domenica 27 giugno 2010

O e bukura More

Historia e një Kënge 600 - vjeçare Shqiptare

Nga Lirio Nushi

Kjo këngë mërgimi, kaq e njohur dhe e dashur jo vetëm për Arbëreshët e Italisë, por edhe për Avanitët e Greqisë dhe shqiptarët e të gjitha trevave, përmban në vetvete pothuajse gjithë sekretin historik të krijimit të fshatrave të arbërëreshëve të Italisë. Por shumë pak e dinë se kujt i kushtohet kjo këngë... ! MORE ! – është nji pasthirmë... ?, është nji vajzë e bukur... ? .

- JO!

MORE, - është PELOPONEZI i sotëm i Greqisë! Nji trevë e madhe së cilës grekët i kanë ndryshuar emrin nga MORE në PELOPONEZ, dhe kënga “O E BUKURA MORE” , memorizon kujtesën dhe mallin e një atdheu të humbur, është nji toponim i këtij vendi nga ku u larguan shumica e arbëreshëve të sotëm të Italisë.

Kjo është ndoshta kënga më e vjetër shqiptare që mbetet e gjallë akoma edhe në ditët tona e që vjen të na rrëfej nostalgjin e madhe por dhe sekretin historik të krijimit të komunitetit arbëresh të Italisë.

Dokument i kësaj kënge për herë të parë gjendet në dorëshkrimin e Kieutit botim i vitit 1708, më pas këtë material do ta ribotonte në librin e tij filologu arbëresh Dhimitër Kamarda (1821-1882), në vitin 1866. Në këtë lëndë është publikuar teksti i kësaj kënge i  shkruajtur në shqip, por me alfabet grek.

clip_image002

“O E BUKURA MORE”

‘O e bukura More

çë kur të lje (lasçë)

më nigjë të pe

atje kam unë zotin-tatë

atje kam u mëmëm time

atje kam u tim vëlla

‘O e bukura More

çë kur të lje (lasçë)

më nigjë të pe.

Ky tekst burimor-popullor me ritëm tresh, është i vetmi version dhe tekst origjinal i këngës “O E BUKURA MORE”, por nuk dihet se kush arbëresh i këndoi për herë të parë këto vargje kaq të thjeshta por që mbeten gjallë dhe këndohen po me të njëjtën dhimbje edhe sot.

Botim i këtij libri u realizua në Itali në vitin 1866 nga shtëpia botuese “F. ALBERGUETI  E.C.” , i cili mban si titull: “Appendice al Saggio di Grammatologia Comprata Sulla Lingua Albanese”përgatitur me shumë kujdes nga filologu Arbëresh Dhimitër Kamarda (1821-1882), duke pasur për bazë dorëshkrimin e Kieutit (1708).

LARGIMI

Por si dhe pse u larguan arbëreshët e sotëm nga trojet e tyre, nga Moreja (Peloponezi sot), dhe nga Arbëria, (Shqipëria sot) ,si u krijuan katundet arbëreshe në Italinë e Jugut?

Me rënien dhe pushtimin e Koronit (1453), kala që ndodhet edhe sot e kësaj dite në More (Peloponezi i sotëm në Greqi), perandori Karli i tretë, i dha urdhër Kapitenit Andrea Doria të marri Grekë dhe Arvanit-Arbëror nga Moreja, dhe ti çojë ata në Italinë e Jugut. Kjo përbën në të vërtetë fillimin e krijimit e fshatrave arbëreshe por edhe grekëfols të Italisë së Jugut. Në këto momente të shpërnguljes së tyre arbëreshët kënduan ndoshta për herë të parë këngën “O E BUKURA MORE” me mall dhe vajtim.

Shqiptarët e parë që vinin nga Arbëria-Shqipëria sot, u vendosën në Kalabri dhe në Siçili, mbas ftesës së mbretit Alfonso V, të Aragonës, bëhet fjalë për luftëtarë shqiptarë të cilët u vendosën përfundimisht dhe me familjet e tyre në Kalabri dhe Siçili për të ndihmuar përforcimin luftarak të Mbretit Alfonso në përpjekjen e tij për të mbytur revoltat kundër tij. Pra krijimi i këtyre fshatrave kishte karakter ushtarak.

SKËNDERBEU

Në vitin 1461 vetë Gjergj Kastriot Skënderbeu Kryezot dhe i plotëfuqishm i Arbërisë (Shqipëria sot), me një trupërojë të madhe dhe të fortë luftëtarësh shqiptarë, do të luftonte në përkrahje të Ferdinandit, djalit të mbretit Alfonso të Italisë së jugut dhe princit të Tarontos, dhe për këtë ndihmë dhe përkrahje ushtarake si shpërblim atij ju dhuruan dy feude në Pulia të Italisë.

Kjo popullatë e pasuroi dhe populloi pjesën e shkretuar të kësaj zone dhe njëkohësisht e rrethoi ate ushtarakisht duke krijuar kështu një pjesë territoriale të mbrojtur.

Pak para vdekjes së Skënderbeut (1467), por kryesisht mbas vdekjes së tij (1468) dhe rënies e pushtimit të Krujës nga Turqit (1478), një turmë e madhe shqiptarësh dhe në kushte dramatike do të largoheshin për në Itali dhe do të vendoseshin në fshatrat tashmë të ngritur shqiptarë duke krijuar njëkohësisht dhe fshatra të reja.

Të tjerë shqiptarë u vendosën në Italinë e Jugut me urdhërin dhe bekimin e Skënderbeut si dhe djalit të Joanit në dy feudet e Pulias që i pat dhuruar Ferdinando në Galatina (1485).

Një pjesë tjetër shqiptarësh ndoqën nga pas Irini Kastriotin e cila u martua me princin Bisingano në Kalabri.

Numri i kësaj popullate duhet të ketë qenë shumë i madh pasi krijoji një zonë përfundimtare me një fizionomi të vetën gjuhësore, kulturore dhe tradicionale duke krijuar kështu fshatrat e sotëm arbëresh të Italis.

Shqiptarët Katolik të ardhur nga Shqipëria e Veriut që u vendosën në Italinë e Jugut, u përshtatën shpejt me gjuhën, kulturën dhe fenë e vendasve italjanë, ndërsa shqiptarët që kishin shkuar nga Shqipëria e Jugut dhe Arvanitët-Arbërorë të Moresë që nuk ishin katolik por ortodoks, pavarësisht nga kundërshtimet dhe imponimet e peshkopëve vendas italjan, ruajtën të veçantat e kulturës dhe të zakoneve të tyre dhe fenë e riatualin ortodoks bizantin, dallim i cili duket akoma edhe sot e kësaj dite. Duke bërë që besimi fetar ortodoks bizantin ti dalloj ata nga vendasit.

GJUHA

Gjuha e shumicës së Arbëreshëve të Italisë ka shumë ngjyrime dialektike por si baz ka dialektin tosk që flitet në Shqipërinë e Jugut dhe me të njëjtën ngjashmëri të gjuhës që flasin Arvanitët-Arbërorë të Greqisë. Prezenca e fjalëve greke është e pranishme dhe kjo ndodh për kohën e madhe të bashkjetesës së tyre me grekët gjat perandorisë bizantine. Shumë prej këngëve arbëreshe përputhen me Moren, dhe shumë toponime të tjera në këto zona sikurse Koroni, Nafplio, Korintho... etj.

Sot koha dhe ndryshimet kanë bërë të vetat dhe në mënyrë të pashmangshme hapa të mëdhenj, por nuk kanë mundur të zhdukin apo pluhurosin këtë të veçantë që ka ky minoritet shqiptarësh arbëresh, me gjuhën, traditat, kulturën, zakonet, legjendat e tyre, duke përbërë kështu tashmë një pasuri dhe turizëm laografik për këto zona.

Mbi 52 fshatra janë të regjistruara dhe të njohura institucionalisht nga shteti italjan si minoritet shqiptar dhe dy gjuhësh. Emrat e ketyre fshatrave sipas vendndodhjes janë: Firmoza në Kalabri, Dandalli në Kalabri, Barilli në Baszilikat, Këmbarini në Molise, Garrafa në Kalabri, Karfici në Kalabri, Kazallveqi në Pulja, Kastërnexhi në Kalabri, Kejverici në Kalabri, Qana në Kalabri, Qefti në Pulja, Çivëti në Kalabri, Kuntisa në Siçili, Purçilli në Kalabri, Fallkunara në Kalabri, Farneta në Kalabri, Ferma në  Kalabri, Frasnita në Kalabri (katundi arbëresh ku jeton studjuesi dhe patrioti i madh Antonio Belushi), Zhura në Bazilikat, Katundi në Kampanja, Ungra në Kalabri, Maqi (katundi i De Radës) në Kalabri, Marçidhza në Kalabri, Allimarri në Kalabri, Mashqiti në Bazilikat, Munxhufuni në Molis, Puheriu në Kalabri, Hora e Arbëreshëvet në Siçili, Pllatëni në Kalabri, Porkanuni në Molis, Shën Vasili në Kalabri, Shën Benëdhiti në Kalabri, Strigari (fshati i poetit të madh Arbëresh Zef Serembe) në Kalabri, Shën Konstandini në Bazilikat, Shën Mitri (qendra më e madhe kulturore e Arbëreshëve ku zhvillohet çdo vit festivali i këngës Arbëreshe) në Kalabri, Sënd Japku në Kalabri, Mbuzati në Kalabri, Shën Mërtiri në Kalabri, Shën Marcani në Pulja, Shën Kolli në Kalabri, Shën Pali në Bazilikat, Picilia në Kalabri, Sëndastina në Siçili, Shën Sofia në Kalabri, Spixana në Kalabri, Ruri në Moliz, Vakarici në Kalabri, Vina në Kalabri, Badhesa në Abruzo, Xingarona në Kalabri... etj.

SHQETËSIMI

Problematika që ngrihet në ditët e sotme është nëse arbëreshët duhet të ruajnë të folmen e tyre të vjetër apo nji përshtatje  me rikodimin e shqipes së sotme? Si, dhe kush mund të ndihmoj për mbrojtjen e këtyre vlerave dhe këtij thesari të pazëvëndësueshëm me origjinë dhe rrënje shqiptare. Pasi këto zona edhe pse gjenden në bashkjetesën e një vendi që ndodhet brenda komunitetit europjan sikurse është Italia, vazhdojnë të mbeten zonat më të varfra të Italisë dhe investimet për mbrojtjen e ketij thesari laografik nga shteti italjan janë të papërfillshme. Mendoj se ajo që na mbetet është ta ruajmë këtë shqipe të mesjetës ndoshta si Dialektin Arbëresh të gjuhës Shqipe.

BIBLIOGRAFIA

“Appendice al Saggio di Grammatologia Comprata Sulla Lingua Albanese”

Dhimitër Kamarda (1821-1882)

Dorëshkrimin e Kieutit (1708)

"The Alexiade" of Anna Comnena   Publishing: Penguin

"Αλεξιάδα" από την Άννα Κομνηνή   Εκδώσεις:  Άγρα

"The Albanians in Greece"   Alain Ducellier

"Γεννήθηκα το 1402"    Παναγιώτης Κανελλόπουλος

Alle Colonie Abanesi    Giuseppe Grispi (1853)

Πελασγικές Νύκτες   C.H.T.Reinhold (1855)

Αλβανική Ραψωδία Girolamo De Rada (1866)

Demetrio Camarda (1866)

Vuk Stefanovic Karaxhic (1795)

Zef Jubani (1871)

Manuel De La Langue Chkipe (1879) A.Dozoni

Jan Urban Jarnik (1883)

Michele Marchiano (1908)

Antonio Bellusci: Antologjia Arbëreshe

Βαγγέλης Λιάπης: «Το Κουντουριώτικο ερωτικό τραγούδι»

Μέλπω Μερλιέ, Τίτος Ιοχάλας

Αριστείδης Κόλιας: « Η γλώσσα των θεών»

«Ανθολογία Αρβανίτικων Τραγουδιών της Ελλάδας» (2002) Θανάσης Μοραήτης.

Burimi: www.lirionushi.com

Nessun commento:

Posta un commento