domenica 12 dicembre 2010

Epirotët dhe Maqedonasit nuk janë popuj helenik (1)

-pjesa e parë-

Në vitin 376 para Krishtit, Epiri iu dorëzua Kasandrit, mbretit të Maqedonisë, por pas tre vjetësh, epirotët bënë kryengritje dhe u mundën. Me gjithë këto humbje në shekullin e tretë shohim të dalë një personalitet i madh epirot, Pirroja, i cili para se të hidhej në Itali, luftoi kundër maqedonasve po ashtu edhe kundër grekëve që ishin fqinj me kufijtë e tij shtetërore; pikërisht në këtë rast ndodhi që ushtarët e tij, të mahnitur nga shpejtësia e lëvizjeve ushtarake që bënte, i thanë se nuk kishte lënë gjë mangët shqiponjës. Pirroja u përgjigj se kjo ishte e vërtetë, por shtoi se ushtat e tyre i kishin shërbyer si krahë për të shtjelluar fluturimin e vet.

e vërteta mbi Shqipërinë dhe shqipëtarët

Plutarku, i cili na e jep këtë rrethanë karakterishtike në jetëshkrimin e Pirros, nuk e ka ditur kurrë dhe atij nuk i ka shkuar ndër mend se pikërisht kësaj rrethane ia detyrojnë emrin gjenetik shqiptar epirotët dhe gjithë ata që sot quhen shqiptar.

Plutarku, që nuk e dinte gjuhën pellazgjike, e cila merrej që nga koha e Heredotit si gjuhë barbarësh, dhe që nuk e kishte parë nga afër Epirin dhe popullësinë e tij, sigurisht nuk mund të jepte këtë shpjegim, të cilin ne do t’ia nënshtrojmë vlerësimit të filologëve dhe dijetarëve.

Shqype quhet shqiponja arbërisht. Shqypëri apo Shqypëni ka kuptimin : vendi i shqiponjës. Shqyptar është baraz me bir i shqiponjës.

Ky fakt historik që i ka shpëtuar vlerësimit të historianëve të vjetër, po aq sa edhe atij të filologëve dhe të dijetarëve modernë, meriton një shqyrtim serioz, pasi përbën një provë të pakundërshtueshme për ata që, porsi dhe ne mbrojnë tezën se epiriotët ishin popull i ndryshëm nga populli helen, se gjatë gjithë kohëve kishin pasur gjuhën e vet, atë të pellazgëve të vjetër, të cilën grekët nuk e kuptonin aspak dhe e cila, me siguri, është po ajo që edhe sot e kësaj dite flitet në Epir, Maqedoni, në Iliri e në disa ishuj të Arkipelagut, sikurëse edhe në malet e Atikës. Po ajo gjuhë që quhet gjuhë arbëreshe apo shqiptare. Me qëllim që ti japim filologjisë një mjet më të sigurt për të vlerësuar rëndësinë e këtij shkrimi, do të themi se emërtimet Epir, Maqedoni, Albani etj., janë krejt të panjohura për shqiptarët; në gjuhën e tyre këto fjalë nuk egzistojnë; ata vetë nuk njihen me njëri-tjetrin veçse me emrin gjenetik shqiptar dhe nuk u shkon ndër mend që vendi i tyre të ketë një tjetër emërtim nga ai që i njohin ata vetë përgjithësisht, d.m.th. Shypëri ose Shqypëni. Emërtimet Epir e Maqedoni janë me burim të huaj, grek; ai Albani është me prejardhje moderne; pikërisht evropianët ia kanë ngjitur këtë emër vendit të shqyptarëve në shekullin e XIV ose XV. Por shqiptarët vetë nuk dinë ç’është as Epiri, as Maqedonia, as Albania; këta janë emra fare të panjohur për ta dhe pa asnjë domethënie në gjuhën e tyre. Prandaj duke filluar nga Shkodra e deri në gjirin e Prevezës, gjithë vendi ndërmjet këtyre pikave gjeografike dhe deti njihet si Shqypëri , vend që i përket farës shqiptare e që nuk ka asnjë gjë të përbashkët me Greqinë. Po të ndalosh të parin fshatar që ndesh rrugës e ta pyesësh; Ç’je ti? Ai do të përgjigjet: Jam shqiptar. Kjo përgjigje jepet pa dyshim aq nga ata të Shqipërisë së Sipërme sa edhe nga ata të Shqipërisë së Poshtëme, qofshin ata myslimanë, katolikë apo ortodoksë. Po t’u flitet për Epir apo për Albani, do të kujtojnë se u flet në gjuhën kineze ose u bëhet ndonjë sharje në gjuhë të huaj e mund ta quajnë veten të fyer.

Marrë nga libri E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët i autorit Pashko Vasa

2 commenti:

  1. Elton pergezime per faqen! Duhet vetem nje template me modern qe cdo gje te vente ne vendin e saj.

    RispondiElimina
  2. Edmond faleminderit per komplimentin. Mendoj qe nuk ka rendesi template modern apo antik, por e rendesisheme eshte permbajtja e kesaj faqeje.
    te fala.
    Elton

    RispondiElimina