Nga Adele Pellitteri

Që Nënë Tereza është një nga gratë më të shkëlqyera të shekullit të fundit, sa që është personi i parë në botë jo politikan që i është dedikuar një pullë poste, është e ditur nga të gjithë; por ajo që ndoshta nuk njihet shumë është që Anjeza Bojaxhiu ka lindur në Shkup, në një qytet shqiptar. Kjo grua është motiv krenarie për popullin shqiptar dhe jo vetëm sepse ajo është një vigane, por sepse gjithshka fillon në familjen e saj.

Mbasi mbaron së lexuari librin e Cristina Siccardi, “Madre Teresa. Tutto iniziò nella mia terra”, (Nënë Tereza. Gjithshka filloi në tokën time), del qartë se sa e rëndësishëme është një familje që mëson vlera të vërteta dhe që nuk humb kohë me fjalë të shumta, por që i jep më shumë rëndësi jetës së përditëshme. Duke bërë të mirën çdo ditë. Jo vetëm me fjalë por me fakte konkrete.

Nënë Tereza. Gjithshka filloi në tokën time Cristina Siccardi

Familja Bojaxhiu kishte një mirëqënie ekonomike falë tregëtisë që bënin. Por në atë familje që të gjithë ishin të ndërgjegjëshëm që mirëqënia është boshe kur nuk ndahet me njeri. Mikpritja ishte një nga rregullat e shtëpisë. Çdo ditë në shtëpinë e tyre vinte të paktën një person i cili kishte nevojë ose thjesht një person që nuk kishte njeri dhe ishte i vetmuar. Babai i Nënë Terezës, i cili u nda nga jeta përpara kohe, i thoshte gjithmonë vajzave të tija që të mos pranonin kurrë kafshatën që nuk ndahej me të tjerët, duke ndëshkuar kështu egoizmin si një sëmundje shpirtërore që nuk e lejon njeriun që të ndajë me të tjerët. Jo vetëm fjalë, por edhe një herë e më shumë fakte.

Vendi në të cilin këto fakte ndodhin nuk është i parëndësishëm. Shqipëria ka qenë një tokë e goditur nga shumë tragjedi e shtypje, për këtë motiv populli i kësaj toke ka treguar gjithmonë një ndjenjë të fortë solidariteti. Por i gjithë solidariteti i popullit shqiptar, edhe pse ka arritur maja të larta, nuk mjafton për të shpjeguar madhështinë e familjes Bojaxhiu; është dashuria për Zotin që akoma më mirë se gjithëshka shpjegon vlerën e madhe të kësaj mëshire të pafund. Në librin e gazetares Cristina Siccardi, Agi Bojaxhiu Guttadauro, e vetmja mbesë e Nënë Terezes e martuar me një siçilian, tregon që në Shkup akoma edhe sot thuhet “je bujar si një Bojaxhiu” që tashmë është bërë një zemërgjerësi gati mitike për të gjithë.

Është akoma edhe një herë fati që një përfaqësuere e popullit shqiptar, që ka lindur në një tokë plot me konflikte, ofron madhështinë e saj për të mirën e të gjithëve. Nënë Tereza është bijë e familjes Bojaxhiu, është bijë e popullit shqiptar që me shumë shpirtmadhësi ka kontribuar që ti dhurojë botës një grua që ka ditur të vërë dorën e saj në dorën e Krishtit dhe të shikojë më tej.

Përktheu nga italishtja Elton Varfi

Link versioni italisht: “Generoso come un Bojaxhiu”: Le origini di Madre Teresa

0 Comments