-pjesa e dytë dhe e fundit-

Atë që thamë për epirotët besojmë se mund t’i themi edhe për maqedonasit e lashtë. Provohet historikisht se, sikurse epirotët, edhe ky popull kishte gjuhën e vet të ndryshme nga të gjithë dialektet e gjuhës greke; kishte një formë qeverisjeje që largohej fare nga ajo e Greqisë, kishte ligje e veta, zakonet, doket dhe organizimin e vet ushtarak që nuk kishte asgjë të përbashkët me atë të Heladës. Për të provuar këtë që parashtruam më lart, nuk do të bëjmë tjetër, veçse të pyesim historinë. Në fillim kemi Plutarkun, i cili duke kallëzuar si e vrau Aleksandri Kliton, mikun e zemrës thotë:

Aleksandri i dehur nga vera dhe nga zemërimi, u hodh jashtë shatorres së vet dhe u bëri zë në të folmen maqedonase gardës dhe shqytarëve të tij.

Pashko Vasa 1825-1892

Pashko Vasa 1825-1892

Por sipas pohimeve të të gjithë historianëve, e folmja maqedonase ndryshonte nga të gjitha idiomat që përdoreshin në Greqi; nga kjo del se, për t’u folur të vetëve Aleksandri nuk përdorte gjuhën greke, mbasi maqedonasit, duke mos e ditur greqishten nuk nuk a sta kuptonin. Pra gjuha që dinin dhe që flisnin ushtarët e Filipit e të Aleksandrit, nuk mund të ishte veçse gjuha e pellazgëve të lashtë, ajo vetë që flitej në Epir, ajo që i thotë shqipe shqiponjës e që flitet sot e kësaj dite kudo në Shqipëri. Në shumë shkrime të vjetra përmëndet se ata etolianë që banonin në kufi me Epirin, flisnin një gjuhë të përzier, gjysmë greqishte e gjysmë pellazgjishte, të cilën e quanin barbare. Dhe që flisnin atë gjuhë të përzier, kjo vinte nga vendosja e tyre topografie, mbasi nga njëra anë takoheshin me Greqinë dhe nga ana tjetër me Epirin. Kjo hollësi që është dhënë nga aq historianë e përforcon tezën që gjuha e epirotëve ishte gjuhë e pellazgëve dhe se ajo siç thuhet më lart ishte krejt e ndryshme nga dialektet dhe të folmet e Greqisë.

Gjuha greke njihej vetëm nga shoqëria e lartë, e cila e studionte, ashtu siç studiohet edhe sot në disa rrethe të Shqipërisë, dhe ka të ngjarë që në oborret mbretërore të Filipit e të Pirros, oborrtarët, gjeneralët dhe qeveritarët bisedonin në greqisht, shkruanin greqisht dhe kultivonin shkrimet dhe letërsinë greke. Veç kësaj shkrimet greqishte dhe vetë gjuha greke nuk mësoheshin vetëm në Epir e në Maqedoni; gjuha e helenëve ishte përhapur në Azi e në Afrikë, aq sa edhe në Romë e në Itali, mbasi ajo pikërisht ishte më e përparuara, më e afta asokohe për të lidhur popuj të ndryshëm që kishin relazione tregëtare apo mardhënie politike. Atëherë greqishtja mësohej ashtu siç mësohet sot frëngjishtja, e cila është bërë, si të thuash gjuhë e përgjithëshme.

Askush nuk mund të mohojë që helenët kishin arritur kulmin e lavdisë me anë të përparimit të qytetërimit të tyre, dhe që qoftë me gjuhën e tyre që ishte bërë gjuhë letrare e të gjthëve, qoftë me artet, me marrëdhëniet, me zejet e tyre kishin fituar vendin e parë ndërmjet popujve të vjetër, por ne nuk e besojmë se të gjithë ata që flisnin greqisht të kenë qenë grekë dhe t’i përkisnin familjes helenike. Me sa u tha deri këtu provohet në mënyrë të mjaftueshme se epirotët dhe maqedonasit ishin disa popuj, zanafilla e të cilëve mund të fillonte verte nga i njëjti burim, si ajo e etolianëve, jonianëve etj; por që në krye të shfaqes së tyre në kontinent, ata kishin qëndruar larg grekëve, kishin formuar një shoqëri më vete, një kombësi të dallueshme dhe aspak të gjindëshme me atë të helenëve; ata bënin një jetesë të vetën dhe asnjëherë s’kishin pasur kauzë të përbashkët me Greqinë apo simpati për mendimet apo prirjet politike të saj.

E vetmja gjë që ndoshta e kishin të përbashkët me helenët, ishin hyjnitë pagane. Por edhe vetë këto hyjni, më të shumtat ishin shpënë atje nga pellazgët dhe duhen të kenë qenë grekët ata që përqafuan më në fund kultin e tyre.

Ky fakt që provohet mjaft mirë nga historia, përforcohet gjithashtu nga emrat e këtyre hyjnive që kanë një domethënie të qartë e bindëse në gjuhën shqipe.

Marrë nga libri E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët i autorit Pashko Vasa

0 Comments