“Lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta këtu në mesin tuaj”.

Ndoshta me këto fjalë heroi kombëtar i Shqipërisë, Athleta Christi, Gjergj Kastrioti Skënderbeu ju drejtua ushtisë së tij të rradhitur për betejë, kur tashmë kishte çliruar principatën e tij Krujën nga Osmanët dhe kishte ngritur fitimtar flamurin e Kastriotëve (që më vonë do të bëhej flamuri kombëtar i Shqipërisë). Këtë fjalë na e sjell Marin Barleti në veprën e tij Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarvm principis. Ndoshta autori për një formë romantiçizmi të tepruar ka vënë në gojë të princit të Krujës fjalë që heroi nuk i ka thënë kurrë, por brenda kësaj fraze gjejmë një të vërtetë të madhe historike: dëshirën për liri të popullit shqipëtar. Një popull i paepur, që nuk duronte tiraninë osmane, dhe që priste vetëm një shkëndij për tu rrebeluar. Kthimi në Krujë i Skëndërbeut më 28 nëntor 1443 është një datë historike për Arbërinë. Kjo datë shënon fillimin e një rezistence heroike të shqiptarëve që do të zgjaste për njëzetepesë vjet me radhë deri në vdekjen e Skëndërbeut, kundër fuqisë më të madhe luftarake të kohës: Perandorisë Osmane.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu

Gjergj Kastrioti Skënderbeu

Por kryeveprën e vërtetë Skëndërbeu do ta kryente në Lezhë më 1444 kur arriti që të bashkoj gjithë princat shqiptar nën një flamur për të luftuar për të njëjtin objektiv, të mbanin vendin të lirë nga turqit. Me vdekjen e Skënderbeut (17 janar 1468), Osmanët arritën të pushtonin përsëri Shqipërinë që do të hynte në periudhën e saj më të errët që do të zgjaste për katër shekuj. Katër shekuj mundimesh për popullin shqiptar. Pjesa më e madhe e tij u kthye me forcë në Myslimanizëm.

“Porta e Lartë” ishte tolerante me nënshtetasit jo myslimanë. Në fakt i lejonte grekëve mësimin e gjuhës së tyre. Çuditërisht trajtimi që kishin nënshtetasit shqiptarë edhe pse këta ishin me fe myslimane ishte i veçantë. Turqia kishte ndaluar hapjen e shkollave në gjuhën shqipe dhe gjithashtu përdorjen e kësaj gjuhë si gjuhë zyrtare. Politika agresive ndaj shqipëtarëve e Xhonurqëve që morrën pushtetin në Turqi më 1908, qe pika e fundit e durimit për shqiptarët. Shqiptarët filluan që të kërkojnë të drejtat e tyre. Kërkesa e parë e shqiptarëve qe mësimi i gjuhës së tyre. Situata e brendëshme e Shqipërisë dhe mardhëniet me “Portën e Lartë” filluan të përkeqësohen seriozisht në fillimin e vitit 1910 në Kosovë ku shpërtheu shpejt një kryengritje që u përsërit edhe më në Jug. Më 29 shtator 1911 Italia deklaroi luftë Turqisë. Konflikti italo – turk bëri që situata në Ballkan të keqësohet. Lufta ballkanike kaloi në rajon si një tërmet. Konflikti degjeneroi në egzekutime në masë në dëm të popullsisë civile shqiptare, në Veri nga ana e serbëve dhe malazezëve, por më shumë ne Jug nga ana e grekëve. Urrejtja dhe intoleranza raciale e fetare bënë që në mungesë të strukturave qeveritare dhe në përhapjen në masë të armëve të kishte masakra dhe shaktërrim në pjesën më të madhe të një shteti që akoma nuk egzistonte. Gazetat e kohës dhe tregimet e memorialistëve na flasin për fshatra të djegura, sakatime, familje të shkatërruara, burra dhe fëmi të masakruar në emër të “pastrimit etnik”, kolona me refugjatë dhe skena dëshpërimi kolektiv, dhunë të çdo lloji që na kujtojnë në mënyrë impresionate imazhet që na treguan tmerrin e shkaktuar nga lufta në Bosnjë dhe Kosovë në fundin e viteve ’90 të shekullit të kaluar.

Shqipëria e Veriut. Viktimat e masakrave

Shqipëria e Veriut. Viktimat e masakrave

Kryengritja shqiptare mori hov të ri dhe nisi gjithmonë nga Veriu por shumë shpejt u përhap në të gjithë vendin. Kjo kryengritje përgatiti rrugën e fitores për aleatët ballkanik kundër Turqisë, dhe e bëri të mundëshme këtë fitore, duke pasur një rol që nuk ju dha në atë kohë rëndësia e duhur. Pikërisht në këtë klimë të formimit të ndërgjegjes kombëtare të popullit të lashtë shqipëtar, që plaku i mençur Ismail Qemal Bej Vlora, më 28 nëntor 1912 ngriti në Vlorë flamurin shqiptar të kuq me shqiponjën dykrenare të zezë të Skëndërbeut, dhe Shqipëria u bë e pamvarur nga Perandoria Osmane. U formua një qeveri provizore e drejtuar nga vet Ismail Qemali, u vendos që të zgjidhej një Senat që të kontrolloj dhe ndihmoj qeverinë. Shpallja e pamvarsisë iu notifikua “Portës së Lartë” dhe fuqive europiane. Një delegacion u dërgua jashtë për të mbrojtur të drejtat e shqipëtarëve.

Ismail Qemali me Isa Boletinin, kreu i kryengritjes së kosovarëve kundër turqëve

Ismail Qemali me Isa Boletinin, kreu i kryengritjes së kosovarëve kundër turqëve

Zgjedhja e datës dhe e mitit të Skëndërbeut nuk ishin të rastësishëm. 28 nëntori siç pamë kujtonte një datë historike, datën e çlirimit të Krujës nga turqit, dhe shqiptarët po çliroheshin përfundimisht nga mbeturina e Perandorisë Osmane. Kulti i Skëndërbeut u bë një element bashkimi që përqëndrohej mbi identitetin kombëtar. Shqiptarët lanë mënjanë mosmarrveshjet e ndryshme. Megjithë diferencat ndërmjet Veriut dhe Jugut, ndërmjet Toskëve dhe Gegëve, shqiptarët patën një reagim të fortë patriotik. 28 nëntori i vitit 1912 hyri në historinë e Shqipërisë si “dita e flamurit”. Shqipëria më në fund kishte fituar pamvarsinë. Por sipas pakteve ndërkombëtar Shqipëria e pamvarur do të bëhej vërtetë më 1913. Më 29 korrik 1913 në Londër, konferenca e ambasadorëve të gjashtë fuqive të mbëdha vendosi që Shqipëria ishte formuar në principatë autonome, sovrane dhe trazhgimtare nën garancinë e gjashtë fuqive që [do të zgjidhnin] Princin dhe bëri skemën e shtetit të ri. Por në këtë konferencë u morrën edhe vendime të turpëshme. Në Veri Kosova i kaloi serbëve. Në Jug Greqia mori Çamerinë.

Harta e Shqipëris etnike

Harta e Shqipëris etnike

Siç mund të kuptohet pamvarësia i kushtoi shtrenjtë shqipëtarëve. Më shumë se gjysma e territoreve që populloheshin nga etni shqipëtare mbetën jastë kufijve të Shqipërisë të sapoformuar (Peja, Ohëri, Struga, Gjakova, Ulqini etj). Nuk duhet harruar represioni dhe gjenocidi i pësuar nga popullësitë shqiptare që mbetën jashtë kufinjëve nga ana e serbëve dhe grekëve. Gjaku i atyre të pafajëshme kërkon akoma drejtësi.

Politika shovinishte e vëndeve kufitar me Shqipërinë si Serbia dhe Greqia, dëshmojnë edhe sot në vitin 2010 që ata kurrë nuk kanë hequr dorë nga pretendimet territoriale ndaj vendit tonë. Shqiptarët nuk duhet të bëjnë gabimin që të ndihen të sigurtë, por duhet të jenë gjithmonë vigjilent. Konferenca e Londrës e 1913 duhet që të jetë një paralajmërim për të ardhmen. “Dita e flamurit” akoma edhe sot arrin që bashkojë të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, sepse është e vetmja festë kombëtare që festohet në të gjithë territoret ku ndodhen shqipëtarë, nga të gjitha etnitë dhe fetë (katolike, ortodokse dhe musulmane), dhe nga të gjithë ata që ndihen pjesë e popullit të lavdishëm dhe të lashtë shqipëtar.

Elton Varfi

0 Comments