domenica 20 novembre 2011

Pellazgët sipas Dorsës

Është e njohur nga të gjithë, që Pellazgët ishin populli më i vjetër që është shfaqur ndërmjet të gjithë popujve mbas përmbytjes universale. Prania e tyre në gadishullin grek është tashmë e vërtetuar që prej 2000 vjetësh para Krishtit[1], d.m.th. pak a shumë në kohën e Abramit. Gjithashtu është tashmë e vërtetuar që origjina e tyre është nga Lindja, dhe kanë bredhur për një periudhë të gjatë dhe në vende të shumta, sikur të kishin marrë mbi veten e tyre misionin e lartë për të populluar tokën.

Ballina e librit

Ballina e librit

Me anën e dokumenteve që kanë ardhur në dritë dhe me anën e studimeve të shumta që kam bërë kam arritur në këto përfundime: duke qënë se na mungojnë të tjera burime historike për kohët antike, i vetmi burim nga ku mund të kënaqim kuriozitetin tonë është historia biblike e Moisiut[2]. Duke e marrë si të mirqënë atë çka na rrëfen, del që origjinën e popujve duhet që ta kërkojmë në tokën që shtrihet ndërmjet Tigrit dhe Eufratit, ashtu siç na është konfirmuar edhe nga traditat e Europës dhe të Azisë Lindore[3]. Është e ditur, ndër të tjera që besimet antike u ruajtën më të gjalla në popujt që në shpërndarjen e tre degëve rridhnin nga Noeu[4] u vendosën gjatë dy luginave pranë Tigrit dhe Eufratit, si Asirët që ishin pasardhësit e Sem-it. Nga Bibla mësojmë edhe që popullësia semitike e Aram-it populloi Pont-in dhe Azinë e Vogël[5]; dhe pa pikë dyshimi që Azia e Vogël qe rajoni i parë ku ndaluan Pellazgët, si dhe vendi nga ku u nisën për të pushtuar Perëndimin. Kështu mund të nxjerrim përfundimin që Pellazgët ishin pasardhës së Noeu-t, të cilët duke u rritur në numur në vendin e qëndrimit fillestar të tyre, u spostuan për të kolonizuar ato vende që gjenin dhe që ishin pothuajse të pabanuara.

Kështu që kaluan në Greqi dhe në rajonet fqinje, e më pas u hodhën në Itali.

Mbasi sqaruam këtë, na mbetet të vendosim rrjedhën e këtij emigrimi popullor. Një numur autorësh të udhëhequr nga Clavier, mbështesin tezën që ky emigrim në një moment të parë ka prekur Argolisin dhe nga aty ka avancuar në Arkadi e më pas në Athinë nëpërmjet Thesalisë, për të vazhduar në perëndim në Epir e në Itali, dhe në lindje në Takë deri në Hellespont dhe në fund në Bosfor. Janelli, Marsh dhe të tjerë mbështesin tezën që emigrazioni ndodhi nga Hellesponti në Peloponez, nga veriu në jug kështu që Trakia, Maqedonia, Thesalia dhe Epiri u kolonizuan përpara Greqisë. Arsyeja që i shtyn këta autorë të mendojnë këtë, është që nga Azia në Europë arrihet më thjeshtë nga Hellesponti se sa me anë të detit. Ne nuk na intereson ky problem që për të tjerët duket që është i rëndësishëm, por bëjmë të qartë që populli pellazg u vendos, dominoi dhe imponoi kultin e tij në Thesali, në Epir dhe në Maqedoni, ndërsa në jug të Greqisë u përzie dhe u shpërnda ndërmjet popullësive primitive të atij rajoni. Rajonet përreth Pindit ishin të banuara nga dega japetike, që u nis e para për në perëndim mbas shpërndarjes; por populli pellazg më i fortë dhe ndoshta më i shumtë në numur, i mundi, dhe dega japetike u shkri dhe u bë një popull i vetëm pellazg, popull që Heredoti i gjen në ato vise dhe i quan Pellazg jo të përzier. Këto rajone veriore qenë më pak subjekt i ambicjeve të popullësive nomade, kështu që vazhduan të ruanin në origjinalitetin e tyre kombëtar. Vetë Greqia e dominuar nga helenët dhe e influenzuar nga pushtuesit Fenikas, dhe Egjiptjanë, ka kaluar ndërmjet njëqind qeverisjeve, njëqind traditave, njëqind gjuhëve, sa që ka mundur të ruajë vetëm një sintezë konfuze të të gjithë këtyre elementeve që dhanë kontributin e tyre në forminin e kombësisë dhe qytetërimit të saj. Dhe kjo është kaq e vërtetë sa që autorë si Tuqididi, Herodoti dhe të tjerë, dallonin pa asnjë lloj dyshimi Epirotët nga Grekët[6] , dhe nëse duam të përfitojmë nga studimet e Nicbuhr, ne themi së bashku me të që: fara e parë e Maqedonisë qe një popull i veçantë që nuk duhet të konsiderohet si grek ose ilir, por pellazg[7].

Dua tashmë të bëj një arsyetim: Homeri quan barbarë banorët e rrethinave të Dodonës, dhe dihet që Platoni respektonte dhe admironte doktrinën dhe gjuhën e barbarëve, nga momenti që ky filozof lidhte pjesën më të madhe të dëshirave të tija me të të shkuarën, dhe konsideronte si progres të vërtetë rikthimin në antikitet[8]. Nga kjo kuptojmë që ky term, në origjinën e tij, në vend që të kishte kuptimin e popujve të pagdhendur dhe të pacivilizuar, tregonte më tepër popujt e civilizuar dhe të vjetër, që në kohën e Heredodit u bënë barbarë d.m.th. të pakuptueshëm për Helenët[9]. M. Ballanche një vëzhgues serioz, është i bindur që fjala barbar është një shprehje e paqartë, e papërcaktuar për të treguar burimin e errët të doktrinave, piknisjen e panjohur të traditave. Kështu që sipas tij, kur Platoni quan gjuhën latine një gjuhë barbare, e quan në mënyrë absolute dhe jo në krahasim me ndonjë gjuhë tjetër[10]. Mbas këtij vëzhgimi të francezit të ditur, shtoj një tjetër të një italiani të shquar, Cesare Balbo, i cili pohon të njëjtat gjëra edhe pse përdor një mënyrë tjetër : “Nëse duam që të arsyetojmë” thotë “do të shohim që fjala barbar nuk u përdor nga Grekët për njerëz të pacivilizuar; në fillim ngjasonte shumë me kuptimin e fjalës hostis tek Latinët, d.m.th. diçka e përafërt me tre koncepte me të cilat kuptojmë mik, i huaj, dhe armik, pra ai “kundërshtar” që është kundër nesh dhe që të gjithë njerëzit e të gjitha racave, të të gjitha feve, shprehën në ndonjë mënyrë, dhe që Hebrenjtë e quajnë edhe sot me fjalën goim, Myslimanët me gìaour dhe Kristianët me gentili[11]“. Edhe vet Homeri[12] ashtu si edhe të tjerë shkrimtarë grek të antikitetit i quajtën Pellazgët hyjnorë d.m.th. fisnik. Për të gjitha këto arsye që radhitëm, jemi të bindur që barbarët dhe Pellazgët , pranë Grekëve të vjetër ishin e njëjta gjë, d.m.th. ata popuj që ruanin kulturën dhe doktrinën e gjuhëve arkaike, dhe që barbarët e Dodonës ishin Pellazgët e vërtetë që kishin ardhur nga Azia. Folëm deri tani për Pellazgët dhe për prezencën e tyre në Dodonë. Do të themi tani që populli shqiptar është pasardhës direkt i tyre (i Pellazgëve). Dhe mund të konsiderohet pa frikë si vendas në ato vise, dhe ky term (vendas), që deri pak kohë më parë tregonte një popull plotësisht me origjinë nga ai vend ku aktualisht banon mund të përdoret edhe për atë popull që mbash shumë emigrazioneve të lashta qëndroi vazhdimisht në ato vise, sepse është provuar nga gjuha e Shqiptarëve që ata banojnë në Europë nga e njëjta periudhë me Grekët dhe Keltët[13], dhe është e ditur që në Shqipëri nuk pati pushtime barbarësh të tilla që të shkatërronin komplet racën antike dhe ta zëvendësonin me racën e ndonjë populli pushtues, me ndonjë gjuhë, zakone ose fe tjetër. Kjo do të kishte qenë një ngjarje epokale që do të kishte tërhequr vëmëndjen e historisë, duke marrë parasysh që do të ishte bërë fjalë për zhdukjen e plotë të një populli, të shumtë në numur, të shpërndarë dhe të rrënjosur për shekuj me rradhë në trullain ku jeton. Por historia nuk bën fjalë për një ngjarje të tillë; pra është shumë e çuditëshme supozimi që konsideron Shqiptarët si pasardhësit e Albanëve aziatik të ardhur nga toka që ndan Kaspikun nga Deti i Zi.


[1] Clavier , Hist. des premiers temps de la Grece , V. j. Laicher , Cronolog. di Erodoto T. VII. Petit.-Radei , Tav. comparativa dei sincronismi dell'ist. dei tempi eroici della Grecia Marsh. Home Pelasgicae. C. Balbo , Med. Stor.

[2] Moisiu, ebreu të cilit Zoti i dha misionin e lartë që të nxirrte ebrenjtë nga Egjipti dhe ti shpinte në “tokën e premtuar”. (shën i përkth.)

[3]Balbo, Meditaz. Sloriche, Med. VI. J. 4.

[4] Noeu, ebreu të cilit Zoti i urdhëroi të ndërtonte një arkë dhe të shpëtonte së bashku me familjen e tij një kopje nga çdo kafshë mbi tokë përpara përmbytjes universale. (shën i përkth.).

[5] Id. op. cit, Meditaz. VI. J. 9.

[6] V. Nicbuhr , Stor. Roiu. V. I. ediz. napol. 1846. ku përcakton Epirotët dhe Pellazgët si i njëjti popull.

[7] Idem , op. cit.

[8] Gioberti , Avvertenza del Buono.

[9] Id. Primato c. Brusselles 1844 T. II. p. 153.

[10]Orphèe , 1. Addit. Aux. Prolegoinenes.

[11] Meditaz. Stor. , Med. VII. J. 1.

[12] V. Iliad: Lib. 10. v. 429. Odiss. L. 19 v. 117

[13] V. Malte-Brun, Geograph. Univers. Liv. 118

Marrë lirisht nga libri Su gli Albanesi ricerche e pensieri i autorit Vincenzo Dorsa

Përktheu nga italishtja Elton Varfi

Link versioni italisht: I Pelasgi secondo Dorsa

Nessun commento:

Posta un commento