Është interesant fakti se si shqipëtarët quajnë vendin dhe veten e tyre, dhe se si ata quhen nga të huajt. Vëndi ku shqiptarët jetojnë sot quhet Shqipëri dhe banorët pikërisht shqiptar, ndërsa të huajt vendin e quajnë Albania dhe banorët albanesi.

Pa pasur pretendimin për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë këtë çështje, le të përpiqemi të kuptojmë nëpërmjet shkrimeve të disa studjuesve arsyen e këtij ndryshimi në emërtimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Në vitin 1847 Vincenzo Dorsa në librin e tij “Su gli albanesi, ricerche e pensieri” jep disa mundësi: “diskutohet midis kritikëve mbi origjinën e emrit”Albania”, sepse nuk gjejmë asnjë gjurmë në shkrimet e autorëve antik. Ka disa që mbështesin teorinë që ky emër rrjedh nga Albanët, popull i Azisë i cili ndodhej midis detit Kaspik dhe detit të Zi. Këta popuj sipas këtyre autorëve formuan disa koloni në Maqedoni dhe në Epir”.

Por Dorsa nuk është i bindur për këtë teori. Në fakt na jep një tjetër të dhënë: “Palmerio (Graccia antiqua, Libro 1, Cap. 14),na ka lënë të shkruar që Shqipëria (Albania) quhej kështu për shkak të maleve të larta, dhe kur Galët arritën në atë vënd e quajtën Albani sepse kështu quheshin alpet në gjuhën e tyre”.

Duke u bazuar në këtë teori Dorsa shpjegon termin Albania duke e lidhur me natyrën e “atij vëndi”.

Shkrimtari antik Tolomeu na thotë që në Maqedoni ekziston një mal Albanus, popuj Albani, dhe një qytet Albanopolis. Vetë Straboni kujton malin Albia ose Albion. Në këtë pikë Dorsa bën pyetjen përse mos ti japim rëndësi kësaj të dhëne? Një e dhënë e vetmuar por që na flet qartë.

Versioni personal i Dorsës është ky: Në Lazio ekzistonte Alba, qytet i shenjtë, trashgimi i pasardhësve të Eneas. Romakët të cilët erdhën në Maqedoni dhe në Epir, kur panë qytetin e Albës ose të Albanopolis, ju erdhi në mënd qyteti që quhej Alba në atdheun e tyre (në Lazio). Kështu për ta dalluar nga Alba e Lazios e quajtën Alba-nia, domethëne Alba e re (nia - e re ), siç kanë quajtur edhe Roma-nia, Roma e re toka që u bë vëndi i perandorisë së re […]”.

Edhe për emrin shqipëtar Vincenzo Dorsa jep shpjegimin e tij: “Midis tyre quhen Skipëtari. Questo secondo nome na çon tek σχίφος që Eskili shpjegon duke përdorur fjalën ξίφος shpatë, përdorues të shpatës […]”.

Më 1877, në Paris publikohet libri La Grèce avant les Grecs i autorit Louis Beonlew. Beonlew kërkon të shpjegojë fjalën shqiptar me teorinë e Xylander. Fillon analizën e tij duke thënë që fjala shqiptar ngjason me fjalën shqiptoj, por e braktis shpejt këtë teori sepse nuk është shumë e besueshme. Beonlew krahason fjalën shqiptar me shqiponjë. Po të marrim parasysh se shqiponja jeton ashtu si fajkoi në shkëmb, dhe po të konsiderojmë që skifteri quhet edhe petrit atëherë kjo fjalë na shpie tek fjala greke petra d.m.th. shkëmb. Si rrjedhojë, Shqiptarët quhen ashtu si kishte menduar Xylander, banorë të shëmbinjëve, malësorë.

Sami Frashëri në veprën e tij "Shqipëria ç'ka qënë, ç'është e ç'do të bëhet" (Bukuresht 1899), thotë që ; Prindërit tanë të vjetër u quajtën arbën, fjalë të cilën toskët për shkak të zakonit që kanë për të kthyer n r e bënë arbër siç përdoret edhe sot. D.m.th. ata që punojnë arën, që korrin e mbjellin. Këtë fjalë Romakët e kanë kthyen në alban duke quajtur vëndin Albania[…] dhe kombi i tërë ka marrë emrin shqipëtar dhe vëndi ynë emrin Shqipëri, fjalë të bëra prej shqipes zogut të bekuar të Hyjit që faleshin prindërit e vjetër tanë, dhe që e kemi edhe në flamur[…] .

Robert d’Angely në librin e tij “Enigma” thotë që fjala shqiptar në kundërshtim me mendimin e Vaso Pashës i cili e quante këtë fjalë shumë të vjetër dhe e kundërvinte me fjalën albanë, të cilën ai e besonte si një krijim të albanologëve të sotëm, fjala shqiptar pra nuk datohet në realitet më përpara se viti 1375 në Shqipëri; ajo bëhet e njohur dhe e famshme për shkak të një ushtrie të vogël shqiptare (d.m.th. bartëse e shqiponjës, e shqipes), të princit legjendar Gjergj Kastrioti.

Edhe studiuesi Aristidh Kola në librin e tij “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve” thotë që emri shqiptar e ka orgjinën e tij nga ushtria e Skëndërbeut që mbante flamurin e kuq me shqiponjën dykrenare. Kurse për emrat Alban dhe Arbëresh , Arishtidh Kola thotë që nuk ka asnjë diferencë midis tyre dhe që janë e njëjta gjë. Historianët Pollo dhe Puto pohojnë që fjala Alban ka prejardhje historike, ndërsa fjala Arbëresh prejardhje gjeografike. Kola nxjerr në pah edhe një here teorinë që emri Albani është një fjalë antike çeltike.

Natyrisht ky artikull nuk ka pretendimin të jetë i plotë, por mendoj që jep një ide mbi çështjen komplekse të emërtimeve Shqipëria, shqiptar, Albania, albanese.

Elton Varfi

2 Comments

  1. me vien keq elton por hetimologjia eketyre dy emrave eshte mese e qarte ne librin ROLI MESIANIK I SHQIPES i Petro Zhejit.

    ReplyDelete
  2. me vien keq Elton por hetimologjia e ketyre dy emrave eshte e qarte ne librin ROLI MESIANIK I SHQIPES i Petro Zheji.

    ReplyDelete