Helenët
Në epokën klasike, për të treguar Greqinë dhe grekët, përdoreshin emrat Helladë (Hellas) dhe helenë. Këto terma Homeri i përmendte si emra, të cilët përdoren për një krahinë të vogël në Jug të Thesalisë dhe për banorët e saj. Në poemat homerike emri helen përdoret vetëm një herë sepse siç e nënvizon Tuqididi, ata nuk përbëjnë popull apo komb (etnikë). Përveç kësaj, ky autor shton se, para Helenit, emri Helladë nuk egzistonte[1].
Në kohë të Homerit grekët nuk dalloheshin ende si grup etnik me të njëjtin emër.
Kërkuesit e sotëm nuk venë re në poemat homerike ndonjë ndryshim etnik midis akeasve dhe trojanëve. Duke u mbështetur tek gjeografët e vjetër, P. Faure shpreh mendimin se në çastet e rënies së Trojës, rreth vitit 1250 para Krishtit, Troja është e populluar nga dardanë, lelegë dhe pellazgë. Në këtë krahinë, ai vë re se fshatrat, malet lumejtë mbajnë emra, të cilët mund të ndeshen që nga brigjet e Thrakës deri në Kretë: As, Berekint, Gargar, Larissa, Olimp, Pergam, Samonion, Tebë. Ai vlerëson se në këtë krahinë, gjuha e dardanëve dhe e pellazgëve ka paraprirë helenët në Arkipel dhe vazhdonte të flitej ende më 1250, në një pjesë të mirë të ishujve, e madje në Greqinë continentale, duke përfshirë këtu Thesalinë[2].
Kopertina e librit
Pra ky autor nxjerr përfundimin se më 1250 para Krishtit, akeasit e Greqisë continentale dhe të Greqisë ishullore, si dhe trojanët janë ende pellazgë ose dhe ilirë të pahelenizuar, të cilët flisnin gjuhën e dardanëve dhe të pellazgëve.
Në lëmin e gjuhësisë në shekullin e VIII para Krishtit, nuk ka ende emër të përbashkët të helenëve, që t’i dallojë nga barbarët. Emrat helenë dhe Helladë do të jenë përdorur vetëm për një krahinë të përcaktuar mirë. Po të konsiderojmë se Deukalioni (gjoja i ati i Helenit) dhe Heleni vijnë pas Homerit, përhapja e emrit të Helladës jashtë krahinës që mbante këtë emër bëhet, siç pohon Tuqididi para Homerit[3].
Terminologia e Homerit është pra si e lëkundëshme, çka do t’i përshtatej pa dyshim një periudhe kur emrat Hellas e helenë vazhdojnë të përhapen.
Edhe E. Lévy mendon se duhet të ketë një farë kondradikte midis terminologjidë së Homerit dhe asaj që duhej përdorur në epokën e tij. Ai përmend komentatorë të tjerë modernë[4], të cilët kanë supozuar se në këtë lëmë, si në të tjerë Homeri arkaizonte[5]. Në katalogun e anijeve, kur bëhej fjalë për kontingjentet e Akilit, poeti i quan mirmidonas, helenë e akeas.
Vallë këtu bëhet fjalë për popuj të ndryshëm? Mirëpo Homeri i vendos këta tre emra në të njëjtin rrafsh. Kurse në Odisenë luftëtarët e Akilit përherë quhen mirmidonas; ata asnjëherë nuk quhen akeas apo helenë.
Në fakt mimidonasit janë banorët e Ftisë dhe akeasit banorë të Argosit pellazg[6]. Heredoti (I, 57) përdorte termin helenë për imigrantët grekë, të cilët dalloheshin nga popullësia e vjetër vendase, që nuk fliste greqisht (dhe prej nga kanë dalë athinasit), të cilët i quan pellazgë[7].
Për autorë të tjerë, autoetnonimi helen dëshmohet vetëm në fillim të shekullit VI (mbishkrim atik)[8].G. Rachet nënvizon faktin se emri parahelen nuk është i përshtatëshëm për të cilësuar qytetrimet e Greqisë para vërshimit të dorëve. Për këtë autor ky emër është një mjet komod për të cilësuar periudhën e kohës kur të gjithë banorët e Greqisë do të quhen helenë[9]. Sipas këtij autori emërtimi i qytetërimit helenik do të mund të përdoret duke filluar nga shekulli i VI para Krishtit.
Si rrjedhim, ne mund të pretendojmë njësoj si Herodoti (I, 56-58), se bota helenike do të jetë zhvilluar duke helenizuar disa popuj barbarë, sidomos pellazgët.
[1] Tuqididi, Archèologie, I, 3.
[2] P.Faure, 1975, f.223-224.
[3] E.Lévy, 1989, f.51.
[4] H.Diller, 1962, f.39-82; P. Wathelet, 1975, f. 128.
[5] E.Lévy, 1969, f. 51.
[6] Ibid., f.51.
[7] Duke filluar nga shekulli IV, grekët e Lindjes quheshin Romaioi (Romakë). Për pasojë, mund të nxjerrim përfundimin se termi helenë gëzon sot një pestigj që nuk mund të krahasohet me prestigjin e asaj kohe.
[8] D. Briquel, 1984, f.20.
[9] G. Rachet, 1993, f.36.
Marrë nga libri Pellazgët dhe Ilirët në Greqinë e vjetër i autorit Arsim Spahiu
Link versioni italisht: Gli Elleni
0 Comments