domenica 25 aprile 2010

Telhinët

Telhinët janë edhe ata demonë, që nuk rrojnë nën tokë, por nën det, megjithëse kjo nuk tregon se nuk mund të rrojnë edhe në sterë. Kjo ndodh shpesh, prandaj ata konsiderohen qenie amfibe që kanë formë të çuditëshme dhe kanë një mundësi të pakufizuar për të ndryshuar, ndaj në ishullin e Rodos që konsiderohet si atdheu i tyre, quhen magë. Ishin ata që sipas legjendave të Rodosit, bënë që ky ishull të fundosej bashkë me ta në fund të detit e të dalë përsëri në sipërfaqe shumë më vonë nga ishujt e tjerë. Kanë edhe ata lidhje me zjarrin, dhe me shumë të drejtë kërkuesit i konsiderojnë si personifikm të forcave vullkanike detare dhe në përgjithësi të çrregullimeve që shkaktojnë tërmetet dhe vullkanet në trevat ishullore. Një vullkan detar mund të bëjë të fundoset një ishull ose të dalë një ishull i ri. (shiko Santorini).

Më duket se kjo pikërisht krijoi legjendat për jetë amfibe, për lidhjet e saj me llavën vullkanike e me përpunimin e metaleve, si dhe me vetinë e tyre magjike të nxjerrin në sipërfaqe ose të çdukin diçka e të bëjnë të ndryshoj formën. Të gjitha këto janë nxjerrë nga vëzhgimet e veprimeve vullkanike nëpër ishujt. Pikërisht këto veti të Telhinëve u dhanë edhe emrin këtyre demonëve të fundit të detrave. Si variant etimologjik i emrit të tyre përmendet edhe folja e greqishtes së vjetër ϕελγειν (felgein) që ka kuptimin bëj për vete, magjeps por gjuha arvanitase na jep një interpretim tjetër. Telhinat është një emër që vjen nga folja del dhe folja tjetër hin . Kësisoj, delhin është ai që hyn dhe del (amfib), ose që bën një ishull të çduket dhe të duket përsëri (legjenda e fundosjes dhe e shfaqes përsëri të ishullit të Rodos). Pastaj nga delhin telhin.

P. Karolidhi në hyrjen e tij tek Historia e kombit grek të K. Paparigulit (pjesa e I, f.96) e nxjerr fjalën Telhi, nga fjala armene del = ilaç. Ne duke insistuar në variantin arvanitas, shtojmë se analogji me këtë fjalë ka edhe fjala Delfis / delfin/ që ka lidhje direkte me fjalën greke δελϕυοσ – υοσ (delfyos – yos) që është mitra e gruas (shih Kristoforidhi). Pra del dhe fus ajo që del e hyn. Gjë që ndodh edhe me delfinin (ndryshe nga të gjithë peshqit e tjerë) ose edhe me mitrën e tij.

Një variant tjetër etimologjik është ai i Graves tek Mitologjia Greke, f.215.

Robert Graves që në veprën e tij ka dhënë shjegimet etimologjike më të pamundura dhe më të pajustifikuara, na jep një shpjegim të atillë që po e paraqesim pa asnjë lloj ndryshimi, në mënyrë që ju të gjykoni se si e shpjegojnë epokën e vjetër shkrimtarët e afirmuar europianë.

[…]Telhin, gramatologët grekë e nxirrnin nga fjala bëj për vete, magjeps. Por meqë femra, qeni dhe peshku lidheshin njëlloj në pikturimet e Skillës Tirrene – ashtu si dhe në ato të Kretës – apo me bashin e anijeve Tirene, kjo fjalë mund të jetë variant i fjalës “Tirin” ose “Tirsin”. Duket se Telhinët adhuroheshin nga një popull i lashtë i Greqisë, i Kretës, i Lidisë dhe ishujve të Egjeut, që ishin ende në stadin e matriarkatit, të cilët grekërit agresorë, që ishin në stadin e patriarkatit e ndoqën dhe ose e përvetësuan ose e detyruan të emigronte drejt perëndimit. Origjina e këtij populli ishte me sa duket nga Afrika Orientale […].

Këto supozon dhe mbron Robert Graves.

Marrë nga libri Gjuha e perëndive i autorit Aristidh Kola.

Nessun commento:

Posta un commento