domenica 17 aprile 2011

Shqipëtarët në Siçili. Disa çështje të tyre. Kolegji grek i Palermos. Njerëz të shquar.

Kur pjesa e ushtarëve shqiptar, e udhëhequr nga Gjergji dhe Bazili bij të Dhimitër Reres, të cilët erdhën në ndihmë të Alfonsit I të Aragonës për ti dhënë fuqi në Kalabri, nga kjo provincë kaluan në Siçili, dhe u ndalën në Bisiri tokë e Mezarezes ku ishte garnizoni. Në atë kohë ata ushtarë të mirë nuk kishin qëllim që të vendoseshin e të jetonin jashtë atdheut të tyre, i cili edhe pse ishte i keqtrajtuar nga Turqit, kishte akoma krahët e Skënderbeut qè i jepnin siguri.

Ballina e librit

Ballina e librit

Por rrëfehet që më 1450 këta ushtarë u trasferuan nga Bisiri për në feudin e Konteshës[1], dhe aty formuan fshatin me këtë emër. E braktisën mbas disa viteve për të shkuar në Shqipëri ku lufutan nën flamurin e atdheut: por u kthyen për ta ripopulluar kur vdiq kryetrimi i Kastriotëve dhe për atë tokë filloi një epokë e tmerrëshme dhe fatale. U bashkun me ta një numur i madh familjesh të shquara fisnike, dhe nga këto familje patën origjinë kolonitë sikulo – shqipëtare. Shtatë ishin në fillim këto koloni. Kontesha, Hora e Grekëve[2], Palazzo Adriano, Mezoiuso, Bronte, S. Angelo, S. Michele. Por tashmë kanë mbetur vetëm katër të parat, duke qenë se tre të fundit kanë ndryshuar ritin e baballarëve dhe kanë humbur gjuhën dhe zakonet.

Kontesha pra, njeh themelimin e saj më 1450, dhe ripopullimin më 1480 nga trimat që erdhën me Reres në Kalabri që më 1448. Feudi i përkiste Alfonso di Cardona, dhe paktet e bëra me shqiptarët mbajnë datën 14 dhjetor 1517.

Hora e grekëve u themelua më 1488, në atë kohë morri aprovimin sovran të pakteve të bëra më 13 janar 1487 midis shumë familjeve shqiptare dhe Kardinalit Borxha që ishte Kryepeshkopi i Monreales, pakte me të cilat ky njeri i lejone këto familje të banonin dhe të kultivonin në dy feudet e Merko dhe Aydingli që i përkisnin këtij Peshkopati. Më përpara ishin vendosur në këmbët e malit Pizzuta të organizuar në kampe në mënyrë ushtarake. Ndërruan vënd mbas një viti dhe zbritën në fushën që ndodhej aty afër, sepse ajri i ashpër i malit ishte i dëmshëm për ta.

Pamje nga Hora e Shqiptarëve

Pamje nga Hora e Shqiptarëve

Palazzo Adriano na shfaqet në vitin 1482. Këtë e vërtetojnë paktet që u bënë nga Gjergj Mirspi, i ngarkuar nga ana e trembëdhjetë familjeve shqiptare, dhe Xhovani Vilaraut zot i feudit që i lejoi këtyre familjeve që të banonin dhe të kultivonin. Më 1507 ky feud i kaloi Kardinal Galkoti-it, dhe ky me pakte të reja konfermoi plotësisht të parat.

Mezoiuso u vendos në qarkun me këtë emër në vitin 1501. Themeluesit e tij kishin bredhur për disa feude përpara se të nguleshin në këtë feud që i përkiste Manastirit Benedetin të S. Giovanni degli Eremiti. Imzot Alfonso d’Aragona që ishte Primari i atij Manastiri, kishte i lejuar shqipëtarët që të banonin që më 1490 por nuk i lejoi atyre privilegje dhe i zgjeroi paktet me ta vetëm më 1501.

Manastiri Benedetin i S. Giovanni degli Eremiti

Manastiri Benedetin i S. Giovanni degli Eremiti

Këto koloni që u vendosën në Siçili tërhiqnin vëmëndjen e përgjithëshme për zgjuarësinë e banorëve dhe për sjelljen e mirë të tyre, rriteshin çdo ditë falë fluksit të banorëve vëndas të besimit katolik. Duke qenë se ishin shqiptarët ata që themeluan këto koloni, besonin që kishin përparësinë si morale, civile ashtu edhe kishtare në këto koloni. Në fakt vetëm atyre i lejohej që të kishin pozita publike dhe e konsideronin këtë gjë si të drejtën e tyre absolute. Por ky privilegj me kalimin e kohës nuk konsiderohej më gati në asnjë nga këto koloni; mbeti në fuqi vetëm në Horën e Grekëve deri më 1819, vit në të cilin me ligje e reja u sheshua çdo pabarazi mes qytetarëve. Shqipëtarët mbajtën parësinë morale dhe kishtare meqënëse Italianët i konsideronin si të huaj në këto komunitete, në të cilat mbizotëronte gjuha dhe zakonet epiriote, dhe Kishat janë me ritin grek: përveç Mozoiuso-s, ku egzistojnë dy kulte, njëri grek e tjetri latin, falë një pakti që bënë këto dy Kisha në këtë vend më 1681.

Nuk do të ndalem tek ndarjet dhe mosmarrëveshjet e vazhdueshme që për shumë kohë trazuan dy Kishat në kolonitë shqiptare të Siçilisë.

Gjatë shekujve të parë të vendosjes së tyre, pa një stabilitet politik dhe pa një peshkop të ritit ortodoks, të rinjtë grekë[3] që dëshironin ti përkushtoheshin fesë pra dëshironin të bëheshin prifta, ishin të detyruar të studionin në seminaret katolikë, dhe për tu urdhëruar prifta duhet që të shkonin në Romë. Nga kjo vinin dy të këqija: së pari nuk mund të thellonin njohuritë liturgjike të Kishës së tyre; së dyti udhëtimet e tyre në kryeqytetin e botës ortodokse ishin shumë të shtrenjtë. Kështu që duke u zvogëluar numri i priftërve dhe duke u bërë më injorant kleri ortodoks, ishte në rrezik zhdukjeje jo vetëm i gjithë riti por edhe gjuha dhe zakonet e të parëve.

Kjo gjëndje e vështirë zgjati deri në mesin e shekullit të shkuar[4]. Jetonte në atë kohë At Gjergj Guzeta, i Kongregacionit të Etërve Olivetanë të Palermos, dhe ky njeri i shtyrë nga ai zelli i Fuqishëm që karakterizon burrat e mëdhej, që sigurojnë një të mirë të përgjithëshme një kombi, me mënyrat e tij të vendosura dhe me vullnetin e tij të hekurt, mori nga Karlo III, që në atë kohë ishte mbret i Dy Siçilive, lejen për të themeluar një kolegj Grek në Palermo, dhe gjithashtu një shumë të madhe parash, që iu morën mensave të peshkopëve katolikë nën juridiksonin e të cilave ishin këto koloni.

At Gjergji Guzeta (1682 – 1756), themeluesi i kolegjit greko – shqiptar të Palermos

At Gjergji Guzeta (1682 – 1756), themeluesi i kolegjit greko – shqiptar të Palermos

Mbasi u arrit ky objektiv i parë, u përpoq që të arrihej një i dytë, domethënë emërimi i një peshkopi grek për urdhërimet e shenjta. Pak vjet më pas mbasi arritën objektivin e parë, kolonitë shqiptare të bashkuara, iu drejtuan mbretit për të arritur edhe objektivin e dytë. Por u detyruan të duronin protestat e peshkopëve latinë të cilët mendonin që ky ndryshim ofendonte të drejtat antike të juridiksionit të tyre. Pët të zgjidhur mosmarrveshjen që ishte ngritur midis fraksioneve kundërshtare, mbreti Ferdinant IV i besoi për shqyrtim këtë çështje Këshillit Suprem të Siçilisë, dhe është i famshëm fjalimi i të shquarit Saverio Matei që shkroi në mbrojtje të shqiptarëve. Çështja u zgjidh në favor të këtyre të fundit në muajt e fundit të vitit 1872. Arritën që të merrinin miratimin e Romës dhe me dekret të datës 10 Janar 1784 u emërua peshkopi i parë greko – italian në Palermo: imzot Gjergj Stasi, që kishte qënë rektor në kolegjin Greko – Shqiptar. Dekreti mbretëror u aprovua me vulën e Papës Pio VI të datës 6 Shkurt të po atij viti, dhe u vendos si përfaqësuese Abacia e Shën Mërisë së Eulës në dioqezën e Mesinës.

Mbas Stasi-t u emëruan edhe dy peshkopë të tjerë, dhe i katërti që, aktualisht[5] ka këtë rrol është Imzot Zef Krispi, njeri i ditur dhe me shumë kulturë që njeh mirë gjuhën greke, ekspert që njeh gjuhë të tjera orientale dhe njohës shumë i mirë i zakoneve të të parëve të tij. Është autor i shumë veprave, mbi të gjitha Corso di Grammatica Greca, që është aq shumë i konsideruar nga gazetat më të famshme të Italisë dhe të Francës dhe Le Sage, që e vendosin atë në Atlas si një nga librat që meritojnë të jenë të konsultuar në aspektin e gjuhës greke.

Imzot Zef Krispi (1781-1859)

Imzot Zef Krispi (1781-1859)

Kolonive sikulo – shqiptare nuk i mungojnë të tjerë njerëz të shquar, dhe është një nder për këtë vepër që ti kujtoj me respekt. At Gjergj Guzeta, që siç e pamë ishte themeluesi i kolegjit Grek të Palermos, mund të meritojë denjësisht nga atdheu i tij titullin e babait të kombit: në fakt ai shkriu jetën e tij për të mirën e bashkatdhetarëve të tij. Përveç kolegjit themeloi në Horën e Shqiptarëve Kongregacionin e Oratorit S. Filippo Neri, dhe një kolegj vajzash shqiptare ku mund të edukoheshin me ritin ortodoks dhe i quajti murgeshat Basiliane. U shquajt për diturinë e tij dhe njohjen e gjuhës greke dhe latine, dhe egzistojnë të shkruara per tij një Kronikë e Maqedonis që arrin deri në kohën e Skëndërbeut, një Etimologjik, një Apologji të murgeshave të Shpëtimtarit në Palermo dhe shumë diploma etj.

At Antonio Brankato, bashkpuntor kryesor i At Gjergji Guzeta-s në themelimin e kolegjit të Marisë me rit grek në Horë, edhe ai ishte një njeri që meriton të kujtohet nga pasardhësit. Është autor i shumë poezive fetare shqiptare.

Paolo M. Parrino lindi në Palazzo Adriano dhe vdiq në Palermo më 1765. Shkroi shumë vepra të redaktuara në latinisht, midis të tjerave një Disertacion mbi ritin grek në Sicili, dhe një Histori të Sakramenteve. Këto dorëshkrime ruhen në bibliotekën e kolegjit Grek.

Jeronim Matranka, klerik i shekullit XVII, njihet i denjë për nderim nga shkrimatarë të ndryshëm dhe përmëndet në fjalor biografik të ndryshëm ndërmjet njërëzve të shquar. Ishte qytetar i Horës dhe vdiq më 1679.

Imzot Katalano, murg Basilian dhe më pas kryepeshkop i Durrësit, lindi në Mezoiuso. Në bibliotekën e kolegjit Grek ruhet një fjalor i tiji Italisht – Shqip dhe Shqip - Italisht në formë dorëshkrimi dhe i bashkëngjitur një ese gramatikore dhe këngë të ndryshme shqiptare.

Nikollë Keta, i lindur në Konteshë, ishte rektor i seminarit Grek, dhe komuniteti shqiptar e kujton si një nga bamirësit më të mëdhej të tij. La disa vepra të shkruara mbi gjuhën shqipe, një fjalor dhe një Etimologjik të së njëjtës gjuhë, si dhe një Histori e Epirit dhe e Maqedonisë.

Nikollë Keta (1741 – 1803), rektor i kolegjit greko – shqiptar të Palermos

Nikollë Keta (1741 – 1803), rektor i kolegjit greko – shqiptar të Palermos

Konti Alesandro Manxoni ishte një nga figurat që kontribuoi shumë në mbarvajtjen e bizneseve në ishullin (e Siçilisë), në atë epokë të vështirë dhe në parlamentin Siçilian më 1812 ishte një nga personalitetet më të shquara.

Duhet që të përmndim këtu edhe Kostantino M. Kostantini, i cili shkroi Commentari ai decreti ed atti ministeriali, poezinë Colombaio dhe një poemë tjetër të papërfunduar mbi Vespri Siciliani; At Serafin Guzeta, Karmelitan i zbathur, dhe ata që bënë misionin në Himarë në Shqipëri, Imzot Skirò, Kryepeshkopi i Durrësit dhe Imzot Bazil Matranka.


[1] Në gjuhën arbëreshe vendi quhet Kundisë . Ndërsa në italisht Contessa Entellina. (shën i red).

[2] Në të vërtetë ky vend është i njohur si Hora e Shqiptarëve. Autori e quan gabimisht këtë lokalitet me emrin Hora e grekëve, sepse riti ortodoks që është i përhapur në këtë lokalitet përdor në liturgjinë fetare gjuhën greke. Në fillii e viteve ’60 të shekullit të XX, ky vend quhet zyrtarisht si Hora e Shqiptarëve. (shën i red.).

[3] Sa herë që autori i drejtohet popullësisë së vendit duke i quajtur Grekë, në realitet kriteri i vetëm që përdor është ai i ritit ortodoks. Është e qartë pra, që Grekët në realitet janë Shqiptarët që u trasferuan në këto vise. (shën.i red.).

[4] Me “shekullin e shkuar” autori bën fjalë për shekullin e XVIII (shën. i red).

[5] Me “aktualisht” autori e ka fjalëm për vitin 1847, vit në të cilin është publikuar libri nga i cili është marrë kjo pjesë. (shën i red.).

Marrë lirisht nga libri Su gli Albanesi ricerche e pensieri i autorit Vincenzo Dorsa

Përktheu nga italishtja Elton Varfi

Link versioni italisht: Albanesi in Sicilia. Loro vicende. Collegio Greco di Palermo. Uomini illustri.

2 commenti:

  1. Arbëreshët e Siçilisë janë vetëm në tri vende:

    Piana degli Albanesi (Hora e Arbëreshëvet), i pari qytet me i vlerë dhe i pipulluar i Arbërisë Siçilljane, Contessa Entellina (Kundisa) dhe Santa Cristina Gela (Shëndastina)! Po këtà jane katundet që mbajten gjuhën, kulturën, traditat dhe ritin grek-bizantine. Vendet si Palazzo Adriano dhe Mezzoiuso nuk janë me Arbëreshë ka tre shekuj, dhe më shumë.

    Për këtë thirrje të fshini fotot të cilat e përshkruajnë Pal. Adriano, pse nuk përfaqësojnë frymën shqiptare respekt gjallë dhe të vërtetë për shqiptarët ende kulturore aktive, si Piana degli Albanesi. Falemenderit

    RispondiElimina
  2. Falemenderit per keta lajme vella shqiptar!

    RispondiElimina