Nga pjesa më e madhe e studiuesve, nuk vihet në dyshim se gjuha hebreje është gjuha e parë. Edhe historia e shenjtë na tregon se, përpara rrëmujës babilonase të gjithë njerëzit flisnin një gjuhë, ndërsa pas ngatërrimit, dolën gjuhë të ndryshme: disa prej tyre i ngjanin hebraishtes, sidomos ato të popujve pranë Babilonisë, prej nga rrodhën të gjitha të folurat. Të tilla ishin gjuhët kaldaike, arabike, siriake dhe etiopiane.

Kështu, shqipja konsiderohet, për nga pastërtia, e krahasueshme me hebraishten dhe me gjuhën kaldaike. Të krijohet një përshtypje e fortë sikur fjalët e shkruara në mur kundër Baltazarit, mbretit të kaldenjve dhe , të interpretuara nga Danieli farsin u techel mene mene, tingëllojnë në veshë sikur të ishin shqip dhe kjo përforcohet përherë e më shumë, sa më shumë i afrohemi kuptimit të tyre, pra: manë manë – duke matur, mat e mat, ti chel – ti sjell, farsin – fare, farsoj, asgjë. Dhe në fakt, është plotësisht e besueshme që këto fjalë të jenë pikërisht shqip ose t’i përkasin gjuhës shumë të lashtë epirote të cilën vetëm Danieli e njihte dhe e kuptonte, ndërsa dijetarët e mbretërisë së kaldejve nuk mund t’i kuptonin.

Por, për ta parë më nga afër gjenalitetin e kësaj gjuhe epirote të shkurtër, njërrokëshe dhe kaq energjike, që më shumë shpreh vetëm tinguj se sa fjalë, do të më pëlqente të shtoja këtu disa rreshta mbi përkthimin e pjesës kryesore të kreut të tretë të Kantikës, aty ku nusja ankohet që ka kaluar natën duke kërkuar të dashurin e saj dhe nuk e ka gjetur dot atë. Pikërisht këtë dua të bëj, sepse, meqë gjuha hebreje shpreh me pak fjalë shumë mendime, e vendosur përballë saj do të dukej më mirë dhe më qartë se në ndonjë krahasim tjetër, se si gjuha shqipe hahet me gjuhën hebreje për sa i përket fjalëve të shkurtra, madje, dhe në këtë mënyrë, atë mund ta vendosim në kategorinë e gjuhëve natyrore

Bikascti balleloth miscchabi Hal

Bikascthiu: naphsci sceaaba eth

Na akuma: metzathiu lo ve

…. bahir asobeba va

Me strat tim në nat chercova atë

Ghi dò zëmëra ime: e chercova

as ghieta: ‘nciume nanì ‘mbë kambë,

e vete për në Giutet et ce.

Sikur të merrje në dorë lapsin e të numëroje rrokjet në të dyja shkrimet, do të shihje se në gjuhën shqipe janë më pak se në atë hebreje, duke llogaritur edhe të pazëshmet.

Por, për të treguar edhe më mirë natyrën originare të gjuhës për të cilën po flasim, këshilla më e mirë do të ishte të ndiqnim krahasimin me hebraishten. Një gjuhë mund të ngjasoj me një tjetër ose për nga karakteri i ngjeshur, ose nga tingujt, ose në vetë fjalët ose në sintaksë. Meqë tingëllimi varet nga zanore që ka, mund të jetë gjë e mirë të shqyrtohen zanoret e njërës dhe të tjetrës gjuhë, që kemi marrë përsipër të krahasojmë. Zanoret në thelb janë pesë: a, e i, o, u. por ato mund të jenë ose të gjata, ose të shkurtëra, dhe sa më shumë të kalojnë shkallëzimin nga e shkurtëra tek e gjata, nga ato pesë zanore mund të përfitohen shumë të tjera, nëse këtë e ka kërkuar përdorimi i një gjuhe të dhënë.

Gjuha hebreje ka trembëdhjetë zanore. Duhet thënë se ato pesë zanore janë shëndërruar në trembëdhjetë sipas rastit kur tingulli i shqiptuar është herë më i gjatë e herë më i shkurtër. Megjithëse nuk është se ndarja e zanoreve hebreje në trembëdhjetë është një gjetje masoretike e ndërfutur me pikësim, unë mendoj se pikat nuk kanë qenë asgjë tjetër veçse shenja që mbanin më fort tingullin e zanoreve, i cili rrezikonte të humbiste kur gjuha niste të zvetënohej. Duke arsyetuar në këtë mënyrë, mund të arrijmë në përfundimin se trembëdhjetë zanore i përkasin dhe janë tipike për gjuhën hebreje dhe mund të themi se hebrenjtë, mes zanoreve të shkurtra, të gjata dhe tepër të gjata, përveç atyre të pazëshme, i ndanin pesë tingujt e zërit në trembëdhjetë të tillë, mes tonesh dhe gjysëmtonesh, nëse më lejohet të përdor këto fjalë të marra hua nga muzika.

Edhe në gjuhën shqipe dhe nga pesë bëhen shumë më tepër. Ja shembujt.

Në fjalën amë – nënë, a-ja nuk është e hapur, por i ngjan një tingulli mes a dhe e: aemë,amë, ëme. Tek fjala ata, të dyja a-të janë të gjata. Te fjala baame – e bëme, veprim, nuk janë të hapura por i afrohet e – së së pazëshme. Tek ati – ati, babai, a-ja duhet shqiptuar shpejt. Te ar – ar, flori, shqiptimi i a-së duhet të jetë ndryshe nga ai i fjalës ar- arrë, dhe ar – arë. Tek ar (flori) shqiptohet më shpejt se tek ar (arrë), ku a-ja duhet zgjatur disi, duke dyfishuar edhe r-në, ndërsa ar (arë) duhet shqiptuar sikur të jetë shkruar are.

E-ja tek e para, e mira ka një tingull natyror. Tek fjala guerte – gurët, i përngjan zanores së pazëshme. Tek grue – grua dhe tek zonje – zonjë, afron nga a-ja. Në fakt këto fjalë shqiptohen shpesh edhe grua, zonja. E-ja tek hem Pietri, hem Pali është e shkurtër. E-ja tek e more është e shpejtë tek morê shumë e gjatë.

I-ja shqiptohet e gjatë, sikur të jetë e theksuar, në disa emra familjeje si Vadagni, Zumi, dhe në sctpì, që thuhet edhe scpì – shtëpi. I-ja tek i ti – ji ti, është shumë e gjatë, aq sa në gojën e disave tingëllon sikur të ishte ijë ti. E njëjta gjë ndodh me fjalën ïeta – jeta, që shqiptohet edhe jeta.

O-ja te more është e gjatë si te fjala dò, një lidhëz veçuese kjo dò ti, dò ai – ose ti, ose ai, ose që përkthehet dëshiron, do ti. Te kroi, ajo ka një tingull natyror te jo ka një tingull të gjërë.

U-ja tek u – unë, është e shpejtë si dhe te ju. Te u që shërben për foljet jokalimtare dhe që shprehet në rregullat dhe kohët e pësores, është zanore e shkurtër, madje shumë e shkurtër, për shembull: me u ‘mreculuem – të mrekullohesh, me u dasciume – të duhesh. Në fakt, disa e shqiptojnë sikur të ishte e e pazëshme, duke thënë me të ‘mreculuem, me të dasciume. Ndonjëherë ka një tingull natyror si tek fjala turk.

Marrë nga libri Shqipja nëna e gjuhëve i autorit Giuseppe Crispi

0 Comments