domenica 21 novembre 2010

Tomori dhe Dodona pellazgjike

Nga Yllka Lezo

Vendndodhja e tempullit të lashtë të Dodonës është një argument që shpesh i ka çuar studiuesit në debate. Në vitet tridhjetë, Perikli Ikonomi, me librin "Tomori dhe Dodona pellazgjike", përpiqej të tregonte se vendndodhja e tij është në Shqipëri. Legjenda thotë se shumë kohë më parë, nga Egjipti u nisën dy zogj. Njëri prej tyre ndaloi në Libi, ku u ndërtua tempulli i Ammon Zeusit dhe tjetri ndali në Dodonë. Aty u ndërtua tempulli tjetër, ku ndodhej orakulli më i famshëm i antikitetit, ai i Dodonës, pasardhës i të cilit do të ishte orakulli i Delfit.

 

Mali i Tomorit 

Mali i Tomorit

E nëse tempulli i Ammon Zeusit dihet që është në Libi, çështja e vendndodhjes së tempullit të Dodonës është më e komplikuar. Një pjesë e mirë e studiuesve mbrojnë tezën se tempulli i lashtë i Dodonës ndodhet në tokat e sotme greke, në këmbët e malit të Tammaros, rreth 18 km larg Janinës. Ka edhe një tjetër grup më të vogël, pjesë e të cilit është studiuesi Perikli Ikonomi (1882-1977), që nuk mendon kështu. Në vitin 1934, ky studiues nis të shkruajë "Tomori dhe Dodona pellazgjike", një studim nëpërmjet të cilit përpiqet të vërtetojë se tempulli i Dodonës është në malin e Tomorit. Për herë të parë ai e botoi me shpenzimet e veta këtë libër më 1936-ën, në një numër të vogël kopjesh. Një prej tyre e kishin familjarët dhe tjetrën Muzeu Historik Kombëtar. Pas gati 8 vitesh, studimi u ribotua. Për të vërtetuar tezën e tij për vendndodhjen e tempullit të Dodonës u mbështet në disa burime: etimologjinë e fjalës Tomor, vendndodhjen e përshkruar nga autorë të antikitetit dhe ndërtimit gjeografik të ngjashëm të këtyre dy vendeve, si dhe gojëdhënave të banorëve përreth malit të Tomorit. Që në faqen e parë të librit tregon arsyen se përse po merr përsipër një punë të tillë, kur thotë se po e shtron këtë çështje për të treguar vendndodhjen e vërtetë të tempullit origjinal të Dodonës. Ikonomi shkruan se ka një grup studiuesish shqiptarë, të cilët i mëshojnë idesë se Dodona e Epirit Jugor (mali Tammaros, në Janinë) është vetëm një kopje e vonshme e origjinalit, i cili duhet të ndodhet në malin Tomor në Toskëri. Për të është i rëndësishëm fakti që të dy malet kanë emra të ngjashëm (Tammaros dhe Tomor). Në këtë pikë ai nxjerr prejardhjen e fjalës Tomor. Ai shkruan se mali i Tomorit, konsiderohet si banesa e Perëndisë së pellazgëve, domethënë e shqiptarëve të vjetër. Veç kësaj, Tomorin e quajnë mal i të-mirit, prandaj priftërinjtë e orakullit të Dodonës quheshin Tomurë, të mirë. "Në të folurën popullore të shqiptareve, çdo vend i shenjtë quhej dhe vazhdon të quhet më së shumti edhe sot vend i mirë. Pra, në këtë togfjalësh, mbiemri "i mirë" përdoret në kuptimin "i shenjtë", rrjedhimisht, mali i Tomorit do të thotë mali i Zotit", shpjegon ai. Me tej argumenton se priftërinjtë ose fatthënësit (parashikuesit e ngjarjeve) e Dodonës quheshin Tomuri dhe parashikimet (fatthënat) e tyre quheshin Tomure. "Tomar ose Tmar quhej mali pranë ose mbi të cilin ndodhej tempulli i Dodonës, i njohur ndryshe si faltorja e famshme pellazgëve, shkruan Ikonomi. Por kjo analizë nuk i mjafton për të vërtetuar tezën e tij, kështu që merr në shqyrtim edhe gjithë dëshmitë e mundshme historike. Një kapitull më vete u kushtohet përshkrimeve të autorëve të antikitetit si Herodoti, Hesiodit Pliniusi, Pindari, Plutarku, Straboni etj., shënime të cilat e largojnë Dodonën nga Janina dhe e sjellin në veri të Toskërisë. Një nga shënimet që Ikonomi citon është ai i Stragjiritit: "Në faqen 28 të shënimeve ku bën fjalë për Dodonën, ai e përmend si të pacaktuar vendndodhjen e malit Tomor. Ai pohon se të tjerë e vendosin këtë mal më lart e më tej nga veriu i malit të Pindit. Gjithashtu, thotë se molosët kanë qenë më të përmendurit e më të famshëm nga haonët, se ata kishin dhe tempullin famëmadh të Dodonës në krahinën e tyre". Duke përmendur shënimet e këtyre autorëve dhe gjeografëve, të cilat japin detaje të ndryshme për tempullin e Dodonës, Ikonomi arrin të ndërtojë një panoramë të vendndodhjes së këtij tempulli. Por punën nuk e lë me kaq. Pasi përfundon me përshkimet e këtyre autorëve, në kapitullin e fundit ai jep kallëzime e gojëdhëna për malin e Tomorit dhe rrethinat e tij.

 

Perikli Ikonomi 

Perikli Ikonomi, 1882 - 1977

Kështu, njëra prej tyre thotë se në Tomor rrinin tri motrat e Dhodhonit, tek të cilat vinin mbretërit e vjetër për t'i pyetur për fatin e tyre dhe të mbretërisë. Ndërsa sipas një tjetër gojëdhëne, në kulmin e malit të Tomorit ndodhet e skalitur mbi një shkëmb një plakë që ruan një dhi dhe një kec. Gojëdhënë që sipas Ikonomit mund të ketë lidhje me dhinë Amalthia, që sipas mitologjisë, ushqeu Zeusin kur e ëma e tij, Rea, e fshehu për ta ruajtur nga i ati, Shtuni (Saturni), që hante fëmijët e tij. Mes Ikonomit dhe malit të Tomorit ekzistonte një lidhje më e veçantë se ajo mes një studiuesi dhe një subjekti.

Dy fjalë mbi Perikli Ikonomin

I lindur në fshatin Vokopolë të Beratit, ai e njihte ndoshta më mirë se çdo studiues tjetër këtë vend dhe legjendat që e rrethonin, shumë prej të cilave lidhen me shenjtërinë e këtij mali. Dhe jo rastësisht e ka përshirë shenjtërinë në libër. Perikli Ikonomi vinte nga një familje që për 17 breza me radhë kishte nxjerr priftërinj. I fundit prej tyre ishte babai i Perikliut, Papa Pavli. Por ai nuk do të ndiqte këtë rrugë. Mësimet e para do t'i merrte në Berat, nga rilindësi Babë Dudë Karbunara (1842-1917). Më pas vazhdoi shkollën e Korfuzit, ku u njoh me Ismail Qemalin, i cili i zgjon ndjenjën e atdhetarisë dhe të çështjes kombëtare. Më pas studion dhe formohet si specialist i psikologjisë në njërën prej shkollave më të rëndësishme të kohës në Ballkan, në gjimnazin "Zosimea" të Janinës. Pas kthimit në Shqipëri, më 1916-ën, jep mësim fillimisht në shkollat e Beratit dhe më pas në një sërë shkollash në të gjithë Shqipërinë. Krahas mësimdhënies shkruan dhe boton me shpenzimet e tij librat didaktikë: "Atdheshkronja praktike", 1926; "Atdheshkronja e plotë për të tretën dhe të katërtën klasë të shkollave fillore dhe plotore të Shqipërisë", 1932; "Mineralogjia dhe mësime kimike", 1933. Ai bëhet kështu një nga themeluesit e parë të arsimit shqiptar, kontribut për të cilin, më 1956-ën u vlerësua me titullin "Mësues i Merituar". Vdes në maj të 1977-ës

Burimi: gazeta Shekulli

Nessun commento:

Posta un commento