tha, duke çkulur mjekrrën dhe flokët; “mblidhuni, mblidhuni me vrap të gjithë o princër e sundimtarë arbëror. Sot u bënë cop dyert e Epirit dhe të Maqedonisë, sot u rrëzuan muret dhe fortesat tona; sot fluturoi tërë forca dhe fuqia jonë, sot u përmbysën fronet dhe pushtetet tanë; sot u shua krejt së bashku me këtë njeri çdo shpresë e jonë”.

Skënderbeu u varros në qytetin e Lisos, në kishën më të madhe të Shën Kollit. Ceremoni e varrimit u bë sipas zakonit të të parvet. U bë me madhështi të paparë. Trupi i tij u përcuall me vaj nga të gjith ushtarët, dhe me pikëllim sipas zakonit të vendi nga të gjithë princët dhe kapedanët. Dhe eshtrat e tij, që u vunë n’atë vënd, pushuan në paqe gjersa Mehmeti, prijës i turqëve , erdhi në Arbëri dhe në Epir për të sulmuar qytetin e Shkodrës. Gjatë kësaj kohe, turqit dhe barbarët, duke u bërë zotër të qytetit të Lisos, gjetën dhe nxuarrë nga varri me dëshirë shumë të madhe trupin e Skënderbeut. Dhe atë që kur ish gjallë, ia kishin frikën fort, dhe vetëm me t’i dëgjuar emrin merrnin arratinë, tani, s’di a sepse ashtu deshi Perëndia, dëshironin me të madhe ta shikonin të vdekur dhe pothuajse të tretur, që të mos them që deshën ta nderonin dhe ta adhuronin. Dhe me të vërtetë, te varri dhe eshtrat e tij u mblodhën që të gjithë, e kush e kush më parë, sepse kujtonin se do të ishte fatbardhë dhe shumë i lumtur ai që do mund t’ia shikonte dhe t’ia prekte, kurse më i lumtur ai që do të siguronte për vehte një copëzë fare të vogël prej tyre , të cilën e qepnin dhe e zbukuronin, një palë me argjënd, një palë me ar, dhe e varnin në qafë si ndonjë gjë hyjnore, të shenjtë dhe vendimtare për fatin e tyre, dhe e nderonin me respekt shumë të madh e me frikë Perëndie në zemër, duke kujtuar se të gjithë ata që i mbanin me vehte ato thërmia do të kishin në jetë po atë fat e mbarësi që pat nga perënditë e pavdekshme dhe gëzoi sa qe gjallë, vetë Skënderbeu, i vetmi ndër gjithë njerëzit me sa mbahet mënd.



[1] trupin.

[2] në botën tjetër.

[3] qytetet dhe kështjellat që i ishim dhuruar nga Ferdinandi, mbret i Napolit.

Marrë me shkurtime nga libri Historia e Skënderbeut i autorit Marin Barleti

Link versioni italisht: La morte di Skanderbeg


0 Comments